E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani-Islami letër Fyles: Rama po na përjashton

TIRANË- Dy deputetët e Partisë Socialiste po përgatisin një letër drejtuar komisionarin e Zgjerimit, Stefan Fyle, Baroneshën Katerine Ashton dhe Departamentin Amerikan të shtetit, ku i vënë në dijeni për përjashtimin nga PS që sipas tyre, po iu bën kryesocialisti Edi Rama. Kështu shkruan sot Gazeta Shqiptare në një artikull, ku sqaron se përjashtimi vjen pas kundërshtive që këta të fundit kanë shfaqur në lidhje me bojkotin e Kuvendit nga PS.

Në këtë letër, sipas burimeve të afërta me dy deputetët,do t’u bëhet e qartë përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë se “kryetari socialist, Edi Rama po përjashton deputetët që folën kundër bojkotit të PS-së ndaj Kuvendit”.

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, deputeti Andis Harasani, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë, tha e lajmi për përjashtimin e dy
deputetëve “është shpërndarë ga vetë Rama”.

Historia e deklaratës së kreut socialist, Edi Rama ka nisur në takimin e 28 korrikut në Sarandë, kur ai mblodhi në një takim pune të gjithë të zgjedhurit në krye të bashkive të vendit, në zgjedhjet e 8 majit. Në këtë takim, sipas shtypit por edhe burimeve lokale, Rama ka dhënë porosi për mënyrën se si duhet të drejtojnë dhe se si duhet të sillen të sapozgjedhurit, në një kohë që qeveria ka prerë fondet për bashkitë e përfaqësuara nga e majta.

Por temë e diskutimit mësohet se ka qenë edhe formalizimi i “vetëpërjashtimit të Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit” në nisje të sezonit të ri parlamentar, me argumentimin për thyerje të shpeshta të vendimeve politike të grupit dhe për qëndrime të hapura favorizuese ndaj pushtetit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotshëm të Gazetës Shqiptare)
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›