E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës 10 ditë grevë urie, rëndoht gjendja

BULQIZE- 13 minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 10-të të grevës së urisë 1400 metra nën tokë, ndërkohë që gjendja e tyre rëndohet dita ditës, ndërsa ende asnjë zgjidhje konkrete nuk është propozuar nga ACR edhe pas takimeve që ka pasur me ta.

Njëri prej minatorëve në thellësinë e minierës e shikon situatën kështu, “Gjendja është mjaft e rënduar sepse minatorët kanë pasur edhe sëmundje të tjera. Këtu brenda në galeri këto sëmundje përparojnë më shumë. Në rast të mos realizimit të kërkesave tona ne do ta përmbysim minierën. Firma po tallet me ne, tallja e tyre e shton më shumë revoltë tonë”, thotë minatori me gjysmë zëri.

Ditën e djeshme dy minatorë në gjendje të rëndë kanë ndërprerë grevën dhe janë dërguar menjëherë në spitalin e këtij qyteti. Minatori Liman Isufi, i pari që ka lënë dje grevën ka pasur e probleme me shëndetin për shkak të sëmundjes së diabetit, zemrës dhe problemeve të rënda me shikimin. Aktualisht ndodhet në spital me aparat oksigjeni dhe në gjendje kritike për jetën. Ndërsa pasditen e djeshme minatori Gentian Ndreu 29 vjec doli nga galeritë e minierës së Bulqizës për të njëjtat shkaqe.

Ndërkaq gjatë mbrëmjes së djeshme Kryebashkiaku i Bulqizës, Roland Keta ka zhvilluar një takim me kreun e konfederatës së sindikatave Kole Nikolla dhe me pas është takuar edhe me minatorët grevistë. Pas këtyre takimeve ai ka deklaruar se do ulë në tavolinë minatorët dhe përfaqësuesit e “ACR”. Kryebashkiaku Keta ka deklaruar se disa nga pikat e kërkesave të minatorëve janë të zgjidhshme. Po ashtu ai ka thënë se do të negociohen edhe kërkesa të tjera të minatorëve.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›