E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga përmbytjet, banorët: Asnjë investim në argjinatura

SHKODER – Mungesa e investimeve në argjinaturat e lumenjve ka vënë në alarm banorët e komunës së Gurit të Zi në Shkodër, të cilët i tremben përsëritjes së përmbytjeve. Ata pohojnë se deri tani nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e vërshimit të ujërave dhe se në të gjithë zonën e Kuçit, Rrenzit dhe Vukatënës nuk është duke u ndërhyrë në argjinatura. Nënkryetari i komunës, Vitor Hila deklaron se situata është shumë shqetësuese.

"Në argjinaturat që kalojnë nëpër këto fshatra nuk ka asnjë investim. Ky fakt po na shqetëson, pasi po vjen vjeshta dhe shirat do të nisin edhe një herë. Nëse nuk ndërhyhet shumë shpejt, atëherë ne do të kemi edhe njëherë përsëritjen e përmbytjeve", - shprehet Hila. Sipas tij, ky shqetësim është ngritur dhe diskutuar në takimet e zhvilluara në këshillin e Qarkut dhe në Prefekturë dhe me gjithë kërkesat e bëra për ndërhyrje me investime, deri tani nuk është bërë asgjë.

Ndërkohë, banorët thonë se situata është alarmante, pasi argjinaturat ekzistuese janë të amortizuara plotësisht. Mësohet se që prej vitit 1985, kohë kur janë ndërtuar argjinaturat, nuk është ndërhyrë më në to. "Ne jemi të kërcënuar më shumë se të gjitha zonat e tjera, pasi rrezikohemi si nga lumi Drin ashtu dhe nga Kiri. Ndaj, është e nevojshme që të bëhen investime", - sqarojnë banorët e kësaj komune. "Dëgjojmë në media pushtetarë që deklarojnë investime në argjinatura në zonën e Shkodrës. Unë nuk e di se ku po bëhen këto investime. Në zonën tonë as që bëhet fjalë", - pohon Martini, një prej banorëve të fshatit Rrenc. Banorët deklarojnë se vjet përjetuan ferrin dhe se qeveria i ka harruar.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›