E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: KESH në vështirësi serioze, për shkak të borxheve

TIRANE- Diskutimet në Komisionin parlamentar të Ekonomisë lidhur me një kredi prej 21.6 milionë dollarësh për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të ndërmjetësuar nga qeveria shqiptare, sollën në skenë situatën e vështirë financiare të kompanisë prodhuese të energjisë, për shkak të borxheve të akumuluara.

Deputeti socialist Andis Harasani, i cili më parë ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të KESHit, tha se kjo kompani është në vështirësi serioze, për likuidimin e kredive që ka marrë për blerje energjie nga bankat tregtare në vend. Sipas Harasanit, situata duhet parë me shumë seriozitet, duke qenë se totali i kredive të marra nga KESH prek vlerën 120 mil ionë euro.

Në Komisionin e Ekonomisë u raportua se më shumë se 90 për qind e kësaj kredie do të përdoret për blerjen e pajisjeve teknologjike. Sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, deputetit demokrat Edmond Spaho, investimet jo vetëm do të rrisin sigurinë, por edhe do të ndikojnë në rritjen e prodhimit të energjisë. Konsensualisht, komisioni miratoi edhe kredinë 20.4 milionë dollarë që qeveria ka nënshkruar me fondin e OPEC-ut, për ndërtimin e rrugës Tiranë - Elbasan. Me këtë kredi, qeveria shqiptare thotë se ka garantuar plotësisht financimin e punimeve për rrugën që është parashikuar të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm. Përtej shqetësimit për shumën e lartë të kredive që arrijnë vlerën 120 milionë euro, edhe deputeti socialist Andis Harasani e vlerësoi si të domosdoshëm projektin për sigurinë e digave, për të cilin u mor edhe kredia e fundit.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›