Harasani: Një parti fituese nuk ndryshon strukturat drejtuese
Partia Socialiste vazhdon të jetë në një kaos të plotë, - kështu mendon deputeti socialist, Andis Harasani. Sekretari për Programin pohoi dje gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste se nuk mund të flitet për fitore të zgjedhjeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër të bëhen ndryshime në program e statut. Ka shumë gjëra që nuk arrij ti kuptoj. Unë nuk mund të flas as për ndryshimet në statut, as për ndryshimet në program, sepse pavarësisht se vazhdoj të jem sekretar i programit, nuk i kam parë këto ndryshime. Ka dy qëndrime që nuk arrij ti kuptoj, nëse thuhet se PS i ka fituar zgjedhjet dhe se ato janë vjedhur, atëherë nuk kuptoj pse ka ndryshime në program dhe statut, - tha ai. Sipas Harasanit, është krejtësisht e pakuptueshme dhe rezoluta e socialistëve, ku kutitë ishin lënë si pikë e fundit e saj në një kohë që për muaj me radhë PS ka kërkuar pikërisht këtë gjë, transparencën e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive të votimit. Dëgjova me shumë vëmendje rezolutën e lexuar nga deputetja Hysi dhe më bëri përshtypje që pika e kutive ishte pika e fundit, ashtu siç më bëri përshtypje fakti që shprehemi për një bashkëpunim me qeverinë, një qeveri e dalë nga një proces që nuk e njohim, - pohoi ai.