Malaj: PS, me pushtet të përqendruar
Deputeti Arben Malaj ka mbajtur një fjalim konciz dhe pak larg problematikës së kongresit të djeshëm, por ai ka prekur disa nga pikat, ku sipas tij, duhet të ecë oponenca e mëtejshme e PS-së. Duke mos folur për statutin e partisë, apo programin e saj të ndryshuar, Malaj tha se vizioni ynë duhet tiu përgjigjet tri sfidave: modernizimit të Partisë Socialiste, zgjerimit të aleancave dhe zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Malaj më tej foli për efikasitetin e partisë që sipas tij duhet të vijë nga funksioni i institucioneve. Aktualisht, disa prej dukurive që pengojnë maksimizimin e efikasitetit të Partisë Socialiste janë: pushteti i përqendruar, radikalizimi i marrëdhënieve me një pjesë të institucioneve të vendit, si dhe konceptimi i shumicave numerike si prova reale e standardeve të demokracisë së brendshme, - tha Malaj. Sipas deputetit të Vlorës, modernizimi i çdo force politike është një parakusht themelor për të konsoliduar shtetin ligjor, për të konsoliduar demokracinë, për të shprehur, mbrojtur dhe realizuar interesat e qytetarëve të vendit të saj. Mbështetja dhe nxitja e të rinjve, harmonizimi sa më i mirë i energjive pozitive të tyre me përvojën dhe përkushtimin e kolegëve të tyre, rikrijimi i një sistemi meritokracie, nxitja e përgjegjësisë, rikrijimi i frymës së ekipit dhe bashkëpunimit real, duhet të jenë në themelet e funksionimit të Partisë Socialiste.