E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: PS rrezikon një tjetër përçarje

Partia Socialiste rrezikon një tjetër përçarje. Paralajmërimi vjen nga deputetët e saj. Deputeti Kastriot Islami, i njohur për kritikat e tij të fundit ndaj drejtuesve të selisë rozë, ka pohuar dje gjatë punimeve të kongresit të Partisë Socialiste se ndryshimet e fundit në statutin e saj rrezikojnë një tjetër përçarje. Sipas Islamit, është krejtësisht i gabuar vendimi për të mos lejuar mendimin ndryshe apo i njohur si oponenca kolektive. Fakti që nuk është miratuar institucionalizimi i mendimit ndryshe, mendoj se është një hap në drejtimin jo të duhur për sa i përket demokracisë së brendshme në PS dhe kam frikë se do të jetë në funksion të një lëngimi të gjatë të Partisë Socialiste, për të mos thënë atë që do të ishte më e rënda, mund të çonte deri në një çarje apo përçarje të re të saj, - ka pohuar ai. Islami konkretizon edhe më tej idenë e një krisjeje të re në selinë rozë, pikërisht për shkak të luftës të kreut të saj, por dhe mbështetësve të tij ndaj mendimit dhe alternativës ndryshe. Rama në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar idetë e shprehura prej Ben Blushit, Marko Bellos apo Andis Harasanit, por dhe mjaft anëtarëve të tjerë të Asamblesë Kombëtare. Ndërkohë që për sekretarin e Çështjeve Zgjedhore në PS janë krejtësisht të gabuara dhe idetë për ta konsideruar Partinë Socialiste si një parti të qendrës së djathtë liberale. Në statutin e saj PS për herë të parë përcaktohet si një parti e qendrës së djathtë dhe liberale, gjë që është një element i ri jo thjesht i formës, por duhet të ishte dhe i përmbajtjes. Në asnjë nga dokumentet nuk ka asnjë lloj reflektimi përse PS po kthehet në një parti liberale, - pohon ai. Madje, për Islamin, është krejtësisht e pakuptueshme se si mund të quhet Partia Socialiste një parti e qendrës së djathtë liberale, në një kohë që vendimet e saj të fundit janë tërësisht radikale. Nuk e di se si do të pajtoheshin ose do të martoheshin, pikërisht një sjellje radikale e PS-së me definimin e saj si një parti e qendrës së majtë liberale, - deklaron ai. Ligjvënësi socialist shton se asnjë nga këto çështje nuk është shpjeguar në dokumentet kryesore, as në dokumentet e tyre shpjeguese. Dhe jam i sigurt se po të pyesësh edhe një numër shumë të madh anëtarësh të Kongresit, mendoj se do ishin të paktë për të mos thënë asnjë, në gjendje tiu jepte një përgjigje këtyre pyetjeve, - shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›