E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Procesi s’garanton standardet, Tahiri jo i duhuri

17/02/2012  Gara për kreun e ri të PS-së së Tiranës, shtohen zërat për shkelje të statutit

Shtohen zërat për një garë jashtë standardeve dhe në shkelje të statutit lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Socialiste të Tiranës. Kështu, janë vetë personat emrat e të cilëve janë lakuar si kandidatura të mundshme për një të tillë, që pritet të zhvillohet më 20 shkurt, ata që nxjerrin në pah parregullsitë për këtë proces. Kështu, deputeti socialist Andis Harasani i mëshoi me forcë faktit se gara për këtë post nuk ka standardet e duhura. Ndërkohë dy ditë më parë ishte deputeti Ilir Gjoni që deklaroi se po shkelet statuti i PS-së, duke argumentuar në të njëjtën kohë dhe tërheqjen e tij nga gara për zgjedhjen e kreut të ri të PS-së së Tiranës.

Kreu i ri i PS-së

Deputeti i PS-së Andis Harasani deklaroi në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Pus” se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të garojë apo jo për kreun e Tiranës. Ndërkohë në këtë intervistë deputeti socialist nuk ka kursyer kritikat për standardet mbi të cilat po zhvillohet ky proces. Njëkohësisht Harasani nuk ka kursyer as kritikat për kandidatin tjetër për këtë post, kryetarin e komanduar për PS-në e Tiranës Sajmir Tahiri. “Kanë ndodhur shumë gjëra: mënyra se si u zgjodhën delegatët, mënyra se si do të zgjidhet kryetari pa u zgjedhur katër kryetarët e minibashkive, ndaj gara nuk do të jetë në ato standarde që i takojnë Partisë Socialiste. Për më tepër që nuk mendoj se Tahiri mund ta drejtojë si duhet PS-në e Tiranës”, - vuri në dukje Harsani.

Mendimi ndryshe

Në fjalën e tij deputeti socialist nuk ka ngurruar të zbardhë disa detaje të projektit që kishte ideuar Lëvizja për Mendimin Ndryshe në PS. Sipas tij, ishte folur për krijimin e një partie me dy drejtues, nuk kishin munguar kontaktet me Fatos Nanon. Por në vlerësimin e Harasanit lëvizja u tradhtua nga brenda. “Pas largimit të Blushit patëm një thyerje, ka pasur diçka që nuk ka shkuar mes nesh”, - u shpreh Harasani. Si pjesë e komisionit për emergjencat, Harasani shpjegoi dhe lidhur me marrëdhënien e re mes tij dhe Ramës. “Sa u ktheva nga Amerika, pimë një kafe në zyrën e tij. Miqësia është gjithnjë veç marrëdhënieve politike. Por besoj se tashmë jemi drejt ndërtimit të një marrëdhënie besimi mes njëri-tjetrit”, - vlerësoi Harsani.

Qëndrimi

“Këto ditë kam parë në medie se është përmendur emri im si kandidat i mundshëm për kryetarin e PS-së së Tiranës. Në fillim mendova se është thjesht një lajm, por konstatoj se më duhet të sqaroj se unë as nuk e kam pasur e as nuk e kam ndër mend të kandidoj për këtë post. Jo sepse nuk e vlerësoj, por sepse e gjykoj se është shumë i rëndësishëm dhe zgjedhja e kryetarit të PS së Tiranës duhet të kalojë përmes një procesi të rregullt, transparent e serioz, duke filluar në radhë të parë nga respektimi i statutit të partisë, që funksionin e deputetit e sheh në mospërputhje me mbajtjen e një funksioni tjetër në parti”, - ka deklaruar deputeti Ilir Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›