E Diel, 1 Nëntor 2026

“Video-përgjimi i Priftit nuk ishte origjinal, pati ndërhyrje”

17/02/2012  Vendimi i plotë i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për shpalljen të pafajshëm të Ilir Metës

TIRANË- Ditën e djeshme, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë zbardhi të plotë vendimin për pafajësinë e ish-zv/kryeministrit Ilir Meta. Kjo gjykatë për rreth një vit zhvilloi disa seanca, ku u dëgjuan dëshmitarë dhe ekspertë rreth video-përgjimit të publikuar nga ish-ministri Dritan Prifti në“Fiks fare”. Mes të tjerave, në vendimin e firmosur nga 5 gjyqtarët, Ardian Dvorani kryesues dhe anëtarët Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj, me nr 8 dhe nr 8/1 të vitit 2011 të regjistrit themeltar thuhej se “Bazuar në konkluzionet e ardhura nga ekpertët, Kolegji Penal vlerëson se materiali audioviziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal. Në këtë material audioviziv u vërtetua mundësia dhe probabiliteti i lartë i ndërhyrjeve në përmbajtje si rezultat i anomalive të pashpjegueshme”.

Vendimi i plotë i Kolegjit Penal

Mes të tjerave gjyqtarët arsyetojnë se “Bazuar në përmbajtjen video dhe në atë audio (bisedimeve) të regjistrimit të ekspertuar dhe të transkriptuar disa herë nga ana e prokurorisë, pasi ka pyetur një numër të madh dëshmitarësh, si dhe ka kryer veprime të tjera hetimore duke marrë prova të ndryshme, përfshirë praktikat dokumentare të garës koncesionare për H/C Egnatia-Shushicë dhe të ankandit për shitjen e 50 mijë ton naftë bruto të Shoqërisë publike “Albpetrol” sh.a., organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur në përfundimin se rezulton e provuar që i pandehuri Ilir Meta i ka kërkuar shtetasit Dritan Prifti, në kuadër të detyrës së tij të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, që të favorizojë për shpalljen fitues të garës koncesionare për H/C Egnatia-Shushicë bashkimin e përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k. dhe për shpalljen fitues të ankandit për shitjen e naftës Shoqërisë “Halilaj Holding Group” sh.a. Në rastin e parë kundrejt ofrimit të një përfitimi të paligjshëm për shtetasin Ditan Prifti në shumën 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve, ndërsa në rastin e dytë kundrejt një përfitimi të paligjshëm të barazndarë mes tyre në shumën 1 milion euro. Nga ana e mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta, pas heqjes dorë nga kërkesa e sipërcituar, u paraqit menjëherë kërkesë tjetër më e plotë me objekt konstatimin e një numri shkeljesh ligjore të kryera gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake. Kolegji Penal, pasi dëgjoi edhe qëndrimin e prokurorëve lidhur me kërkesat paraprake të mbrojtjes, me vendimin e ndërmjetëm të arsyetuar, të cilën e shpalli në seancën tjetër gjyqësore të datës 11.07.2011, vendosi: Rrëzimin e kërkesës paraprake për pushimin e gjykimit të procedimit penal nr.1 të vitit 2011 të Prokurorisë së Përgjithshme. Pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht, të akteve procedurale dhe të akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar Adrian Philips. Në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për vënien në dispozicion të materialit të plotë audioviziv të një bisede mes shtetasve Dritan Prifti dhe Leonard Beqiri, si dhe thirrjen si dëshmitar të shtetasit Leonard Beqiri, Kolegji Penal vlerësoi se, meqënëse burimi i saj ishte një akt ekspertimi i ekspertit amerikan Glenn Bard, i cili u deklarua i pavlefshëm dhe për rrjedhojë i papërdorshëm, ky Kolegj vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë të mbrojtjes. Prandaj Kolegji vendosi që për realizimin e këtij ekspertimi të caktohej një grup ekspertësh sipas profileve përkatëse, i përbërë nga: a) Ardian Pollo, shef i departamentit të Elektronikës në Universitetin Kristal, pedagog i lëndës Siguria e Sistemeve Informatike, Protokollet e Transmetimit; b) Artur Rrahmani, ekspert kriminalist në Qendrën shkencore “The Experts”, Tiranë; c) Ermal Beqiri, Drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës dhe pedagog informatikës në Universitetin Kristal. Nga ana e prokurorëve u paraqitën si prova për tu administruar në lidhje me këtë procedim penal: a) një orë kamera përgjuese, një lap top, një USB flash memory (memorie elektronike) dhe një fishë lidhëse USB. Në orën kamera përgjuese biseda ishte e fshirë, por ajo mbetej provë materiale se kishte shërbyer për kryerjen e videopërgjimit. Lap Top-i dhe USB flash memory, për shkak se jo vetëm janë mjete të realizimit, por edhe sepse përmbajnë materialin audioviziv të bisedës Meta-Prifti. Nga ana e mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta u paraqitën si prova a) Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të shtetasit Dritan Prifti në vitin 2002, b) shkresë e nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani dhe që konfirmon se ai institucion nuk ka asnjë bashkëpunim me institucione homologe për kryerjen e ndonjë ekspertimi të mundshëm të lidhur me këtë procedim penal, etj. Kolegji Penal vendosi të pranojë dhe administrojë të gjithë provat e paraqitura nga ana e mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta. Nga ana e prokurorëve u parashtrua se rezultoi e provuar që në datën 1 mars të vitit 2010, rreth orës 13.00, në zyrën e Dritan Priftit ka shkuar i pandehuri Ilir Meta, i cili në atë kohë mbante funksionet e Zëvendëskryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe gjatë bisedës së zhvilluar, ky i fundit i ka propozuar të favorizojë në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milion euro, duke i premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve, si dhe ndërhyrjen për të favorizuar Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a. në ankandin për “Shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto” të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit, nga i pandehuri Ilir Meta i është ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1.000.000 (një milion) dollarë që do të ndaheshin mes tyre. Në datën 13.01.2011, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është paraqitur me vullnetin e tij shtetasi Dritan Prifti, i cili me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime të hetimit, ka sqaruar se regjistrimi audioviziv i materialit të transmetuar në emisionin “FIKS FARE” të Televizionit “TOP CHANNEL” ishte realizuar prej tij dhe ka shpjeguar faktet dhe rrethanat që e çuan në realizimin e këtij regjistrimi. Deklarimet e detajuara të tij në ketë procesverbal, përputhen plotësisht edhe me dëshminë e dhënë nga ky shtetas në seancë gjyqësore. Konkretisht, në dëshminë e tij, shtetasi Dritan Prifti, mes të tjerave është shprehur se: “Për sa i përket koncesionit dhe ky është një koncesion për të cilin zoti Meta më kishte porositur që duhet ta fitonte Bashkimi i Kompanive që drejtohej nga vëllezërit Tola. Më tha dhe për këtë që merre vendimin shpejt, jepja shpejt, në fakt unë e dija që kjo çështje ishte në gjyq, e dija që ishte duke u gjykuar në gjykatën e apelit. Në një moment, zoti Meta më thotë që unë nuk e di sesi e ke në plan ti të hysh në këtë koncesion, por ky Gimi më thotë mua afërsisht për ty ka 7% dhe në një moment tjetër përmend që janë dhe 700 mijë euro që jepen për këtë gjë. Kjo është ajo që mbaj mend nga biseda”. Ndërsa, për episodin e ankandit, për shitjen e naftës bruto nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a., gjatë gjykimit dëshmitari Dritan Prifti shpjegoi se: “Zoti Meta, gjatë takimit në zyrën time, më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës, në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij Bekim Halilaj. Ai nguli këmbë, tha: Mbaroje pse nuk e mbaron? Anulloje, pse nuk e anullon?”. Sipas prokurorëve, në dëshminë e tij të dhënë para gjykatës, shtetasi Dritan Prifti sqaroi gjithashtu edhe arsyet që e shtynë të bënte regjistrimin e bisedës me Ilir Metën, duke shpjeguar se: “...që nga shkurti i vitit 2010 deri në fund të detyrës time si Ministër, nuk mbaj mend ndonjë takim që kam bërë me Ilir Metën gjatë të cilit nuk është bërë një kërkesë për një favor, për një tender, për një ankand, për një koncesion, për një privatizim, pra u kthye në një marrëdhënie vetëm kërkesash dhe u bë një marrëdhënie shumë shumë stresante dhe e bezdisshme, sepse unë nuk kisha mundësi që kërkesat e jashtëligjshme të tij ti zbatoja dhe ti realizoja. .”. Krahas dëshmisë së shtetasit Dritan Prifti, si provë që vërteton faktin e zhvillimit të bisedës, prokurorët kanë referuar analizën e tabulateve telefonikë. Sipas prokurorëve, origjinali i këtij regjistrimi audio video ndodhet në lap top dhe USB, të pranuara nga gjykata si provë materiale, në një “file” të emërtuar “C:User Dritan Prifti/PICT 0008.avi”. Ekspertët duke mos gjetur, në rrugë shkencore, asnjë detaj të fshirjes apo montimit të videos, u shprehen vetëm se: “deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme i çojnë në përfundimin se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë i madhë”. Në këtë përfundim, jo kategorik por edhe as shkencor, këta ekspertë arritën vetëm për shkak se, sipas tyre, “në minutën 11.25 konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak (tepër) jo në harmoni me tik-tak–ët e tjerë”, në një kohë që siç deklaruan vetë para gjykatës në përgjigje të pyetjeve tona, “tik-taku i tepërt” mund të ishte edhe ndonjë zhurmë nga jashtë regjistruesit apo edhe ndonjë defekt i mekanizmit të orës që kamuflonte regjistruesin, duke pranuar kështu pasaktësinë e përfundimit të arritur prej tyre. Që kjo video është origjinale dhe e patjetërsuar u vërtetua gjatë shqyrtimit gjyqësor. Rezultoi e provuar, me deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti, se ai e ka hedhur (shkarkuar) videon nga ora/kamera në lap-top menjëherë sapo ka përfunduar regjistrimin. Gjithashtu, kohëmatësi i videos dhe ora e biosit në lap-top përputhen dhe tregojnë datën 01.03.2010 dhe orën 13.33. Po kështu, ky “file”, siç del dhe nga akti i ekspertimit, ka vetëm një datë modifikimi, atë 01.03.2010, ora 01.33.p.m. Pra, rezulton saktësisht e vërtetuar që të mos jetë hapur as për tu parë më pas e jo më të jetë ndërhyrë në të. Këto fakte, provojnë jo vetëm origjinalitetin e videos, por konfirmojnë gjithashtu edhe vërtetësinë e thënieve të dëshmitarit Dritan Prifti, për këtë moment të dëshmisë së tij. Përmbajtja e kësaj videoje mbështet plotësisht deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti edhe në lidhje me natyrën e bisedës, problematikën e saj, interesimin e të pandehurit për ankandin e shitjes së 30 mijë ton naftë bruto, si dhe për garën koncesionare të ndërtimit të H/C Egnatia-Shushicë. Fakti që shtetasi Bekim Halilaj ka bërë përpjekje për ta zgjidhur këtë problem me “ARMO” sh.a. u konfirmua në gjykim edhe nga dëshmia e shtetasit Rezart Taçi, Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë. Interesimi i vazhdueshëm i të pandehurit Ilir Meta për fitimin e ankandit nga kompania e Bekim Halilaj vërtetohet jo vetëm nga dëshmia e Dritan Priftit në gjyq, por vërtetohet edhe me analizën e tabulateve telefonike të bisedave që ka zhvilluar shtetasi Bekim Halili me të pandehurin Ilir Meta. Ndonëse në dëshminë e tij, të dhënë para gjykatës më datën 21.11.2011, shtetasi Bekim Halili tha se ai ka biseduar me Ilir Metën për problemin e ankandit vetëm në muajin qershor 2010, pra nuk pranon interesimin e tij të vazhdueshëm për të fituar ankandin, dëshmia e tij është e pabesueshme. Ai u shpreh se nuk kishte pasur komunikime telefonike të shpeshta me Ilir Metën, duke pretenduar se mik kishte vetë Dritan Priftin. Analiza e tabulateve telefonike të numrit celular të përdorur nga ky shtetas tregon të kundërtën. Pra, dëshmitari Bekim Halilaj pretendon se dëshmitarin Dritan Prifti e ka mik dhe për një vit ka biseduar vetëm 13 herë, ndërsa të pandehurin Ilir Meta e ka takuar rastësisht kur ndërkohë ka biseduar plot 192 herë. Ndërkohë, që në dëshminë e tij, të dhënë para gjykatës, shtetasi Bekim Halili ka deklaruar se “shtetasin Pajtim Sulaj e kam njohur si paraqitje në gjyqin e parë kur u thirrëm dhe nuk arritëm të dëshmonim.... komunikime në telefon kemi pasur një herë apo dy herë për tu interesuar për ankandin si kryetar i komisionit”. Nga ana tjetër, në diskutimin përfundimtar, mbrojtësit e të pandehurit Ilir Meta, në thelb, parashtruan se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, rezultoi e provuar që akuza e ngritur nga ana e prokurorisë është tërësisht e pambështetur në prova. Gjatë fazës së hetimit paraprak është pyetur shtetasi Dritan Prifti, që pretendoi “…presionin e ushtruar ndaj tij nga shtetasi Ilir META me qëllim që të kryente veprime që binin në kundërshtim me ligjin, duke i premtuar dhënien e shumave të konsiderueshme…”. Pas fillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe kërkesave të bëra nga mbrojtja, me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2011, Gjykata e Lartë vendosi “...pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri, përkatësisht, të akteve procedurale dhe të akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbreteria e Bashkuar Adrian Philipps...”. Në disa seanca gjyqësore, u realizua pyetja në cilësinë e dëshmitarit të shtetasit Dritan Prifti dhe të njëzet shtetasve të tjerë. Sikurse theksohet edhe në shtesën e aktit të ekspertimit, ekspertët nënvizojnë se “file” orgjinale është një “file” autentike dhe e paprekur, e cila duhej të gjendej në memorien e orës objekt ekspertimi. Po kështu, sipas avokatëve të së pandehurit, autenticiteti i filmimit të fshehtë që gjendet në Lap-top është vënë në dyshim nga anomalitë e konstatuara prej ekspertëve në aktin e ekspertimit, siç janë ndërhyrjet e shumta në të. Sikurse theksohet në aktin e ekspertimit një video e humbet orgjinalitetin e saj edhe duke u shkarkuar nga një objekt në një tjetër, por më e rëndësishme është që të mos ketë anomali, sikurse ka videoja e gjetur në Lap-top. Në nenin 191 të Kodit të Procedurës Penale disiplinohet mënyra e marrjes së dokumenteve që provojnë fakte kriminale. Kjo dispozitë nuk e justifikon mungesën në provën materiale të gjurmëve të veprës penale, sepse kjo nuk do ti shërbente procesit të të provuarit të fajësisë apo pafajësisë në një proces të rregullt ligjor gjyqësor. Mbrojtja e të pandehurit Meta ka qëndrimin se ka pasur ndërhyrje në materialin e servirur nga dëshmitari Dritan Prifti dhe që gjendet në kompjuterin Lap-top. Gjatë analizimit të këtij materiali nga ana e ekspertëve në minutën 11.25 konstatohet në spektër gjurmë e ngjashme me tik-takun (tepër) të orës jo në harmoni me tik–tak-et e tjerë të saj. Ky deformim i kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme tregon se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë i madh. Probabiliteti i gabimit të këtij konkluzioni shkencor, sipas ekspertëve të çështjes, është zero. Nisur nga akti i ekspertimit, në materialin audioviziv, i cili gjendet në Lap-top, konstatohen edhe ndërhyrje të tjera, të cilat, sipas mbrojtjes, janë kryer qëllimisht nga realizuesit e tij me synimin për të përfituar një sinjal të ri audio të njëjtë me atë të përfytyruar prej tyre. Prandaj, gjatë fazës së hetimit paraprak janë kryer të paktën 6 transkripte të ndryshme të materialit audio-viziv. Pavarësisht përpjekjeve të akuzës, nga zbardhja përfundimtare e bisedës, rezulton se pjesët e kësaj bisede, ku pretendohej realizimi i veprës përkatëse penale, nuk ishte e mundur të dëgjoheshin në asnjë rast. Vulat dixhitale, sipas ekspertëve, janë garantueset e vetme të mosndërhyrjeve në një aparat elektronik. Në mungesë të këtyre vulave gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake, sipas mbrojtjes së të pandehurit, vërehet se ato janë transmetuar, dorëzuar dhe marrë me procesverbale jo të ligjshme përsa i përket juridiksionit dhe tagrit proçedural. Edhe të ashtëquajturin kallzim, dëshmitari Prifti e ka bërë pas afro 10 muajsh dhe vetëm pasi ka sh.a. ntazhuar fillimisht Zëvendeskryeministrin Ilir Meta dhe me pas Kryeministrin Sali Berisha për një kompromis shpërblyes dhe të paligjshëm. Gjithashtu, mbrojtësit e të pandehurit Ilir Meta, parashtrojnë se, nëpërmjet dëshmisë së tij, dëshmitari Dritan Prifti ka manipuluar të vërtetën. Por, nga ana tjetër, provat shkresore të paraqitura nga mbrojtja vërtetojnë se është realizuar një marrëveshje ndërmjet “Albpetrol” sh.a., “ARMO” sh.a. dhe Shoqërisë “Tea Construction Petrol” sh.a., e nënshkruar me 10.02.2010, pra para takimit të video-përgjuar mes dëshmitarit Prifti dhe të pandehurit Meta. Mbi bazën e kësaj marrëveshje çështja e ankandit ishte tashmë e “zgjidhur” po prej këtij dëshmitari. Ndërkohë që dy nga ortakët e firmës përftuese, “Tea Construction Petrol”, janë përkatësisht bashkëshortja dhe vëllai i nënës së dëshmitarit Dritan Prifti. Në lidhje me koncensionin e hidrocentralit mbi lumin Shushicë, sipas akuzës, i pandehuri Meta ka kërkuar që të ndikojë tek dëshmitari në rolin e ministrit që këtë koncesion ta përfitonte Shoqëria “Bashkimi i përkohshem Vëllezërit Tola” sh.p.k. Në këmbim të dhënies së këtij koncesioni, dëshmitari do të përfitonte 7% të vlerës së koncesionit dhe 700.000 Euro. Por, sipas konkluzionit të mbrojtjes, gjatë gjykimit u vërtetua se në datën 05.01.2010 me nr.1238 prot., në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës është dërguar një memo e Shoqërisë “Vëllezerit Tola” sh.p.k. e shoqëruar me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.235, datë 10.09.2009. Nëpërmjet kësaj kërkese përfaqësuesi ligjor i shoqërisë i kërkonte ish Ministrit të asaj kohe, dëshmitarit Dritan Prifti, që edhe Shoqëria “Vëllezërit Tola” sh.p.k. për shkak të fitimit të gjyqit të merrte pjesë në garën për koncesion. Madje, mbi bazën e kësaj kërkese, ish Ministri i asaj kohe, dëshmitari Dritan Prifti, ka bërë shënimin:“...zoti Kraja këta kanë fituar gjyqin, të procedohet për të vazhduar...”. Veç dokumentacionit shkresor, këto fakte pohohen nga disa dëshmitarë të pyetur në gjykim. Dëshmitari Agim Rapaj, deklaroi në seancë gjyqësore se ai në asnjë rast nuk i ka kërkuar favore të pandehurit Ilir Meta, për të marrë pjesë në koncesion kompania, interesat e së cilës ai mbronte. Ai ka kërkuar vazhdimisht tek ish ministri Prifti dhe funksionarët e tjerë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, zbatimin e ligjës dhe të vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Sipas mbrojtjes, përbën fakt të vërtetë njohja dhe raporti mes të pandehurit Meta dhe dëshmitarit Agim Rrapaj, por asgjë kriminale nuk ka në këtë marrëdhënie. Gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre, i pandehuri Ilir Meta i ka propozuar të favorizojë në garën koncesionare që zhvillohej për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., për një investim me një vlerë rreth 65 milion euro, duke i premtuar edhe shpërblim të kundërligjshëm në shumën prej 700 mijë euro, si dhe 7% të aksioneve. Gjithashtu, gjatë së njëjtës bisedë, i pandehuri Ilir Meta ka ndërhyrë tek dëshmitari Dritan Prifti për të favorizuar Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a., në ankandin për “Shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto” të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a. Për këtë të fundit, sipas dëshmitarit Prifti, nga i pandehuri Meta atij i është ofruar edhe një përfitim i paligjshëm deri në 1.000.000 (një milion) dollarë, shumë e cila do të ndahej mes tyre. Kolegji Penal vëren se lidhur me ekzistencën dhe kohën e zhvillimit të bisedës, nga gjykimi rezultoi e provuar se, në datën 01.03.2010, rreth orës 13.30, i pandehuri Ilir Meta dhe shtetasi Dritan Prifti janë takuar me njëri tjetrin. Nga provat e pranuara për shqyrtim dhe analiza e tyre nuk rezultojnë të dhëna që të tregojnë se në këtë bisedë mund të kenë qenë të pranishëm apo të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë. Rrethana që i pandehuri Ilir Meta dhe dëshmitari Dritan Prifti janë takuar në datën 01.03.2010, rreth orës 13.30, rezulton e provuar nga thëniet e bëra para gjykatës nga ana e Dritan Priftit gjatë gjithë dëshmisë së tij. Po kështu, kjo dëshmi përputhet edhe me thëniet e bëra në gjykatë nga dëshmitari Agim Rrapaj, i cili mes të tjerave shpjegoi se: “.... kam marrë një telefonatë.... nga zoti Ilir Meta ku më kaloi zotin Dritan Prifti...” dhe vijon me tregimin e përmbajtjes së bisedës. Edhe të dhënat e sistemit TIMS, vërtetojnë se në datën 01.03.2010, pas orës 13.57, i pandehuri Ilir Meta është larguar jashtë shtetit, nëpërmjet një fluturimi ajror nga aeroporti i Rinasit. Por, sikurse rezulton nga analiza e provave të tjera të pranuara dhe administruara nga gjykata, nuk rezultojnë nga thënie të dëshmitarëve të tjerë apo nga prova shkresore të shqyrtuara në gjykim të dhëna të tjera që të konfirmojnë deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti që biseda tij me të pandehurin Ilir Meta të ketë patur si subjekt edhe çështjen e ecurisë së procedurave, përfshirë atë të pjesëmarrësve në ankandin e fillimvitit 2010 për shitjen nga “Albpetrol” sh.a. të sasisë prej 50 mijë MT naftë bruto me vlerë orientuese 14 milion e 200 mijë USD. Në një shkresë të bashkimit të përkohshëm “Vëllezërit Tola” evidentohet pretendimi dhe shqetësimi i aksionerëve të shoqërisë se gjatë 3 vjetëve investimi dhe shpenzimet e kryera prej tyre e kalojnë shifrën 700 mijë euro, ndërkohë që rrezikohej të largoheshin nga sipërmarrja tre shoqëritë hungareze aksionere. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së kartelës shoqëruese dhe duke patur parasysh thëniet e dëshmitarëve funksionarë të ministrisë si Durim Kraja, ish sekretar i përgjithshëm, etj., siglimi i parë dhe vënia në lëvizje e praktikës nuk është bërë nga ana e ministrit por nga një pjesëtar tjetër i kabinetit. Përfundimisht, për shkak të mosplotësimit të kërkesave të ftesës për procedurën konkuruese, si dokumentacion i parregullt ligjor, mungesa të bilanceve së bashku me kopje të auditimit financiar, etj., me vendimin e tij të datës 25.10.2010, komisioni i vlerësimit të ofertave vendosi të skualifikojë bashkimin e përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., “Arti” sh.p.k. dhe “GPA Konstruksion” sh.p.k. dhe të kualifikojë subjektin tjetër pjesëmarrës në garë. Gjatë gjykimit, nga mbrojtësit e të pandehurit Ilir Meta u kërkuan të paraqiteshin si prova të reja dhe nga gjykata u pranuan të administrohen një Akt-Marrëveshje e datës 10.02.2010, e lidhur ndërmjet “ARMO” sh.a., “Albpetrol” sh.a. dhe “Tea Construction & Petrol” sh.a. Sipas mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta, kjo akt-marrëveshje vërteton se, ashtu sikurse deklaroi dëshmitari Dritan Prifti, kush kishte marrëveshje me “ARMO” sh.a. për përpunimin e produkteve kishte përparësi për të fituar ankandin e shitjes së naftës bruto, pra edhe procedura e ankandit për shitjen e naftës bruto ishte formale dhe me fitues të paracaktuar. Ndërkohë që aksioneri i vetëm i Shoqërisë “Tea Construction & Petrol” sh.a. ishte njëkohësisht njëri prej pesë ortakëve të Shoqërisë “Fortis 2” sh.p.k., ku ortak është edhe bashkëshortja e dëshmitarit Dritan Prifti dhe daja i tij. Pra ky dëshmitar ka vepruar në mënyrë që ankandi të fitohej nga ortaku i bashkëshortes dhe të afërmit të tij. Kolegjit Penal, nga vlerësimi i këtyre provave shkresore, i rezulton se Akt-marrëveshja trepalëshe e sipërcituar parashikon vetëm detyrime të ndërsjellta mes palëve kontraktore për çështje financiare. Në thelb, Shoqëria “Tea Construction & Petrol” sh.a. do ti paguante “Albpetrol” sh.a. shumën e përcaktuar në pikën 1 të Aktit për llogari të “ARMO” sh.a., për naftën bruto të marrë nga kjo e fundit tek “Albpetrol” sh.a. Afati i veprimit dhe zbatimit të marrëveshjes ishte deri në plotësimin e shumës së përcaktuar por jo më vonë se 31.03.2010. Në gjykim nuk rezultoi e provuar që kjo Akt-Marrëveshje, pra detyrimet sipas saj të mos jenë përmbushur dhe veprimi dhe zbatimi i saj të kenë vijuar dhe të jenë shtrirë përtej datës 31.03.2010. Në vijim të kërkesës për gjykim, të argumentave, kërkesave e provave të paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes edhe në diskutimin përfundimtar, nga ana e prokurorëve u parashtrua se rezulton e vërtetuar që, në bisedën e datës 01.03.2010, i pandehuri Ilr Meta jo vetëm i ka kërkuar dëshmitarit Dritan Prifti të favorizojë në garën koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., por edhe i ka premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë euro, si dhe 7% të aksioneve. Po kështu, i pandehuri Ilir Meta në atë bisedë i ka kërkuar dëshmitarit Dritan Prifti të favorizojë Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a., në ankandin për “Shitje të një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a., duke i ofruar një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion USD, për ti ndarë së bashku. Sikurse arsyetohet në pikën 21.5 më sipër në këtë vendim, gjatë takimit të datës 01.03.2010, i pandehuri Ilir Meta dhe dëshmitari Dritan Prifti kanë biseduar rreth procedurës për dhënie me konçesion të hidrocentralit Egantia-Shushicë në formën BOT, ku si autoritet kontraktues ishte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe ku pjesëmarrës në garë ishte edhe bashkimi i përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k. Dëshmitari Agim Rrapaj pohoi se ka biseduar me të pandehurin Ilir Meta rreth procedurës për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në Shushicë. Gjithashtu pohoi se e ka informuar, i ka shpjeguar dhe i ka vënë në dispozicion të pandehurit Ilir Meta vendimin nr.365, datë 10.09.2009 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Sipas dëshmitarit Agim Rrapaj, ai nuk ka komunikuar me të pandehurin Ilir Meta me telefon në vitin 2010 për çështjen e koncesionit, por ka qenë për këtë qëllim në zyrën e tij. Ky takim i tij me të pandehurin Ilir Meta është bërë përpara komunikimit telefonik të datës 01.03.2010 mes tyre dhe me shtetasin Dritan Prifti: Dëshmitari Agim Rrapaj deklaron se “...Në atë takim në zyrën e të pandehurit Ilir Meta nuk kam qenë vetëm por ka qenë edhe Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sepse ne shkuam atje për një çështje tjetër të projektit”. Më tej, dëshmitari Agim Rrapaj shpjegon se“....i kemi dërguar një MEMO Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ku i shprehnim shqetësimin tonë për përshpejtimin e procedurave, ku i theksojmë njëkohësisht edhe dëmin që na shkaktohej në qoftë se këto procedura do vazhdonin të bllokoheshin.....përmbajtjen e së cilës unë ia bëra dhe paraprakisht të njohur shtetasit Ilir Meta....Fakti që unë iu ankova zotit Ilir Meta ishte qenia e tij Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, për arsye se kishim dhe tre kompani të huaja të cilat më kishin autorizuar që të bëja ankesë edhe në Ambasadë edhe në Ministrinë e Jashtme....Duke qenë dhe njëkohësisht ministër që e mbulonte subjekti politik, të cilin e drejtonte zoti Meta.....Sipas dëshmitarit Agim Rrapaj, deri në janar 2010 “kanë qenë mbi 700 mijë euro shpenzime dhe investime të kryera nga kompania deri në këtë periudhë.... shpenzimet dhe investimet janë në proces...jo të gjitha shpenzimet janë paguar....kompania do ti paguajë në një fazë tjetër...”. Sipas qëndrimit të prokurorëve, në thelb, parashtrohet se është e besueshme dëshmia e Dritan Priftit që njëri nga motivet për të cilat i pandehuri Ilir Meta i kërkoi dëshmitarit Dritan Prifti të përshpejtonte procedurat duke përfshirë në garë subjektin Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k. dhe shpalljen fitues të tyre, është përfshirja dhe më pas qënia aksioner i saj të shtetasit Fatmir Merkaj. Por, mbi kundërshtimin e dëshmisë nga ana e prokurorit, Kolegji Penal pranoi të administrojë thëniet e dëshmitarit Fatmir Merkaj në fazën e hetimit paraprak, ku në lidhje me faktin nëse ka biseduar me dëshmitarin Dritan Prifti lidhur me koncesionin për hidrocentralin Egnatia-Shushicë, ai ka deklaruar se: “...nuk kam biseduar, pasi nuk kisha asnjë të drejtë të bisedoja me të. I vetmi kontakt me të ka qenë ai që deklarova më sipër, ku kemi biseduar në zyrën e zotit Dritan Prifti për shtyrjen e afatit të realizimit të koncesionit Stravaj. Në kontaktet telefonike, një apo dy herë, nuk kemi biseduar fare për koncesionin, por thjesht ai më ka pyetur nëse kisha ndonjë dhomë të lirë në hotelin në Dhërmi. Unë i kam thënë jo dhe me kaq është mbyllur biseda jonë. Kontakti im i fundit me shtetasin Dritan Prifti ka qenë ditën e emisionit në “Top Story” në “Top Channel”, ku ai shpifi për mua dhe lidhjen time me Ilir Metën.....”. Gjatë gjykimit, dëshmitarët e tjerë, Agim Rrapaj, Ymer Tola, Erdit Rrapaj, Skënder Tola, Emin Toçi, Andi Dedja, aksionerë e përfaqësues të subjektit Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., pohojnë ekzistencën dhe rrethanat që përmbahen në shkresën MEMO të janarit 2010 mbi vonesat në procedurat e garës koncesionare dhe dëmin ekonomik që po i shkaktohej shoqërisë nga kjo vonesë. Nga ana tjetër, funksionarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Durim Kraja, Zamir Stefani, Ervin Duraj, Etleva Kondi, pohuan në dëshmitë e tyre të dhëna përpara gjykatës se askush nuk u ka ndërhyrë apo bërë presion në procesin e zhvillimit të konkurimit për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë.

Sipas prokurorëve, fakti që i pandehuri Ilr Meta jo vetëm i ka kërkuar dëshmitarit Dritan Prifti të favorizojë në garën koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve Egnatia-Shushicë, Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Vëllezërit Tola” sh.p.k., por edhe i ka premtuar si shpërblim të kundërligjshëm shumën prej 700 mijë euro si dhe 7% të aksioneve, rezulton i provuar edhe nga regjistrimi audioviziv që dëshmitari Dritan Prifti i ka bërë bisedës me të pandehurin Ilir Meta. Prokurorët, ndërmjet të tjerave, në parashtrimin e tyre të hollësishëm, argumentojnë se “origjinali i kësaj videoje ndodhet në lap-top dhe në USB, të pranuara nga gjykata si provë materiale. Dokumenti video i ndodhur në lap-top në fajlin e emërtuar c:user Dritan Prifti /PITC 0008.avi... është vlerësuar nga gjykata si provë e vlefshme proceduralisht, me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2011, me të cilin ajo ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmëri të video regjistrimit. Për më tepër, kjo video ka qenë edhe objekti kryesor i ekspertimit teknik të caktuar nga gjykata me vendimin e saj të datës 22.07.2011. Ky akt ekspertimi, të cilit i bashkëngjitet, si pjesë integrale, kjo CD-i me kopjen e pastruar të bisedës së regjistruar, është pranuar dhe marrë si provë nga gjykata me vendimin e saj të datës 14.11.2011. Pra, sa më sipër, VIDEO-ja rezulton të jetë pranuar dhe marrë si provë në rrugë ligjore nga gjykata, pavarësisht se me vendimin e datës 16.12.2011 nuk pranoi kërkesën tonë për ta parë, dëgjuar dhe transkriptuar videon. Nga tërësia e rrethanave të çështjes, të vërtetuara në rrugë gjyqësore, por dhe nga përmbajtja e aktit të ekspertimit teknik, rezultoi se kjo VIDEO ishte origjinale dhe e pa tjetërsuar. Përmbajtja e kësaj videoje mbështet plotësisht deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti edhe në lidhje me natyrën e bisedës, problematikën e saj, interesimin e të pandehurit për ankandin e shitjes së 30 mijë ton naftë bruto, si dhe për garën koncesionare të ndërtimit të H/C Egnatia-Shushicë. Ashtu siç shpjegon edhe dëshmitari, kjo video vërteton komunikimin në telefon me përfaqësuesin e Shoqërive Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., shtetasin Agim Rrapaj dhe kalimin e telefonatës dëshmitarit Dritan Prifti nga vetë i pandehuri Ilir Meta. Kjo rrethanë fakti, mbështetet plotësisht nga analiza e tabulateve telefonike të shtetasit Agim Rrapaj, që është administruar si provë, e cila paraqet komunikimin me telefon ndërmjet tij dhe Ilir Metës më datën 01.03.2010 në orën 13.28, gjatë kohës që ai ishte në takim në zyrën e dëshmitarit Dritan Prifti. Kjo është një provë tjetër e pa kundërshtueshme, që siç u tha, mbështet vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit dhe tregon gjithashtu për interesimin e të pandehurit për këtë koncesion dhe ndërhyrjen e tij në favor të kompanisë që përfaqësohej nga Agim Rrapaj”. Kolegji Penal çmon të theksojë se, lidhur me origjinalitetin, paprekshmërinë dhe kuptueshmërinë e videoregjistrimit gjatë gjykimit, u bë e nevojshme marrja e një mendimi shkencor nëpërmjet realizimit të një ekspertimi me specialistë të fushës informatike dhe teknologjisë audio. Ky ekspertim u realizua me një grup ekspertësh dhe akti i ekspertimit iu nënshtruar debatit gjyqësor, ku palët, si përfaqësuesit e organit të akuzës ashtu edhe mbrojtësit e të pandehurit, i kanë drejtuar pyetje grupit të ekspertëve, në përfundim të të cilit Kolegji Penal vendosi ta pranojë si provë dhe administrojë në fashikullin e gjykimit. Akti i ekspertimi dhe shtesa e aktit të ekspertimit, pasi parashtron shpjegime të hollësishme teknike lidhur me pyetjet e shtruara nga gjykata dhe nga palët në proces, mes të tjerave arrin në përfundimin se: në objektin e ekspertimit provë materiale “orë“ nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video; nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes, shkarkimit në lap-top videoja e bisedës Meta-Prifti; nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë në kuptim të fshirjes dhe montazhit audio tek C:Users/Dritan Prifti/100DSCIM/PICT0008.avi; në file-n objekt ekspertimi të gjetur në lap-top ka shumë anomali të pashpjegueshme të ndodhura në një hapësirë të shkurtër kohe, nga analiza e grafikëve të fuqisë audio të bisedës Meta-Prifti rezulton se ajo është nga -3.1 db deri në -9.2 db dhe është në pjesë të veçanta e pakuptueshme për veshin e njeriut, kopja që u përftua nga filtrimi nuk solli përmirësime të dukshme për sa i përket dëgjueshmërisë dhe kuptueshmërisë. Pjesët që para filtrimit ishin të pakuptueshme mbeten të tilla edhe pas filtrimit. Sipas ekspertëve, kuptimi teknik i autenticitetit në fushën e teknologjisë së informacionit është që informacioni i transmetuar nga dhënësi tek marrësi të jetë identik, origjinal. Për të garantuar këtë origjinalitet, përdoren teknika nga më të ndryshmet, si p.sh. vulat dixhitale dhe enkriptimi me çelësa dixhitalë. Bazuar në konkluzionet e ardhura nga ekpertët, Kolegji Penal vlerëson se materiali audioviziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal. Në këtë material audioviziv u vërtetua mundësia dhe probabiliteti i lartë i ndërhyrjeve në përmbajtje si rezultat i anomalive të pashpjegueshme. Ndërkohë që cilësia e tij është nën nivelin shkencor të kuptueshmërisë së përmbajtjes së tij. Mbi këtë bazë, Kolegji Penal vjen në përfundimin se ky material, me përmbajtje një regjistrim audioviziv ku pretendohet të përmbahet një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti, nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për tu konsideruar provë materiale, nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet se mund të përmbahen në të. Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruar e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta, ky i fundit ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme dhe ti ofrojë dëshmitarit Dritan Prifti një shpërblim prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve të subjektit Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., për të favorizuar këtë subjekt në fitimin e konkurrimit publik për dhënien me konçesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë. Sipas kërkesës për gjykim, argumentave, kërkesave e provave të paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, si edhe në diskutimin përfundimtar, nga ana e prokurorëve u parashtrua se rezulton e vërtetuar që, në bisedën e datës 01.03.2010, i pandehuri Ilir Meta i ka kërkuar dëshmitarit Dritan Prifti të favorizojë Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a, në ankandin për shitjen e një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a., duke i ofruar edhe një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion USD, për ti ndarë së bashku. Por gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Kolegji Penal vëren se vetëm dëshmitari Dritan Prifti bën deklarime sipas të cilave, në bisedën e tij të datës 01.03.2010 me të pandehurin Ilir Meta, çështje tjetër e diskutuar mes tyre ka qenë ajo e ecurisë së procedurave të ankandit të shitjes së një sasie nafte nga “Albpetrol” sh.a., si dhe ndërhyrja e hapur për të favorizuar në këtë garë Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a., me aksioner të vetëm shtetasin Bekim Halilaj, një mik i afërt i të pandehurit Ilir Meta dhe i LSI-së, nëpërmjet shtyrjes dhe anullimeve të datave të ankandit për shkak të frikës nga konkurenca dhe kërkimit të avantazheve (marrjes me qira të një rafinerie të “ARMO” sh.a.), madje kundrejt një përfitimi prej 1 milion USD për tu ndarë mes dy bashkëbiseduesve. Kështu, në dëshminë e dhënë në seancë gjyqësore, dëshmitari Dritan Prifti ka shpjeguar se: “Zoti Meta, gjatë takimit në zyrën time, më kujtoi se çfarë,... më kujtoi që të zbatoja ato që kishim biseduar në lidhje me ankandin e naftës, në lidhje me fitimin e këtij ankandi nga miku i tij Bekim Halilaj. Unë, me sa mbaj mend, ai kërkonte anullimin e ankandit në atë periudhë sepse mendohej që zoti Halilaj nuk ishte i sigurt për fitoren e këtij ankandi dhe kërkonte shtyrjen e ankandit dhe unë, për të mos qenë kundërshtues dhe për mos të lënë hapësira që ai ta kuptonte që ishte duke u regjistruar, thashë, po do ta bëj, ai nguli këmbë, tha: Mbaroje pse nuk e mbaron? anulloje, pse nuk e anullon?........Në këtë takim ai ka kërkuar që të anullohej ankandi....ku “Albpetroli”....i kishte dërguar ftesë...pothuajse të gjitha kompanive që kishin leje të bënin këtë lloj aktiviteti në Shqipëri.... kam idenë që zoti Halilaj për shkak se ishte firmë e re...mendonte që do të kishte konkurencë të madhe aty dhe për shkak të kësaj konkurence nuk kishte mundësi ta fitonte këtë ankand.....zoti Meta më kishte porositur dhe mua, kishte plan që zoti Halilaj të bënte një marrëveshje me rafinerinë “Armo” që nafta që mund të fitohej nga ankandi i “Albpetrol” ti shitej, pra të shkonte dhe të përpunohej në rafineri dhe nëse kjo marrëveshje do të bëhej sigurisht që zoti Halilaj, kompania e tij, do të kishte përparësi për të fituar ankandin.... Ka pasur një specifikë që është shumë e vështirë eksporti i naftës bruto, sepse nuk ka shumë kapacitete depozitash portuale për ta stokuar dhe pastaj eksportuar me anije....në qoftë se dikush kishte një marrëdhënie ekskluzive, apo sidoqoftë me rafinerinë kishte avantazh shumë të madh në krahasim edhe me të tjerët......në këtë rast zoti Meta kërkoi anullimin sepse kompania atëhere nuk e kishte arritur marrëveshjen me “Armo”n......Për ankandin e naftës, gjatë bisedës në zyrën time, nuk kam pasur ndonjë ofertë prej zotit Meta, por dua të sqaroj që kjo bisedë mund të jetë bërë me dhjetëra herë dhe ofertën prej zotit Meta e kam pasur një herë në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme dhe një herë gjatë një dreke në Hotel Rogner. Është ofruar 1 milion dollarë për tu ndarë në fakt mes meje dhe zotit Meta, jo drejtpërdrejt për mua nga kjo punë.......”. Po kështu, dëshmitari Dritan Prifti, shpjegon në dëshminë e tij se: “Me zotin Halilaj ...jam takuar...në zyrën time, në zyrën e zotit Meta në Ministrinë e Jashtme, në Hotel Rogner, mbase disa herë....Në disa raste vetëm me atë, në disa raste me atë dhe zotin Meta......Bisedat kanë qenë pothuajse gjithmonë në lidhje me ankandet e naftës në “Albpetrol”......I kam thënë merr pjesë, në qoftë se je brenda kërkesave dhe brenda ligjit ti fitosh....”. Nga ana tjetër, në dëshminë e dhënë para gjykatës, dëshmitari Bekim Halilaj, në thelb mohon njohjen e thellë me të pandehurin Ilir Meta. Perkundrazi pohon se njohjen e thellë dhe të gjatë e kishte me dëshmitarin Dritan Prifti. Po kështu, dëshmitari Bekim Halilaj mohon edhe ankesën a ndërhyrjen e tij tek i pandehuri Ilir Meta deri në muajin Mars 2010. Dëshmitari Bekim Halilaj pohon se vetëm në qershor 2010, duke e takuar rastësisht i është ankuar të pandehurit Ilir Meta për sjelljen dhe qëndrimet e padrejta të dëshmitarit Dritan Prifti në këtë proces ankandi të shitjes së naftës bruto nga “Albpetrol” sh.a. Dëshmitari Bekim Halilaj, mes të tjerave, deklaroi në gjykim se: “...duke u nisur nga njohja që kisha me zotin Dritan Prifti kam biseduar shumë herë me të përpara se të fillonte ankandi, duke qenë se jam njohës i mirë i fushës së hidrokarbureve....Mu kërkua nga ministri i asaj kohe për të paraqitur një kërkesë me shkrim në Ministri......Në dhjetor 2009 prita përgjigjen... pas një muaji më thërret dhe më thotë: Kjo duhet bërë me ankand...brenda rregullave.... Në ankandin e datës 01.03.2010 u paraqitëm.....Për fat ishim vetëm neve në sallën ku zhvillohej ankandi....na thonë ankandi u anullua. Në bazë të një shtojce të datës 26 shkurt... kompania ime nuk e kishte marrë......komisioni nuk më ka dhënë asnjë shpjegim pse u anullua ankandi....U paraqitëm në datën 10 Mars.....nuk ishte asnjë kompani tjetër...na thonë u anullua prapë.......Duke u nisur nga kjo, në të dyja ankandet isha i vetëm dhe meqënëse nuk më dhanë asnjë përgjigje iu drejtova prapë zotit ministër nëpërmjet telefonatave që kishim të dy bashkë dhe nuk më dha asnjë shpjegim....Me shtetasin Dritan Prifti jo vetëm jam njohur por dhe kam qenë mik....qysh në vitin 2003.....me kërkesën e Dritan Priftit kam ardhur, kam hapur aktivitetin në Shqipëri........Edhe shtetasin Ilir Meta e njoh si një njeri politikan...jam takuar o në Shkup o në Athinë....rreth këtyre viteve, por në rrethana krejt të ndryshme njërin me tjetrin.......nuk kisha unë arsye ti kërkoja ndihmë shtetasit Ilir Meta kur njihja ministrin direkt të asaj pune dhe kur unë paraqitesha i vetëm në ankand dhe nuk i merrja... Në asnjë mënyrë nuk kam folur me Ilir Metën për punë ankandi.... Vetëm kur jam takuar njëherë në rrugë, duke konsideruar që ministri i linjës ishte i partisë ku drejtonte Ilir Meta, rastësisht se unë jetoja në Rogner... i jam ankuar në linjë partie... jo si ndihmë personale...Ka qenë rreth muajit qershor... Dëshmitari Bekim Halilaj në dëshminë e tij pohon se ishte interesuar për marrjen me qira të një rafinerie nga Shoqëria “Armo” sh.a. dhe takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të saj, shtetasin Rezart Taçi : “.....Telefonin e Rezartit e kam vetë dhe ka folur direkt...kam bërë një herë një kontakt.... me zotin Rezart Taçi, i kam ofruar që a ishte i interesuar për të dhënë një nga rafineritë me qira, nuk ramë dakord për çmimin....dhe e kemi mbyllur këtu”. Nga ana e tij, edhe dëshmitari Rezart Taçi pohon se e njeh shtetasin Bekim Halilaj, i cili i “...ka kërkuar një takim nëpërmjet miqve të përbashkët. Ka kërkuar bashkëpunim me Kompaninë “Armo” duke kërkuar me qira njërën nga rafineritë e kësaj kompanie....si sipërmarrës në fushën e hidrokarbureve...Nga informacioni që kam në atë periudhë, i përgjithshëm, sipërfaqësor, mendoj që nuk kishte kapacitetin për të operuar me një nga rafineritë tona”. Dëshmitari Rezart Taçi pohoi se nuk e kishte pranuar propozimin e Bekim Halilajt për marrjen me qira të një rafinerie dhe deklaroi se nuk kishte biseduar ndonjëherë me të pandehurin Ilir Meta dhe Dritan Priftin për shtetasin Bekim Halilaj. Mbi pyetjen e prokurorit nëse janë takuar të tre së bashku, i pandehuri Ilir Meta, shtetasi Dritan Prifti dhe ai vetë, dëshmitari Bekim Halilaj iu përgjigj se nuk mban mend nëse janë takuar ndonjëherë të tre bashkë, ndoshta mund të ketë ndodhur me ndonjë delegacion. Në gjykim, në dëshminë e tij, lidhur me rrethanën nëse ka patur telekomunikime me të pandehurin Ilir Meta në këtë periudhë, dëshmitari Bekim Halilaj deklaroi se: “Nuk më kujtohet, por për punë ankandi nuk kam folur me zotin Meta, përjashtuar atë rastin kur jam takuar në Rogner.” Prandaj, për të njëjtat arsye dhe shkaqe, Kolegji Penal vjen në përfundimin se, ky material me përmbajtje një regjistrim audioviziv ku pretendohet të përmbahet edhe një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti lidhur me një ankand të shitjes së naftës bruto nga “Albpetrol” sh.a., nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për tu konsideruar provë materiale, nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit penal që pretendohet se mund të përmbahen në të. Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruar e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta të jetë biseduar në lidhje me ecurinë e një ankandi për shitjen e naftës bruto nga “Albpetrol” sh.a., për të ndikuar që në këtë procedurë të favorizohej padrejtësisht subjekti “Halilaj Holding Group” sh.a. dhe përkundrejt një përfitimi të paligjshëm në shumën 1 milion USD për tu ndarë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti. Duke patur parasysh analizën dhe çmimin e provave të pranuara për shqyrtim sikurse u parashtrua më sipër, Kolegji Penal vlerëson se, për të ardhur në përfundimet e tij për zgjidhjen e çështjes, është vendi për të analizuar dispozitat konkrete të ligjit material e procedural penal të zbatueshme në procedimin penal objekt i këtij gjykimi. Paraprakisht, Kolegji Penal vëren se Prokuroria e Përgjithshme, në kërkesën për gjykim dhe në qëndrimin e mbajtur edhe në diskutimin përfundimtar, shprehet se nga hetimi dhe gjykimi rezulton e provuar që i pandehuri Ilir Meta, duke kryer veprime direkte, i ka premtuar dhe propozuar një funksionari të lartë shtetëror, shtetasit Dritan Prifti, përfitime të paligjshme në shuma parash në dorë dhe përfitimin e 7% të aksioneve. Pra, sipas qëndrimit të akuzës, i pandehuri Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ka kërkuar që gjykata të japë një vendim dënimi ndaj tij me 2 vjet burgim dhe 1 milion lekë gjobë. Nga ana tjetër, gjatë gjithë shqyrtimi gjyqësor dhe në diskutimin e saj përfundimtar, avokatët mbrojtës të së pandehurit Ilir Meta, në thelb, kanë qëndrimin se, në këtë procedim penal, bëhet fjalë vetëm për një pretendim imagjinar dhe rrethana të sajuara qëllimisht nga dëshmitari Dritan Prifti, për të krijuar prova që në të vërtetë nuk ekzistojnë, në mënyrë që të krijojë bindjen mbi ekzistencën e një fakti që sipas ligjit përbën vepër penale: nga i pandehuri Ilir Meta janë kryer veprime dhe janë bërë përpjekje për të favorizuar dy subjekte në konkurime të ndryshme publike dhe janë ofruar shpërblime ndaj funksionarit publik për të kryer veprime a mosveprime, me qëllim favorizimin e atyre subjekteve në garë publike me vlera dhe interesa të konsiderueshme ekonomike e financiare. Prandaj, bazuar në nenin 388, pika 1, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale, përfundimisht mbrojtja kërkon nga gjykata deklarimin e pafajshëm të së pandehurit Ilir Meta sepse fakti nuk ekziston. Bazuar në vlerësimin dhe çmimin e provave të pranuara dhe debatuara në seancë gjyqësore, përsa i përket episodit, faktit të ofrimit të përfitimit të parregullt material prej 700 mijë eurosh dhe 7% të aksioneve të Bashkimit të Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., kundrejt favorizimit të këtij subjekti në konkurimin për dhënien në koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë, Kolegji Penal vëren se: vërtetohet se subjekti aktiv është i pandehuri Ilir Meta, të cilit i atribuohet kryerja e veprës penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal; vërtetohet se subjekti pasiv është shtetasi Dritan Prifti, i cili në kuptim të dispozitës së nenit 245 të Kodit Penal është funksionar i lartë shtetëror, deputet dhe ish ministër, për të cilin i pandehuri Ilir Meta akuzohet se i ka ofruar përfitime të parregullta për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tij: nisur nga akuza e ngritur dhe vepra që pandehet se ka kryer i pandehuri Ilir Meta, vërtetohet në gjykim se cili është objekti që pandehet se cënohet: marrëdhëniet që sigurojnë rregullshmërinë, autoritetin dhe besimin publik ndaj funskionarëve të lartë shtetërorë. Por, bazuar në vlerësimin dhe çmimin e atyre provave që u pranuan dhe debatuan në seancë gjyqësore, Kolegji Penal vëren se, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, nuk u arrit të provohet që i pandehuri Ilir Meta ti ketë ofruar e premtuar shtetasit Dritan Prifti përfitime të parregullta, sikurse u pandeh, në shumën 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve të aksioneve të Bashkimit të Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., me qëllim që shtetasi Dritan Prifti të kryente veprime të lidhura me funksionin e tij për të favorizuar subjektin juridik të sipërcituar. Bazuar në vlerësimin dhe çmimin e provave të pranuara dhe debatuara në seancë gjyqësore, përsa i përket episodit, faktit të ofrimit të përfitimit të parregullt material në shumën 1 milion USD, përkundrejt favorizimit të subjektit “Halilaj Holdin Group” sh.a. në konkurimin, ankandin për shitjen e 50 mijë MT naftë bruto organizuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a., Kolegji Penal vëren se: vërtetohet se subjekti aktiv është i pandehuri Ilir Meta, të cilit i atribuohet kryerja e veprës penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal; vërtetohet se subjekti pasiv është shtetasi Dritan Prifti, i cili në kuptim të dispozitës së nenit 245 të Kodit Penal është funksionar i lartë shtetëror, deputet dhe ish ministër, për të cilin i pandehuri Ilir Meta akuzohet se i ka ofruar përfitime të parregullta për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tij; nisur nga akuza e ngritur dhe vepra që pandehet se ka kryer i pandehuri Ilir Meta, vërtetohet në gjykim se cili është objekti që pandehet se cënohet: marrëdhëniet që sigurojnë rregullshmërinë, autoritetin dhe besimin publik ndaj funskionarëve të lartë shtetërorë. Por, bazuar në vlerësimin dhe çmimin e atyre provave që u pranuan dhe debatuan në seancë gjyqësore, Kolegji Penal vëren se, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, nuk u arrit të provohet që në bisedën e zhvilluar në datën 01.02.2010 midis shtetasit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta të jetë diskutuar lidhur me ankandin e shitjes së naftës dhe favorizimin e “Halilaj Holding Group” sh.a. në atë ankand, as edhe që të jenë ofruar 1 milion USD përfitim, me qëllim që shtetasi Dritan Prifti të kryente veprime të lidhura me funksionin e tij për të favorizuar subjektin juridik “Halilaj Holding Group” sh.a. Kolegji Penal, pas shqyrtimit të akteve procedurale dhe vlerësimit të provave të marra dhe debatura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, arrin në përfundimin se nuk jemi përpara rasteve të parashikuara nga neni 387 i Kodit të Procedurës Penale sipas të cilave gjykata vendos pushimin e çështjes. Kolegji Penal nuk krijoi bindje se në gjykim u vërtetua që i pandehuri Ilir Meta të ketë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, për të cilën ndaj tij ishte ngritur akuza nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe u kërkua deklarimi fajtor i tij për kryerjen e kësaj vepre penale. Kolegji Penal, pasi shqyrtoi dhe çmoi tërësinë e provave të pranuara dhe verifikuara në gjykim dhe pasi i analizoi ato në raport me ligjin procedural dhe material të zbatueshëm, vjen në përfundimin se nuk mund të krijohet bindje mbi ekzistencën e faktit në kuptimin penal, pra që i pandehuri Ilir Meta, me sjelljen e veprimet e tij si dhe me bisedat e zhvilluara, ti ketë ofruar shtetasit Dritan Prifti shpërblime e përfitime materiale, me qëllim që ky i fundit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij publike, të favorizonte dy subjekte të caktuara, të afërta me të pandehurin Ilir Meta, në dy konkurime të ndryshme publike: dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë dhe shitjen me ankand të një sasie prej 50 mijë MT naftë bruto të Shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Duke qenë se, sipas parimeve e normave kushtetuese dhe atyre të ligjit procedural penal, ardhja nga gjykata në përfundimin se fakti penal që i atribuohet të pandehurit nuk vërtetohet se ekziston, sjell natyrshëm disponimin e gjykatës për deklarimin e pafajshëm të së pandehurit. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi deklarimin e pafajshëm të së pandehurit Ilir Meta. Ky vendim është i formës së prerë. Shpallur në Tiranë, në datën 16 Janar 2012”.

Mendim paralel

Gjyqtari Ardian Dvorani, mes të tjerave shprehet se “Si gjyqtar në pakicë, në këtë vendim të ndërmjetëm kam mendimin se veprimi për caktimin e ekspertëve të huaj ishte i rregullt dhe aktet e ekspertimit të përpiluara prej tyre ishin të vlefshme dhe të pranueshme. Po kështu, provat që iu nënshtruan këtij ekspertimi dhe provat që u evidentuan si rezultat i ekspertimeve ishin të përdorshme. Ekspertët ishin persona posaçërisht të specializuar dhe me përvojë të gjatë e të spikatur në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar për informatikën ligjore dhe atë audio-video, zyrtarisht të njohur dhe angazhuar pranë autoriteteve hetimore e gjyqësore të shteteve të tyre. Edhe në çështjen objekt gjykimi, organi i prokurorisë thjesht ka çmuar se, për natyrën dhe objektin e ekspertimit, shtetasit e huaj Glenn Bard dhe Adrian Philips përmbushnin kriteret tekniko-profesionale për realizimin e ekspertimit. Ata ishin të super kualifikuar për këtë qëllim. Edhe eksperti britanik, i kërkuar për filtrimin e audios së materialit objekt ekspertimit, mbi të njëjtat standarte, e ka përmbushur detyrën e tij të ekspertimit duke prodhuar e dërguar materialin e filtruar audio, mbi të cilin nga ana e prokurorisë janë kryer disa veprime e akte transkriptimi të përmbajtjes së bisedës. Dy nga ekspertët i përkisnin fushës së informatikës dhe elektronikës, me përvoja të ndryshme por gjithsesi modeste në mësimdhënie e pa asnjë specializim dhe përvojë në fushën e informatikës ligjore e në atë të ekspertimit të zhurmave, ndërhyrjeve e të filtrimit audio-video. Eksperti i tretë ishte një person i aktivizuar pranë një zyre private ekspertimesh me një kualifikim afatshkurtër në filtrimin audio dhe me përvojë historike modeste në këtë fushë ekspertimi. Grupi i ekspertëve, me ndonjë përjashtim, nuk arrin të sqarojë e shpjegojë shkencërisht se çfarë ka ndodhur dhe përse ka ndodhur, por evidenton e bën fjalë thjesht e vetëm për mundësi dhe probabilitete, madje të pakufizuara për ndërhyrje, për anomali dhe fenomene jo normale, madje të pashpjegueshme për ta, duke i munguar përfundimet afirmative e kategorike për detyrat dhe pyetjet e shtruara për zgjidhje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›