E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harbuzi vërshohet nga ofertat

Ndarja e Labinot Harbuzit me Genclerbirligin tashmë është vetëm çështje kohe. Mesfushori kosovar ka treguar se për të interesim kanë shprehur disa skuadra italiane, spanjolle e franceze. 25 vjeçari i sugjeron klubit turk të mos e pengojë lëvizjen e mundshme gjatë dimrit, sepse në verën e ardhshme Genclerbirligi mund të mos e përfitojë asnjë cent nga ai.

Nëse jo gjatë këtij dimri, atëherë në verën e ardhshme Labinot Harbuzi pritet të ndahet me Genclerbirligin. Futbollisti kosovar prej tri vitesh është pjesë e klubit turk, në të cilin ishte transferuar nga Malmo qysh në vitin 2009.

Mirëpo, kontrata e tij me Genclerbirligin do të skadojë në qershor të vitit të ardhshëm. Kështu, gjatë afatit kalimtar veror mesfushori pritet ta sprovojë vetën në ndonjë kampionat më të fortë sesa ai i Turqisë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Harbuzi. Kosovari me pasaportë suedeze ka konfirmuar se për shërbimet e tij tashmë interesim kanë shprehur skuadra nga Italia, Spanja dhe Franca.

“E di se tashmë për mua interesim kanë shprehur klube nga Italia, Spanja dhe Franca”, ka deklaruar Harbuzi për mediat suedeze, por pa i përmendur emrat e skuadrave që e duan kosovarin.

Madje, 25 vjeçari thotë se nëse ndonjë klub tjetër shpreh interesim serioz për të gjatë këtij afati kalimtar të dimrit, Genclerbirligi nuk duhet ta pengojë të ndërrojë mjedis para kohe.

Prishtinasi thotë se në këtë mënyrë edhe Genclerbirligi do të mund ta përfitonte ndonjë shumë parash nga shitja e tij, sepse, në të kundërtën, gjatë verës së ardhshme ai mund të ndërrojë mjedis si futbollist i lirë, me ç’rast turqit mund të mbesin pa e fituar asnjë cent nga transferimi i tij.

“Unë nuk mendoj se ata do të më ndalojnë, nëse në adresën time vjen ndonjë ofertë e mirë gjatë këtij dimri apo në verën e ardhshme. Por, varet se nga cila skuadër vjen oferta. Më shumë do të preferoja të luaja në një ekip të një niveli jo shumë të lartë e për të luajtur rregullisht sesa në një top klub dhe të luaj me ekipin e dytë”, thotë Harbuzi i cili i pati zhvilluar tri ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Suedisë.

Mesfushori qendror thotë se skuadra turke nuk duhet t’ia zë për të madhe dëshirën e tij që nga Turqia të transferohet në ndonjë ligë më të fortë evropiane. Në fund të fundit, Harbuzi kujton se është njëri prej lojtarëve të huaj që më së gjati ka qëndruar në Genclerbirligi.

“Sigurisht se klubi është shumë mirënjohës ndaj meje, sepse unë kamë qëndruar shumë gjatë në këtë klub. Ndoshta jam lojtari i vetëm i huaj që kam qëndruar më së shumti këtu. Prej kur kam ardhur në Genclerbirligi, të gjithë shtatë-tetë lojtarë tjerë të huaj janë larguar, ndërsa vetëm unë kam mbetur këtu”, pohoi Harbuzi, paraqitjet e të cilit kishin çmendur gjigantin turk Galatasarayn, oferta e të cilit ishte refuzuar nga Genclerbirligi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›