I gatshëm ta drejtojë Kombëtaren

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po vazhdon të kërkojë trajnerin e ri, i cili do ta drejtojë Kombëtaren shqiptare pas shkëputjes së kontratës me trajnerin kroat Josip Kuzes.
Ndër kandidatët për pasardhës të 58 vjeçarit është edhe ndihmëstrajneri i klubit mbretëror belg Anderlecht, Besnik Hasi. Ish futbollisti kosovar është i gatshëm ta drejtojë ekipin kuqezi nëse i jepet kjo mundësi.
“Për mua është një nder i madh që emri im qarkullon për stolin e Kombëtares shqiptare. Nëse kjo do të realizohej, do ta pranoja me dëshirë të madhe këtë detyrë, e cila do të ishte një nder”, ka thënë Hasi në një intervistë për televizionin shqiptar Klan.
Ish futbollisti i Kombëtares shqiptare mendon se ekipi kuqezi duhet të punojë me projekte afatgjate. Sipas gjakovarit, në ekip duhen sjellë lojtarë të talentuar dhe gradualisht të ndërtohet një ekipi i fortë.
“Të gjitha shtetet e vogla duhet të punojnë me projekte afatgjate. Pra, të krijohen sa më tepër futbollistë që do të mbajnë barrën e Kombëtares. Unë jam i mendimit që duhet punuar me moshat e reja, duhet t’u kushtojmë kohë atyre lojtarëve që kanë talentin e duhur për të krijuar një ekip të fortë dhe konkurrues në aktivitetin e ardhshëm. Duhet t’i bëjmë hapat një nga një: të mendojmë të bëjmë një hap përpara dhe të evitojmë euforinë që na karakterizon. Duhet të synojmë te rritja e përfaqësueses vit pas viti”, ka theksuar 39 vjeçari.
Në vitet e fundit, ekipi kuqezi është drejtuar nga trajnerë të huaj, si: Giuseppe Dossena, Hans Peter Briegel, Otto Bariç, Arie Haan e Jospi Kuze. Për Hasin këta nuk ishin trajnerë të mëdhenj.
“Në Kombëtaren shqiptare kemi pasur trajnerë të huaj. Për mendimin tim, nuk ishin trajnerët me emrat e mëdhenj që do të na sillnin diçka të jashtëzakonshme. Pozitive ishte se emërimi i trajnerëve të huaj ishte imazhi i Shqipërisë. Por, ata vinin me premtime se do të na kualifikonin”, u shpreh Hasi i cili gjatë karrierës luajti për klube të ndryshme, si: Genk, 1860 München, Anderlecht, Lokeren, Cercle Brugge.
Kandidatë për ta drejtuar Shqipërinë janë edhe slloveni Matjaz Kek, Srecko Katanec dhe holandezi Erwin Komena.