Misioni i pamundur i lidershipit të PS
• Gjergj KojaEshtë një dyshim i keq ky, që fatkeqësisht m’u përforcua teksa dëgjova Mustafa Nanon t’i kërkonte Ilir Metës tek emisioni i Rudina Xhungës dhe përsëri tek emisioni “Opinion”, që të pranonte se qëllimi i projektligjit spanjoll elektoral ishte që të shfaroste LSI dhe partitë e tjera të vogla... Po ta dëgjoja nga Saimir Tahiri, nuk do ta vrisja shumë mendjen, por kur e dëgjon nga Mustafa Nano atëherë fillon e mendon se çështja është më shqetësuese. Në fakt, unë nuk preokupohem fare për fatin thjesht të LSI apo të partive të tjera të vogla, por për disa arsye sipas meje madhore, që janë: E para, tanimë për të gjithë është e qartë dhe të gjithë e kanë kuptuar që ka një marrëveshje Rama-Berisha. Këtë marrëveshje e kanë pranuar që të dy, shqip dhe sipas stilit të vet. Në thelb ajo që më shqetëson nga kjo, është se ky pakt do ta privojë prapë të majtën nga pushteti në 2009-ën, edhe pse e majta e meriton atë. Ky pakt hedh në erë realisht interesat e qindra mijëra shqiptarëve (pra kuptohet jo vetëm të socialistëve) të cilët të papunë apo të rrënuar në bizneset e tyre sot nga ky mentalitet qeverisës, duan patjetër ndryshimin. Arsyeja e dytë që më shqetëson është se Kryetari i PSSH nuk ka mësuar gjë nga historia e hidhur e humbjes politike të PS-së në zgjedhjet e 3 Korrikut 2005. Duke dashur të eliminojë Ilir Metën (ndoshta edhe për shkak të këshillave të liga që merr rreth e rrotull) ai nuk ka nxjerrë mësimin se si mund të fitohen zgjedhjet nga e majta në 2009-ën. Çudi pra, se ndihma që i dha Ilir Meta atij për ta bërë kryetar Bashkie në Tiranë më 2007, i dilte dhe i tepronte për t’i nxjerrë mësimet në fjalë, dhe për të kuptuar mbi të gjitha se ç’ndodh “kur luan me të futur”.Së treti, ky imoralitet politik që po shitet në emër të moralit nga lidershipi PD-PS jo vetëm që nuk e zhduk “Dushkun”, por e bën atë më malinj dhe më keqbërës sesa më 2001 dhe 2005. Dhe po t’i shtosh kësaj listat e mbyllura, atëherë çdo shqiptar që interesohet për fatin e tij dhe që është i vëmendshëm ndaj politikës, ka të drejtë të dyshojë seriozisht se demokracia shqiptare po rivihet sërish në rrezik pas 18 vjetësh, përderisa partitë politike po shndërrohen në parti kryetarësh, të cilëve luksi i listave të mbyllura ua lejon që të fusin në parlament këtej e tutje çdo lloj deputeti me ose pa tatuazh, me ose pa varëse floriri, mjafton që ai të jetë besniku i kryetarit. Natyrisht që lidershipi i PS që gatoi këtë çorbë do të kërkonte të dilte palagur nga puçi që i bëri Metës. Prandaj u hodh në treg teza se arsyeja e irritimit të Ilir Metës ndaj marrëveshjes PD-PS për reformën zgjedhore ishte ambicia e tij e ekzagjeruar për t’u bërë patjetër Kryeministër në 2009?! Por kjo tezë e gatuar keq jo vetëm që nuk bindi askënd që ka veshë të dëgjojë, por në fakt nuk i krijoi mesa u duk asnjë problem edhe vetë Metës. Kjo jo vetëm sepse të gjithë (e në radhë të parë socialistët) e dinë se qeverisja e Metës mbeti më e suksesshmja dhe më karizmatikja e socialistëve, por edhe sepse sot, shqiptarët nuk e kanë hallin se kush do të jetë kryeministër në 2009-ën, por a do të lexohen ashtu siç duhet votat në zgjedhjet e 2009-ës, për të cilat e djathta është përgatitur për t’i marrë si i do vetë, madje kohët e fundit edhe pa dhunë. Përveç kësaj shtrohet pyetja: Kush ka frikë nga Ilir Meta kryeministër? Socialistët e vërtetë jo, sepse Meta ka dhënë prova që këta socialistë i mban gjatë në pushtet.Në fakt ky konflikt PS-LSI që rrezikon t’i mbajë socialistët larg nga pushteti ishte gafa e radhës e lidershipit të PS-së që pasoi gafën e parë të madhe të Ramës që ishte ndarja e PS-së në “politikë të re dhe politikë të vjetër”. Kjo gafë përjashtoi nga PS-ja përgjatë afro 1 viti e gjysmë me mijëra socialistë në të gjithë Shqipërinë, që për afro 15 vjet ishin mësuar t’i thonin gjërat troç brenda PS-së, edhe kur kjo nuk i pëlqente kryetarit dhe sot për ironi të fatit për shkak të kësaj ndarje në “politikë të re dhe të vjetër” shohim të rreshtuar në piedestalin e politikes së re Gramoz Ruçin, Kastriot Islamin, Fatmir Xhafën, Servet Pëllumbin e të tjerë emra që shqiptarët i njohin mirë. Tani armiku i radhës i politikës së re doli Ilir Meta dhe LSI!!Në fakt, po të shikojmë përtej halleve tona të përditshme do të kuptojmë që kjo është vërtet e rrezikshme për demokracinë dhe të shtrojmë me vend pyetjen se ku po shkohet kështu? Berisha vazhdon të heshtë shumë i kënaqur. Rama vazhdon të prononcohet shumë i qetë dhe i vendosur për ta çuar deri në fund këtë marrëveshje... Që të dy e kanë të qartë efektin politik të asaj që po bëjnë. Por që të dy do të vazhdojnë të jenë të justifikuar përsa kohë do të mbulohen nga varianti elektoral i Kastriot Islamit (ky i fundit nuk e ka për herë të parë këtë rol).Atëherë ç’do të ndodhe nëse kjo marrëveshje PD-PS do të çohet deri në fund? Pra ç’do të ndodhë nëse pragu elektoral mesatar për çdo rajon elektoral do të jetë 11.3%? Mund të ndodhin në fakt shumë gjëra: mund të shkojnë në shtëpi përfundimisht disa kryetarë partish aktualisht parlamentare; mund të reduktohet në mënyrë sinjifikative pluralizmi politik në parlament pas 2009... etj. Por nëse Ilir Meta i shkon deri në fund taktikës “gjithçka ose asgjë” që ka zgjedhur tani, të cilën ia imponoi marrëveshja e dy të mëdhenjve, atëherë në Shqipëri pas një viti e gjysmë me shumë mundësi mund të kemi një të djathtë, një të majtë të Ramës dhe një të majtë të Metës. Ndërkohë askush nuk mund të përcaktojë përmasat e hemorragjisë politike nga PS-ja e Ramës te PS-ja e Metës. Dhe nëse pas një viti e gjysmë ndodh kështu, atëherë Rama nuk do të mund të vijë në pushtet pa Metën. Prandaj misioni politik i Ramës do të kthehet në “mission impossible” për të tijtë. Deri atëherë PD-ja do të qeverisë e pashqetësuar, pa e vrarë mendjen nëse e meriton apo jo këtë pushtet.