Një dëshmi e rastit
Në vitin 2004 kam qenë anëtar i jurisë, të nominuar nga Ministria e Kulturës, dhe po e ndjej të nevojshme të jap shkurt këtë dëshmi.
Nuk më kujtohet cila ishte arsyeja, por në juri u thirra me vonesë. Në mbledhjen e parë për mua, veçse jo për jurinë, propozova që atë vit Penda e Artë t’i jepej Frederik Rreshpes. Motivi: për spikamën e veçantë letrare. Dhe nxitja tjetër: edhe për vëmendje humane, mbasi aso kohe, sipas shenjave, jeta e tij po shkonte drejt fundit.
Me gjasë, vendimi për atë pallaskën e artë ishte marrë tashmë. Nuk votova kundër, duke menduar se nuk isha aty për të refuzuar vlera, por për t’i seleksionuar ato. Sidoqoftë, meqë krahas Frederikut isha përpjekur të tërhiqja vëmendjen edhe për dy poetë të tjerë, lirikë të shquar dhe tashmë në moshë të shtyrë, kërkova që propozimet e mia të mbaheshin shënim.
Nuk vonoi dhe Frederik Rreshpja mbylli sytë. Ai që është quajtur Zogu i shiut, iku pa Pendën e Artë. Kurse ne, egoistëve mizorë, prapë s’na bien pendët. Me një letërsi mesatariste, me ca famë boshe dhe ca pupla të zgërlaqura, pandehim se kapim qiejt. Zot, mos na i fal mëkatet, se kur na i fal, në vend të bëhemi më të mirë, bëhemi edhe më te verbër! (Z.Ç.)
3 Gusht 2009