E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohen të pastrehët

-Rrëzohet kërkesa e Transporteve për strehimin -Administrata, shtim fondesh për paga, dieta dhe udhëtime

Fillimi i hartimit të buxhetit elektoral ka sjellë që ministritë të nisin me vrap kërkesat për rritje të shpenzime operative, ku më të larta janë ato për rritjen e pagave. Një mori ministrish kanë kërkuar rreth 72 miliardë lekë për investime, por më shumë se gjysma e tyre nuk janë të justifikuara. Konkretisht, bëhet fjalë për ministri të cilat kanë treguar ecuri të dobët të realizimit të investimeve. Përveç kësaj, mjaft ministri kanë kërkuar fonde shtesë për punonjësit. Kështu, Ministria e Ekonomisë dhe e Tregtisë ka kërkuar rreth 680 milionë lekë shpenzime për shtesë stafi, shlyerje detyrimesh dhe për studime të ndryshme. Në buxhetin e vitit 2009, fonde shtesë për pagat kanë kërkuar edhe institucionet e pavarura. Një shkresë e tillë ka mbërritur në Ministrinë e Financave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku ky i fundit për pagat e punonjësve ka kërkuar një fond prej 204.456.000 lekësh. Në kërkesën e tij, KLSH argumenton se shtesa nevojitet për rritjen e numrit të punonjësve, në mënyrë që të përfundojnë në kohë programet e tyre. Po ashtu, ky institucion ka kërkuar edhe një fond në masën 69.000.000 lekë, për plotësimin e nevojave të institucionit, për shpenzime udhëtimesh e dietash brenda e jashtë vendit. Kërkesa për fonde kanë paraqitur edhe Ministria e Bujqësisë, e cila ka kërkuar rreth 1,2 miliardë lekë për sigurinë ushqimore, menaxhimin e infrastrukturës dhe kullimit, por edhe për zhvillimin rural. Po shumë nga kërkesat janë hedhur poshtë nga Ministria e Financave, për faktin se nuk ishin të justifikuara. Bëhet fjalë për afro 45 miliardë lekë investime, të cilat nuk do të paraqiten në buxhetin e vitit 2009, ku ministritë, si ajo e Ekonomisë dhe e Tregtisë, ajo e Brendshme, e Bujqësisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Jashtme, ajo Mjedisit dhe e Integrimit, kishin kërkuar për financim shtesë.

Transportet

Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe e Telekomunikacioneve vazhdon të mbetet në qendër të prioriteteve të qeverisë “Berisha”. Të gjitha kërkesat e kësaj ministrie, të parashikuara për buxhetin 2009, konkretisht për rrjetin e rrugëve nacionale, janë miratuar nga ana e Ministrisë së Financave. Janë rreth 22 miliardë lekë investime për rrugët që do të parashikohen në buxhetin 2009, ndërsa rreth 400 milionë lekë të kërkuar nga Olldashi për strehimin dhe urbanistikën nuk janë miratuar. Ndërkaq, Ministrisë së Arsimit i janë miratuar rreth 1,9 miliardë lekë investime për arsimin bazë, konkretisht për ndërtimin e rreth 300 klasave të reja, 90 klasa për t;u rehabilituar etj. Po kësaj ministrie i janë hedhur poshtë rreth 75 milionë lekë fonde, të parashikuara për t’u vendosur në buxhetin e vitit 2009 për shkencat. Edhe Ministrisë së Shëndetësisë i janë miratuar vetëm një pjesë e fondeve që do të përdoren për vitin 2009. Kështu, kësaj ministrie i janë miratuar 170 milionë lekë investime për shërbimet e kujdesit parësor, ku brenda përfshihet edhe rimbursimi i 375 medikamenteve, ndërsa është hedhur poshtë kërkesa për financimin e disa projekteve të shërbimit të kujdesit dytësor, me vlerë rreth 2 miliardë lekë. Një tjetër prioritet i qeverisë, rritja e mbështetjes për sigurimet shoqërore, konkretisht transferimi për buxhetet familjare nga sigurimi shoqëror i detyrueshëm, për afro 2 miliardë lekë, ka marrë miratimin e Financave. Ky fond do t’i shtohet buxhetit të vitit 2009 të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. një pjesë fondesh shtesë në buxhetin e 2009-ës ka përfituar edhe Ministria e Drejtësisë, e cila me rreth 430 milionë lekë parashikon të përmirësojë sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Rrezohet miratimi i fondit prej 400 milionë lekësh

Të gjitha kërkesat e Ministrisë së Transporteve, të parashikuara për buxhetin e 2009-ës, konkretisht për rrjetin e rrugëve nacionale, janë miratuar nga ana e Ministrisë së Financave. Janë rreth 22 miliardë lekë investime për rrugët, që do të parashikohen në buxhetin 2009, ndërsa rreth 400 milionë lekë të kërkuar nga Olldashi për strehimin dhe urbanistikën nuk janë miratuar. Burime zyrtare pranë Financave thanë për gazetën, se për të pastrehët është paraqitur si zgjidhje ngritja e 1100 apartamenteve, me kredinë e BERZH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›