Politekniku dhe Bujqësori çelin studimet e nivelit të dytë

TIRANË - Këtë vit akademik, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe ai Bujqësor do të hapin programet e studimit të ciklit të dytë. Hapja e këtyre programeve u miratua dje nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit. Programet e studimit do të hapen në disa nga fakultetet e këtyre universiteteve, ku pas përfundimit të tyre studentët do të pajisen me një diplomë të nivelit të dytë, ose master. Fakultetet e Universitetit Politeknik ku do të hapen programet e studimit të ciklit të dytë, do të jetë ai i Inxhinierisë Elektrike dhe i Inxhinierisë Mekanike. Profilet e fakultetit të Inxhinierisë Elektrike ku do të hapen këto programe, do të jenë Automatizimi i Industrisë dhe Energjetika. Në përfundim të këtij programi do të lëshohen këto diploma: diploma të nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Elektrike, profili automatizim i industrisë dhe diplomë e nivelit të dytë, DND, në Inxhinieri Elektrike, profili energjetikë. Ndërsa programet e ciklit të dytë në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të hapen në profilet Energjetikë, Konstruksion Makinash dhe Mjete Lëvizëse, si dhe Prodhim e Menaxhim Industrial. Pasi të kenë përfunduar këtë program, studentët do të pajisen me këto diploma: diplomë e nivelit të dytë në inxhinieri mekanike, me profili energjetikë; diplomë e nivelit të dytë në inxhinieri mekanike, me profil konstruksion makinash dhe mjete lëvizëse, si dhe diplomë e nivelit të dytë në inxhinieri mekanike, me profil prodhim dhe menaxhim industrial. Gjithashtu, për studentët e interesuar, programi i diplomave master do të hapet edhe për programin e studimit Inxhinieri Materiale, në profilet Materiale dhe Metalurgji-Fonderi. Pas përfundimit të këtij programi, studentët do të pajisen me diploma master në profilet që ata kanë zgjedhur. Për sa i përket diplomave master në Universitetin Bujqësor të Tiranës, fakultetet ku do të hapen këto programe janë ai i Bujqësisë dhe i Mjedisit dhe fakulteti i Bioteknologisë dhe Ushqimit. Programet e studimit të fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit ku do të studiohet për diplomat master janë Inxhinieria Agrare me profilet hortiklturë, mbrojtja e bimëve, prodhimi bimor, zooteknikë dhe akuakulturë. Gjithashtu, sipas VKM-së do të akordohen diploma master edhe për programin e studimit Inxhinieri Agromjedisi. Ndërsa në fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, programi i studimit ku do të akordohen diploma master për këtë vit akademik do të jetë Inxhinieria Agroushqimore. Profilet e këtij programi ku do të akordohen masterat janë Vreshtari-Enologji dhe Teknologji Agroushqimore. Në përfundim të këtyre programeve studimore, studentët do të pajisen me diploma të nivelit të dytë master, sipas profileve përkatës. Për të marrë një diplomë master në këto programe studimi, studenti duhet të realizojë 120 kredite, ndërsa koha e zgjatjes së studimeve do të jetë dy vjet.