E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet Muzeu Kombëtar i Pavarësisë

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë

Duket se parapërgatitjet për 100-vjetorin e pavarësisë në vendin e origjinës së tij, ende janë larg apo pa afate të paracaktuara. Pikërisht aty ku ruhen fillesat e historisë, përkujtohet krijimi i themelit të shtetit, ende pritet fondi për ndërhyrje.

Ndërtesa dykatëshe në Skelë, e cila njihet ndryshe si godina e parë ku u formua qeveria shqiptare, sot Muzeu Kombëtar i Pavarësisë, do të ketë një fond “shpëtimi” me një vlerë vetëm 3 milionë lekë të reja këtë 100 vjetor. Stafi që kujdeset për muzeun prej kohësh ka aplikuar për një projekt për ndërhyrjen në godinë, sidomos në pjesën e ballkonit, e cila siç mësohet me zë të ulët, ndoshta rrezikon shembjen. Ndaj edhe në përvjetorin e mëparshëm, u treguan skeptikë për ngjitjen e presidentit të republikës aty. Por ndërsa fondi është premtuar tashmë, ende nuk dihet kur do të vijohet ndërhyrja e sa do të mund të realizohet vetëm me shumën e përcaktuar.

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë

Ndryshe është fasada e një tjetër muzeu në qendër të qytetit, fare pranë Sheshit të Flamurit. Ajo sapo është restauruar, por projekti ka mbetur deri aty jashtë, pasi brenda nevojiten stendat, e në mungesë të tyre objektet muzeale janë vendosur në arka të vjetra, madje deri legenë e magje, kaluar në një gjendje paradoksale të ekspozimit të vlerave muzeale.

Çfarë do ketë këtë 100 vjetor? Ndoshta brenda muzeve shpresat se do të ketë vëmendje ndaj tyre, vijojnë të mbahen gjallë, por realisht janë vetëm letrat e projekteve të cilat mund t’u japin vlerën e duhur materialeve ekspozuese. /A.Peçi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›