E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra pastrohet deri me 20 prill

Vend ku hidhen mbeturinat në qytetin e Shkodrës

Data 20 prill do të jetë afati i fundit për largimin e mbetjeve urbane nga të gjitha njësite vendore në Shkodër dhe për këtë duhet një bashkëpunim mes të gjithë aktorëve. Kjo ka qenë deklarata e prefektes së qarkut të Shkodrës, Voltana Ademi e cila veçmas njëri- tjetrit ka zhvilluar takime me drejtuesit vendorë të tre rretheve të qarkut lidhur me këtë problem. Sipas Ademit problem kryesor mbetet gjetja e një vendi për depozitimin e tyre në territorin ku nuk ka landfild, ndërsa në të gjitha njësitë vendore ku  është caktuar grumbullimi i mbeturinave pranë landfildit të Bushatit depozitimi i tyre do bëhet me çdo kusht aty.

Pavarësisht kësaj, nga bashkia Shkodër e cila akumulon  sasinë më të madhe të mbetjeve urbane në qark nuk ka asnjë reagim për dërgimin e mbeturinave në landfilldin e Bushatit dhe konflikti mes saj dhe komunës Bushat vazhdon të jetë i hapur. Mbeturinat e qytetit vazhdojnë të hidhen tek varrezat e dëshmorëve në periferi ku shpesh dhe digjen, ndërsa që nga dhjetori i vitit të kaluar familjeve shkodrane u merret një shumë prej 500 lekë të reja në muaj për pastrimin, shumë kjo e përfshirë në faturën e ujit të pijshëm. Disa komuna të rrethit të Shkodrës shprehin shqetësim për mungesën e fondeve për pastrimin. Komuna Velipojë dhe Ana e Malit, shprehen se mungon buxheti për  pastrimin e mbetjeve urbane,ndërsa kanë kërkuar mbështetjen e prefekturës për këtë qëllim.

Në takimin e zhvilluar me prefekten Ademi, nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës Ahmet Omi është shprehur se kjo njësi vendore, në bashkëpunim me të gjithë aktorët do të punojë për realizimin e nismës së qeverisë për pastrimin e territorit nga mbetjet urbane. Në prag të sezonit turistik Ademi ka komentuar situatën e pastërtisë edhe në pikat turistike të Velipojës por edhe Shirokës. Prefektja Ademi ka bërë të ditur se do të ketë masa shtrënguese dhe se nuk do të tolerohet me situata të krijuara nga mbetjet. Mbetjet urbane në disa njësi vendore të Shkodrës janë kthyer në  një shqetësim, ku nuk kanë munguar edhe penalizimet e krerëve të këtyre njësive vendore. /A.Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›