E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet plani

Gjatë kohës kur Isa Mustafa synonte të merrte postin e kryetarit të Prishtinës, pati premtuar hartimin e planeve rregulluese dhe urbanistike, për ta shndërruar Prishtinën në një qytet metropolitan.

Kanë kaluar pesë vjet që kur Kuvendi Komunal ka miratuar fazën e dytë të hartimit të 20 planeve rregulluese për kryeqytetin.

Pas miratimit të Planit Strategjik – Zhvillimi Urban i Prishtinës dhe pas hartimit të “Qarkores - Qendra”, është propozuar që të fillojë hartimi i planeve rregullues për disa lagje të tjera të Kryeqytetit.

Në vlerësimin e radhës, organizata Iniciativa për Progres – INPO ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës, lidhur me mosnisjen e hartimit të këtyre planeve.
Sipas kësaj organizate, që nga maji i vitit 2005, Komuna e Prishtinës ka arritur të hartojë vetëm 5 nga 20 planet rregulluese për të cilat është marrë vendim.

“Nga ky vit, e deri në vitin 2009, kur është hartuar dhe miratuar Plani rregullues për lagjen Dardania, Komuna nuk ka hartuar asnjë plan tjetër rregullues. Në vitin 2008 ka rimarrë një vendim për hartimin e disa planeve rregulluese, e që nga ajo kohë ende nuk janë kryer”, thuhet në këtë raport.

“Dy vjet më vonë, shohim se Komuna ka arritur të hartojë vetëm dy plane rregulluese, atë për Zonën Ekonomike dhe tjetrin për Qytezën Pejton, por që të dy këto plane nuk janë miratuar ende nga Kuvendi i Komunës”, vlerëson INPO-ja, duke konsideruar se moshartimi i këtyre planeve rregulluese, ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në mosndalimin e ndërtimeve pa leje.

Përveç të tjerash, INPO-ja ka kërkuar edhe më shumë transparencë nga Komuna, rreth hartimit dhe moshartimit të këtyre planeve, si dhe përshpejtim në dinamikën e punës në hartimin e planeve të mbetura rregulluese për lagjet e caktuara.

“Nga e gjithë kjo punë që është dashur të bëhet dhe nuk është bërë, zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë asnjëherë shpjegime në Kuvend”, thuhet në raportin e INPO-s.
Por, kërkesat e kësaj organizate nuk përfundojnë këtu.

“Duke e parë si alarmuese gjendjen e mjerueshme urbane në kryeqytet, i bëjmë thirrje Komunës që të tregojë më shumë vullnet dhe përgjegjësi kur është fjala për rregullimin urban të qytetit”, thotë ky raport.

Edhe Binak Beqaj, ekspert në fushën e urbanizmit, thotë se arsyeja kryesore që ndërtimet pa leje në Prishtinë kanë marrë një vrull kaq të madh, është mungesa e këtij plani.

“Pa plan për zhvillim urbanistik, nuk mund të bëhen plane për ndërtimin e rrugëve siç po bën Komuna tash”, thekson Beqaj për Express.

Sipas tij, Komuna është dashur të ndërmarrë diçka më herët, sa i përket hartimit të këtij plani urbanistik.

“Sepse tash është shumë vonë që të bëhet diçka e re për qytetin. Është diskutabile nëse ka hapësirë për t’u ndërtuar”, shpjegon eksperti Beqaj.

Ndërkaq, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, të gjitha këto akuza i quan të paqëndrueshme.

“Nuk janë vetëm 5 plane siç thuhet në deklaratën e INPO-s, por janë gjithsej 14 plane që janë miratuar”, shpjegon Gashi për Express.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës në periudhën 2008 -2009 ka marrë disa vendime për qasje të hartimit të planeve rregulluese bazuar në Planin Strategjik Zhvillimor urban 2004-2020 për të gjitha lagjet e Prishtinës.

“Meqë vëllimi i punëve në Drejtorinë e Urbanizmit është voluminoz, ka planifikuar t’i përfundojë planet që janë në procedurë, e më pastaj të vazhdohet me realizimin e planeve”, pohon Gashi.
Sidoqoftë, kjo është e hera e tretë, që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, kjo organizatë ka vlerësuar ritmin e punës së kryetarit të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Realizimi i vendimeve
P. rr. Mati 2 (nuk është hartuar)
P. rr. Qyteti i vjetër (nuk është hartuar)
P. rr. Sofalia (është hartuar)
P. rr. Lakërishte (është hartuar)
P. rr. Dardania (është hartuar)
P. rr. Kodra e Diellit (nuk është hartuar)
P. rr. Mati 3 (është hartuar)
P. rr. Kodra e Trimave 1 (nuk është hartuar)
P. rr. Kodra e Trimave 2 (nuk është hartuar)
P. rr. Arbëria (nuk është hartuar)
P. rr. Lagja e Muhaxhirëve (është hartuar)
P. rr. Zona industriale dhe komerciale (Zona Ekonomike) (është hartuar, pret miratimin)
P. rr. Kalabria 2 (nuk është hartuar)
P. rr. Prishtina e Re (nuk është hartuar, në hartim)
P. rr. Qendra 3 (nuk është hartuar)
P. rr. Lagjja Pejton (është hartuar, pret miratimin)
P. rr. Qendra e Rinisë (nuk është hartuar)
P. rr. Vreshtat (nuk është hartuar)
P. rr. Velania (nuk është hartuar)
P. rr. QKU (nuk është hartuar)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›