E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri flet për sulmin

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, e ka shfrytëzuar rastin që në takim me mediet në komunën e Ferizajt, të flasë edhe për sulmin që i është bërë atij të martën, gjatë një kokteji në objektin e MASHT-it.

“Ishte përpjekje për sulm fizik. Ka qenë një situatë e pakëndshme. Por kjo nuk do të ndikojë asgjë në sjelljen time. Do të vazhdoj të eci lirshëm”, ka thënë ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.

Ai pastaj është shprehur i gatshëm që të flas për këtë rast kurdo që të ketë ndonjë informatë shtesë. “I mbetet policisë që ta hetojë rastin, ndërsa unë do ta informoj publikun për çdo informatë që do të kem rreth këtij rasti”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Duke komentuar raportimet në së paku një medium se sulmi ka motive fetare, ministri i Arsimit është përgjigjur: “Nuk besoj se ka motive fetare. Unë vetëm e zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila edhe i rregullon këto çështje”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke u shprehur i gatshëm që për këto çështje të zhvillohet debat edhe në nivelet më të larta.

Ai kishte zgjedhur komunën e Ferizajt që të niste aktivitetet në kuadër të projektit “Muaji i arsimit lokal”, shkaku që kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili, është edhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës.

Dukej që Ferizaj ishte zgjedhur edhe për faktin se ministri ndjehej i kënaqur që po realizonte një premtim të tij. “Premtimin publik që pata bërë para dy vitesh, sot mund t’ju them se po bëhet realitet. Kanë përfunduar të gjitha procedurat rreth fillimit të ndërtimit të shkollës ekselence për infermieri në Ferizaj, ku do të përfshihen nxënës nga të gjitha viset e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj, duke siguruar udhëheqësit komunalë të Ferizajt se për këtë kishte marrë edhe konfirmimin nga qeveria e Luksemburgut, e cila është donatore e këtij projekti.

“Muaji i arsimit lokal” ka për qëllim nxjerrjen e një bilanci për vitin e përfunduar shkollor dhe për identifikimin e atyre problemeve që duhet përmirësuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›