E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu i kënaqur me ngritjen e kapaciteteve në FSK

Presidenti i Kosovës, njëherit komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fatmir Sejdiu, priti sot komandantin e FSK-së, Sylejman Selimi, dhe një grup oficerësh të rinj të porsagraduar në Qendrën e Studimeve Universitare - Gjenerata 2010.

Presidenti Sejdiu, me këtë rast, e çmoi punën e madhe që po bëhet për ngritjen e potencialeve njerëzore e profesionale të FSK-së.

“Suksesi që kanë treguar këta oficerë të rinj të FSK-së dhe angazhimi juaj i deritanishëm për profesionalizimin e pjesëtarëve të saj është shembulli më i mirë për gjeneratat e ardhshme të vendit”, theksoi Sejdiu, transmeton Zyra e Presidentit.

Ndërsa, gjenerallejtënant Selimi tha se Forca e Sigurisë e Kosovës është zotuar se do t’i kryejë detyrat e veta sipas ligjit dhe se do të angazhohet gjithmonë për të mirën e qytetarëve të vendit.

“Kadetët e FSK-së po bëjnë trajnime jashtë vendit dhe ju siguroj, z. President, se e ardhmja e FSK-së do të jetë e ndritshme”, ka thënë Selimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›