E Diel, 1 Nëntor 2026

Harrojeni 1244-shin, porosit Dell

Ambasadori amerikan në Kosovë, Cristopher Dell, i ka porositur autoritetet e Beogradit që ta harrojnë Rezolutën 1244, si argument për t’u kthyer në Kosovë, sepse pikërisht me këtë rezolutë ka përfunduar qeverisja e Serbisë në Kosovë.

Ai ka shtuar se integrimi evropian është zgjidhja e vetme si për Serbinë, ashtu edhe Kosovën.

Dell i bëri këto komente, sot gjatë një vizite në Shtërpcë, ku ka takuar udhëheqjen komunale, të dalë nga zgjedhjet e Kosovës.

Dell është shprehur se politikanët në Beograd kanë imagjinatë të varfër në trajtimin e realitet të ri në Kosovë. “Zyrtarët në Beograd përmendin ide të ndryshme, por pikërisht këto ide kanë sjellë luftëra në Ballkan”.

Ai i ka rikujtuar zyrtarët e Beogradit se kot e përmendin Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse pikërisht me këtë rezolutë ka përfunduar qeverisja e Serbisë në Kosovë.

Gjatë vizitës së sotme në komunën me popullatë të përzier, ambasadori i SHBA-së ka lavdëruar udhëheqjen e re komunale për guximin. “Për këta muaj është bërë më shumë se për vite me radhë. Udhëheqja e Shtërpcës ka vënë bashkëpunim shumë të mirë edhe me Prishtinën dhe si rezultat i kësaj ka përfituar 1 milion euro ndihmë për ndërtimin e spitalit”, ka thënë Dell.

Kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, ka bërë të ditur se përveç në ndërtimin e spitalit, po punohet dhe në ndërtimin e banesave për 60 familje të zhvendosura dhe në gjendje të keqe sociale.

Ai foli edhe për privatizimin e Qendrës Turistike, proces ky që është problematizuar që prej paslufte. Nikoliq tregoi se një ekip nga Kuvendi Komunal ka qëndruar së fundi në Bullgari, për të parë nga afër modelet e privatizimit atje, në mënyrë që të përgatitet master plani edhe për privatizimin e Brezovicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›