E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi pret liberalizim më 2012

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka shprehur besimin se Kosova deri në vitin 2011 apo 2012 mund të futet në procesin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Rexhepi ka theksuar se si parakusht për futjen e Kosovës në liberalizimin e vizave janë menaxhimi i integruar i kufijve, marrëveshjet bilaterale për riatdhesim, siguria e dokumentacioneve bazike dhe pasaportat biometrike, të cilat sipas tij do të nisin të prodhohen në pjesën e dytë këtij viti.

“Pranimi i pasaportave dhe shumë gjërave tjera besoj që edhe me involvimin edhe të miqve të tjera evropian do të jetë ai minimumi që nuk do të pengojnë në procesin e liberalizimit të vizave. Prandaj 2011, 2012 realisht mund të pritet si optimale”, ka theksuar Rexhepi, transmeton Klan Kosova.

Nga ana tjetër, ministri Rexhepi ka mohuar që nënshkrimi i marrëveshjes për riatdhesim me Gjermaninë të jetë bërë nën presion për t’u futur në çështjen e liberalizmit të vizave.

Ai ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime të vogla brenda ministrisë që ai drejton, duke thënë se do të ketë lëvizje të vogla nga një pozicion në pozicionin tjetër, por nuk ka dhënë detaje, duke thënë se nuk do të ketë “ndryshime radikale dhe as për bindje politike”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›