E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta "Maqedonia e Madhe" në zyrën e Entit Statistikor

TETOVË - Pas një "udhëtimi" në Ohër, Strugë dhe zona të tjera ku banojnë shqiptarët, harta e "Maqedonisë së Madhe" është shfaqur dje dhe në Tetovë. Mësohet se ky provokacion i hapur ndaj shqiptarëve nëpërmjet afishimit në shkolla e vende publike të kësaj harte që përfshinë brenda kufijtë dhe pjesë të anës shqiptare të kufirit, ka nisur prej tre ditësh.
Burime për "Gazeta Shqiptare" konfirmojnë se pas hartave të "Maqedonisë së Madhe" në një shkollë në Ohër, e në një tjetër në Shkup, një e tillë e varur në mure dhe në zyrën e Entit statistikor të Tetovës. Toni Zdravkovski, drejtuesi i zyrës së Entit statistikor në Tetovë, thotë për "Gazetën Shqiptare" se, kjo është një hartë me kufijtë e Maqedonisë së vitit 1912. Më tej ai shton se kjo hartë nuk ka ndonjë mision provokativ apo qëllime të tjera, se ajo është vendosur nga një i punësuar dhe Enti Statistikor nuk qëndron pas këtij vendimi. "Siç u theksova edhe më parë, kjo hartë që thoni është harta e vitit 1912 dhe nuk ka të bëjë me atë se si do të duket Maqedonia në të ardhmen",- shton ai.
Lidhur me shfaqjen publike të kësaj harte kanë reaguar dhe intelektualë e banorë të tjerë shqiptar. Ata e quajnë këtë provokacion të radhës të qarqeve të caktuara ekstremiste dhe kërkojnë reagimin e menjëhershëm të faktorëve politik shqiptar në qeverisje dhe në opozitë. Për më tepër kur raste të tilla, veçanërisht në shkolla ku mësojnë shqiptarët, janë të përsëritur. Harta provokuese e afishuar së fundi në Tetovë, brenda kufijve të Maqedonisë përfshihet gjithë Liqeni i Ohrit, Pogradeci dhe zona të tjera të Shqipërisë që janë në kufi me fqinjët sllavë. ba.be.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›