Harta e Luginës së Drinos, i jep fund misionit
Ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane në përbërje të së cilës përfshihen arkeologë të departamentit të shkencave arkeologjike dhe historike të arkitektit nga Universiteti i Manceratës, nën drejtimin e Roberto Pernës dhe Departamentit të Antikitetit pranë Instituti Arkeologjik Shqiptar me arkeologun Dhimitër Çondi, kanë nisur në qytetin romak të Hadrianopolis që ndodhet në Sofratikë të Gjirokastrës, në qendër të Luginës së Drinos. Ata po realizojnë në këtë mënyrë misionin e katërt të gërmimeve të parashikuar nga protokolli i bashkëpunimit midis dy institucioneve. Sipas prof. Roberto Pernës gjatë këtij misioni do të vazhdojë puna për realizimin e disa aktiviteteve të gërmimit dhe studimit arkeologjik jo vetëm në qytetin romak të Hadrianopolis, por edhe në sitet e tjera të Luginës së Drinos me synimin e përfundimit të Hartës Arkeologjike të Luginës së Drinos. "Në koordinim me një ekip të departamentit të shkencave të tokës të Universitetit të Kamerinos dhe me arkeologun shqiptar, Vladimir Qirjaqi, paraprakisht është kryer në terren evidentimi i këtyre gjurmëve të antikitetit, të cilat kanë bërë të mundur individualizimin për herë të parë të shumë siteve me vlerë, duke u nisur prej një repertori bibliografik i realizuar në bazë të punëve të profesor Budinës, si dhe të elementeve të panjohura më parë", tha Prof Perna. Gjatë tri ekspeditave të mëparshme në Hadrianopol nga grupet e përbashkëta të ekspertëve janë realizuar punime arkeologjike të rëndësishme brenda zonës urbane përballë teatrit të këtij qyteti antik të zbuluar rreth 30 vjet më parë nga Prof. Apollon Baçe. Janë gërmime dhe kërkime që mundën të lidhin vetë teatrin me pjesët e tjera në shtrirje të qytetit antik. Ekspedita e porsanisur synon vazhdimin e gërmimeve përballë teatrit që do të zhvillohet në një shtrirje prej 1200 metra katrorë. Më parë në këtë zonë është realizuar heqja e shtresës së dheut, që përbëhet nga aluvione të imta të lumit Drino deri te nivelet arkeologjike të individualizuara, në thellësinë 2.5 metra. Gërmimi i mëparshëm ka bërë të mundur individualizimin e disa ndërtesave të karakterit monumental që dokumentojnë disa prej fazave kryesore të jetës në këtë zonë urbane. Sipas Prof. as. dr Dhimitër Çondi elementet në dispozicionin, të grumbulluara nga gërmimet arkeologjike të mëparshme tregojnë se gjatë periudhës helenistike banorët kanë preferuar vendosjen në zonat kodrinore në pjesët më të ngritura, në përgjithësi, lehtësisht të evidentuara, të lidhura me mbrojtjen e rrugëve kryesore midis Luginës së Drinos dhe zonave përreth, ndërsa në periudhën romake vendosja e vendbanimeve tenton drejt përqendrimit përgjatë Luginës së Drinos. Kështu lindja e sitit urban të Hadrianopolis, duket se është e lidhur me fillimin e shekullit II pas Krishtit, kur ndoshta një nga sitet e luginës është riorganizuar. Në këto momente, qyteti i Hadrianopolis ka pasur një aktivitet intensiv ndërtimor që vazhdojnë pa zgjidhje vazhdimësie, ku dhe ndërtimet monumentale pësojnë modifikime dhe restaurime, të cilat ruajnë aspektin planimetrik dhe atë funksional. Gërmimet e mëvonshme dokumentojnë një proces intensiv transformimesh urbane, duke përfshirë realizimin e një ndërtese që mendohet të ketë karakter sakral (të shenjtë). Organizatorët e ekspeditës së katërt shqiptaro-italiane kanë një bashkëpunim të ngushtë edhe me pedagogët dhe studentët e Universitetit të Gjirokastrës, si dhe me ekspertët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare për Qarkun e Gjirokastrës.