E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta e plazheve zonat me te pastra dhe me te ndotura

Plazhet më të pastërta, pa ndotje nga mikrobet e ujrave të zeza apo dhe nga mbetjet urbane vazhdojnë të jenë ato në jug të vendit. Autoritetet e Agjensisë së Mjedisit dhe Pyjeve thonë për AS se monitorimet e fundit tregojnë se plazhi i Himarës, Dhërmiut dhe Sarandës janë më të pastërtat në vend, ndërkohë që plazhet në veri të vendit kanë nevojë për një ndërhyrje si nga pushteti vendor ashtu dhe nga ai qëndror.

“Plazhi i Dhërmiut, i Himarës dhe pjesë të plazhit të Sarandës ngelen plazhe të pastra, pa mbetje mikrobiale. Sistemi i plazhit të Velipojës është i pastër. Rreth 14% janë plazhe me një cilësi shumë të mirë, 42% janë të mirë dhe rreth 43% janë jo të mirë. Plazhi i Shëngjinit, rreth 60% janë plazhe cilësore, por pjesa tjetër ka nevojë për ndërhyrje” thotë Baki Dervishi, drejtor i laboratorit dhe referencave në AMP.

E nëse në plazhet që ndodhen në veri të vendit ndërhyrja mund të bëhet me kalimin e kohës pasi gjëndja nuk është  shumë sheqtësuese, në plazhet e Durrësit, Kavajës dhe plazhin e vjetër të Vlorës, situata është alarmante. Kjo si pasoje e ndotjes së ujit të detit nga ujrat e zeza si dhe mbetjet urbane. Ngarkesa e mikrobeve në këto plazhe është e lartë, thonë specialistët.

“Në plazhin e Durrësit, Kavajës dhe plazhin e vjetër i Vlorës, nëse nuk ndërhyet nëpërmjet kanalizimeve, mbledhjes së ujrave dhe krijimin e impianteve për përpunimin e këtyre ujrave atëherë popullsia këtu e gjen jo shumë të pastër këtë plazh dhe shërbimin atje” tha Dervishi. 

Sezoni turistik ka vetëm pak javë që ka nisur ndërkohë që monitorimet e specialistëve pritet të intesifikohen në javët në vazhdim në të gjithë vendin.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›