Hartat e qeverisë,zbulohen 4 mijë ha toka në bregdet për ish-pronarët
ADI SHKEMBI
Qeveria identifikon tokë shtetërore në disa zona të bregdetit, të cilat do të përdoren për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Gazeta zbardh hapësirat e para të cilat kanë kaluar fazën e shqyrtimit paraprak dhe që do të jenë ndër të parat që do t’u kalojnë ish-pronarëve, pasi të kalojë në qeveri vendimi për kriteret dhe procedurat e kompensimit fizik. Prej disa muajsh një grup pune i ngritur për këtë qëllim është duke punuar për identifikimin e kësaj toke.
Toka shtetërore
Kështu në qarkun e Shkodrës, konkretisht në Velipojë, rezulton se deri tani ka dalë rreth 1200 ha tokë shtetërore në bregdet dhe që do të shkojë në fondin e kompensimit për ish-pronarët. Gjithashtu gati e njëjta hapësirë tokë shtetërore ndodhet në Durrës, rreth 1200 ha në Kepin e Rodonit dhe Gjirin e Lalzit. Në gjirin e Patokut, ekspertët e kontrollit të tokave kanë vërejtur deri tani rreth 900 ha, ndërkohë që në Kavajë janë rreth 700 ha të tjerë. Sipas anëtarëve të grupit ad hoc të ngritur nga qeveria, këto hapësira kanë kaluar studimin paraprak, por do të kalojnë edhe përmes një kontrolli tjetër përpara se të kalojnë përfundimisht në fondin e kompensimit fizik për ish-pronarët. Gjatë një deklarate publike, Kryeministri Berisha tha se kthimi i këtyre pronave tek ish-pronarët ndihmon në uljen e faturës së përgjithshme në këtë drejtim, pasi sipas tij vetëm me kompensimin financiar një gjë e tillë është e pamundur. “Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave është një proces themelor, me një faturë që vjen në rritje progresive, sepse çdo vit çmimi i trojeve rritet. Ai ka arritur në 2 mijë euro në qendër të Tiranës dhe ju siguroj se në vitet në vazhdim do të arrijë në 5 mijë e më shumë euro. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, në përputhje me detyrimin madhor që shteti ka ndaj ish-pronarëve, që ato të rikthehen ku është e mundur, të kompensohen”, theksoi kreu i qeverisë. Megjithatë, sipas kreut të Ekzekutivit, trojet në bregdet që do t’u jepen ish-pronarëve do të jenë pjesë e platformës së përgjithshme të turizmit. Berisha tha se megjithëse do të jenë troje private, ato nuk do të përjashtohen nga kriteret e përcaktuara për këto zona.
Zonat me tokë shtetërore
Velipojë 1200 ha
Durrës 1200 ha (Kepi i Rodonit, Gjiri i Lalzit)
Patok 900 ha
Kavajë 700 ha
“Skema, ish-pronarët bashkë-aksionerë në restore turistike”
ADI SHKEMBI
Qeveria po përgatit një skemë të re për ish-pronarët. Sipas variantit që do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, ish-pronarët që kanë kërkuar kompensimin fizik do të jenë bashkë aksionerë në restore turistike. “Tradicionalisht toka shtetërore ka qenë parcelizuar dhe realizuar kompensimi fizik. Po shqyrtohet mundësia e vënies në shfrytëzim të disa aseteve për qëllim resortesh turistikë dhe kompensimi i pronarëve tradicionalë në pjesë ideale si bashkë-aksionerë në këto projekte”, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama”, këshilltari i Kryeministrit Berisha për çështjet e pronësisë.
Qeveria ka deklaruar se ka inventarizuar 4 mijë ha tokë në bregdet, që do të përdoret për kompensimin fizik të ish- pronarëve. Ku ndodhen kryesisht këto prona dhe a përjashtohet mundësia që ato toka të kenë pasur më parë pronar?
Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave është një çështje delikate dhe komplekse. Kur flasim për këtë çështje duhet të kemi parasysh që kemi të bëjmë me një shtresë që ka përjetuar një padrejtësi historike dhe ndaj së cilës shoqëria shqiptare ndjen një detyrim ligjor dhe moral.
Në vite ky proces ka njohur ulje ngritjet e veta dhe disa përpjekje ligjore për adresimin e çështjes. Përveç përpjekjeve për intensifikimin e procesit të kthimit fizik të pronës pronarëve historikë, procesi ka njohur dhe komponentin e kompensimit financiar dhe atë fizik.
Prej disa vitesh ka pasur përpjekje serioze për krijimin e një fondi fizik të kompensimit, por ky proces ka njohur vështirësi të jashtëzakonshme. Arsyeja kryesore e këtyre vështirësive është fakti që prona tradicionalisht shtetërore (pra ajo pronë që nuk ka gjasa të pretendohet nga pronarë historikë) nuk është e mirëdokumentuar dhe aq më pak e mirëinventarizuar apo regjistruar.
Kohët e fundit po investigohen një pjesë e mirë e bregdetit verior me qëllim përcaktimin e territoreve që janë aktualisht pronë shtetërore dhe që nuk pretendohen nga pronarë historikë. Kuptohet që ky është një proces që kërkon kujdes të veçantë në mënyrë që të sigurohemi që fond i kompensimit nuk krijon konflikt me çështje të kthimit.
Në bazë të këtij investigimi rezulton që një sasi prej rreth 4.000 ha asete shtetërore mund të vihen eventualisht në dispozicion të procesit të kompensimit fizik. Çështja është që po studiohet një skemë që synon të maksimalizojë përdorimin e këtyre aseteve, në mënyrë që të gjenerojë burime kompensimi të konsiderueshme për pronarë historikë.
Shoqatat e ish-pronarëve janë shprehur skeptikë rreth kësaj nisme të qeverisë. A mund të përdoren për turizëm tokat që ju keni evidentuar në bregdet?
Fatkeqësisht, që në fillim të këtij procesi, kjo iniciativë është anatemuar dhe sulmuar me argumentin që nuk ekziston tokë shtetërore në bregdet. Është e vërtetë që një pjesë e tokës edhe në bregdet është privatizuar tashmë. Por kuptohet që qeveria nuk mund të ‘shpikë’ tokë. Maksimumi që ajo mund të bëjë është të investigojë asete që janë në pronësi shtetërore, t’i vejë ato në përdorim për të maksimalizuar vlerën e tyre dhe të tentojë të kompensojë me burimet e të ardhurave që gjenerojnë këto asete. Mos të harrojmë që ka edhe iniciativa ligjore për shqyrtimin e ligjshmërisë së privatizimit të tokës në këto vite dhe deri tani ka rezultuar një numër rastesh ku toka në bregdet është fituar dhe regjistruar në mënyrë të kundërligjshme. Në këto raste të verifikuara, qeveria ka ndërhyrë dhe ka realizuar çregjistrimet e paligjshme, duke fituar në këtë mënyrë fond asetesh shtetërore që do të vihen në funksion të procesit të kompensimit fizik të pronarëve historikë.
Nga ana tjetër po diskutohet një skemë disi më cilësore e kompensimit. Tradicionalisht toka shtetërore ka qenë parcelizuar dhe realizuar kompensimi fizik. Po shqyrtohet mundësia e vënies në shfrytëzim të disa aseteve për qëllim resortesh turistikë dhe kompensimi i pronarëve tradicionalë në pjesë ideale si bashkë-aksionerë në këto projekte. Kjo do të siguronte një qëndrueshmëri të zhvillimeve në këto zona dhe shmangie të zhvillimit të fragmentarizuar, si në rastin e Shkëmbit të Kavajës, si dhe do të maksimalizonte vlerën e tokës në këto zona.
Gjithashtu mund të themi që për realizimin e kësaj skeme nuk është e domosdoshme që të sigurohen toka bujqësore (pjesa më e madhe e të cilave figurojnë të ndara tashmë), por dhe asete natyrore që deri dje nuk kanë pasur vlerë ekonomike përveçse mjedisore, por që tani mund të vihen në dispozicion të procesit të zhvillimit dhe investimit në fushën e turizmit.
Pra me pak fjalë, asete natyrore që deri dje nuk kanë pasur vlerë në treg, sot mund të përdoren për kompensim në pjesë ideale (çka do të thotë që nuk do të parcelizohen) dhe njëkohësisht janë subjekt i zhvillimit të resorteve turistike, çka i bën këto asete të vlefshme në treg.
Kur do të jetë gati vendimi që përcakton procedurën e kompensimit fizik të pronave? Çfarë kriteresh do të caktohen për përzgjedhjen e ish-pronarëve që do të preferojnë këtë lloj kompensimi?
Kuptohet që skema në shqyrtim është delikate. Ajo është akoma subjekt i një diskutimi në nivelet profesioniste, teknike dhe ato vendimmarrëse. Në të njëjtën kohë do të ketë dhe konsulta edhe me grupet e interesit.
Është tejet e rëndësishme që të ketë një mirëkuptim të skemës, pasi për vetë delikatesën e saj, nëse ajo do të sulmohet me pa të drejtë dhe duke e paragjykuar mund të rrezikohet implementimi i saj. Kuptohet që nuk i shërben procesit anatemimi i iniciativave pozitive në këtë drejtim, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj prononcimeve publike që shpesh herë nuk synojnë adresimin e çështjes së pronarëve historikë por synojnë destabilizimin e iniciativave kompensuese thjesht sepse ato vijnë nga agjencitë shtetërore, duke i shërbyer në këtë mënyrë vetëm promovimeve individuale por dëmtojnë seriozisht procesin.