E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati i harruar, bojkot për herë të tretë zgjedhjeve

 

BURREL – I harrojnë, vendosin të braktisin zgjedhjet për herë të tretë. Uraka është fshati më i madh në komunën e Rukajve në rrethin e Matit. Burrat e fshatit vendosën korrikun e vitit 2005 dhe shkurtin e vitit 2007 të bojkotojnë votimet politike dhe ato lokale. Vendimi fshatçe erdhi pas disa kërkesave të bëra publike nga ky fshat. Kërkesa kryesore që solli bojkotin e më shumë se 1000 zgjedhësve erdhi për mungesën e një ure që lidh këtë fshat me rrugën Burrel-Bruç. “Mbi urën pasarelë, më shumë se 150 metra linearë të gjatë, kanë lëvizur për dekada me radhë qindra banorë. Mirëpo për shkak të gjendjes së saj të rëndë 10 banorë të Urakës kanë humbur jetën tragjikisht”, tregojnë banorët buzë liqenit të Ulzës. “Jemi ankuar herë pas here dhe nuk kemi marrë përgjigje. Vinin këtu kandidatë për deputetë e kryetarë komune, premtonin, merrnin votat dhe nuk dukeshin më për vite me radhë. Duke parë se po mashtroheshim pafundësisht u mblodhëm të gjithë bashkë dhe vendosëm të mos votonim me 3 korrik 2005. Këtë ua thamë drejtuesve të pushtetit lokal, partive politike dhe gjithë atyre që ishin të interesuar për pjesëmarrjen tonë në votime. Themi se kemi vepruar drejt, - thotë Prenga, njëri nga nismëtarët e nismave demokratike. - Muaj më parë, pikërisht se ne kishim bojkotuar zgjedhjet politike dhe ato lokale, kanë nisur punimet për ndërtimin e një ure prej betoni”, sqaron ai. Ndërkohë një shqetësim tjetër mjaft i madh për banorët e Urakës që nuk pranojnë të votojnë për askënd lidhet me mungesën e ujit vaditës. Fshati ndodhet mes liqenit të Ulzës dhe lumit të Shutrresë, mirëpo fushat e begata thahen për ujë. “Ne po mbytemi nga uji në të dyja anët e fshatit, ndërkohë në stinën e verës nuk kemi pikë uji për vaditje”, thanë banorët e këtij fshati të harruar. Prej vitit 1990, asnjë investim nuk është kryer këtu, duke i bërë rrugët të pakalueshme. “Kur kemi të sëmurë, i transportojmë me krahë deri në spital”, pohojnë banorët. Gjendje e rënduar është dhe në shkollën 9-vjeçare “Shefqet Kazdeda”, ku brenda 1 jave u rrëzuan tavanet e dy klasave, duke rrezikuar nxënësit e mësuesit. Me nismën e banorëve të Urakës tashmë janë bashkuar dhe 1400 banorët e fshatit fqinj, Kodër Laç, që vuajnë nga të njëjtat probleme. “Kaq kemi në dorë, votën. Atë nuk do t’ia japim askujt”, thonë banorët e fshatit Kodër Laç.                h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›