Hartë dixhitale për pasurinë kulturore të Drinosit
Gjirokastër- Ekspedita italo-shqiptare kanë identifikuar të tjera rrënoja arkeologjike në Luginën e Drinos. Deri më sot njiheshin afro 15 të tilla dhe synohet që shumë shpejt në hartën dixhitale të përfshihen 100 syresh. Lugina e Drinos, pasuria arkeologjike dhe trashëgimia kulturore e saj prej vitesh vazhdojnë të jenë tërheqje e veçantë për specialistët e monumenteve të kulturës, arkeologët apo grupet e ndryshme të vizitorëve. Gjatë ditëve të fundit sitet dhe objektet arkeologjike të kësaj zone kanë tërhequr vëmendjen e misionit arkeologjik shqiptaro-italian. “Në përfundim të verës misioni arkeologjik shqiptaro-italian synon të përgatisë hartën dixhitale në të cilën do të jenë identifikuar rreth 100 site, objekte arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore përgjatë luginës së Drinos”, është shprehur në lidhje me misionin arkeologu Vladimir Qirjaqi. Ndërsa për drejtuesin e ekspeditës, Roberto Perna, finalizimi do jetë harta dixhitale. “Aktualisht në qendër të punës sonë është përpilimi i hartës dixhitale në lidhje me vendodhjen e siteve arkeologjike përgjatë luginës së Drinos”, ka pohuar Perna. Për specialistët e misionit arkeologjik shqiptaro-italian i rëndësishëm është fakti që në të ardhmen këta elementë të jenë të vizitueshëm duke u vendosur në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë zonë. Falë pasurisë historike, arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore që mbart Jugu i vendit shikohet si një zonë me resurse të rëndësishme për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimin e turizmit kulturor.
Përgjatë tri vitesh misioni arkeologjik shiptaro-italian ka realizuar një sërë kërkimesh duke arritur të nxjerrë nga thellësitë e nëntokës elementë me vlera të rralla historike dhe studimore ne lidhje me zhvillimin social-ekonomik dhe kulturor të luginës së Drinos.