Harxhon naftë pa hesap e shpërblen drejtorët me paga shtesë

Nga: Fatos Shala
Komuna e Rahovecit nuk e ka pasur problem të shpenzoj paranë publike ne luks. Udhëheqësit e kësaj komune brenda vitit 2011 nuk kanë hezituar të shpenzoj mijëra euro ne telefona, dreka-darka e udhëtime jashtë vendit.
Kjo komunën që udhëhiqet nga Smajl Latifi ka “djegur” në derivate hiq me pak se 758 euro në ditë, duke llogaritur 280 ditë pune. Tutje shpenzimet enorme ne ketë komunë kanë vazhduar edhe në blerjen e kompjuterëve, ushqimit dhe pijeve.
Kryetari i Rahovecit po ashtu në fund të vitit 2011 ka shpërblyer me nga një pagë shtesë gjithë drejtorët e drejtorive dhe rreth 30 zyrtarë të tjerë komunal.
“Komuna e Rahovecit për një ditë shpenzon 581 euro për naftë. Gjatë një viti, administrata komunale, shkollat dhe institucionet tjera ndërlidhëse punojnë 280 ditë, për shkak të pushimeve gjatë vikendeve dhe festave të parapara. Nga kjo rezulton se shuma e shpenzuar për derivate duhet llogaritur mbi bazën e 280 ditëve, çka do te thotë se shpenzimet për naftë brenda një dite dalin të jenë 758 euro”, ka treguar Instituti GAP ne raportin e përgatitur për Komunën e Rahovecit.
Shpenzime të mëdha gjatë vitit 2011 ka pasur edhe ne kategoritë të shpenzimeve brenda linjës buxhetore për mallra dhe shërbime. “Kësisoj, për telefon mobil dhe fiks, Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 7.258 euro më shumë se një vit me herët, ndërsa tek blerja e naftës për ngrohje 25.544 euro janë shpenzuar më shumë në krahasim me vitin paraprak. Rritje të shpenzimeve hasen edhe në kategorinë e blerjes së druve dhe thëngjillit, marrë së bashku në këto blerje gjatë vitit 2011 janë shpenzuar 22.473 euro më shumë se një vit më herët”, thuhet në këtë raport.
Sipas GAP-it Komuna e Rahovecit rritje të shpenzimeve ka pasur edhe në kategorinë e publikimeve dhe botimeve ku diferenca mes vitit 2010 dhe atij 2011 është për 8.226 euro. Rritje të theksuar haset edhe tek kategoria e blerjes së kompjuterëve, blerjes së ushqimit dhe pijeve, në shërbimet teknike e kështu me radhë.
Kurse, trendi në rritje i shpenzimit të buxhetit në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve në Komunën e Rahovecit, sipas GAP-it ka vazhduar edhe gjatë nëntëmujorit të këtij vitit 2012. Sipas raporteve zyrtare rezulton se në shumë kategori ka pasur rritje të shpenzimeve, krahasuar me nëntë mujorin e vitit të kaluar 2011.
Komuna e Rahovecit më së shumti shpenzime rezulton të ketë për naftë të cilat dedikohen për ngrohje, vetura zyrtare si dhe për gjeneratorë. Nëse merren shifrat e përgjithshme të shpenzuara për derivate të naftës, atëherë del që kjo komunë më shumë shpenzon për naftë brenda një viti se sa për energji elektrike, ku bëjnë pjesë rryma e shpenzuar për objektet komunale, ndriçimi publik, objektet shëndetësore, shkollat, çerdhja si dhe objektet tjera të ngjashme.
“Nëse i llogarisim shpenzimet për energji elektrike të bëra nga ana e QKMF-së dhe punkteve shëndetësore në bazë të ditëve të vitit, atëherë rezulton se afro 75 euro në ditë janë shpenzuar energji elektrike nga këto qendra, ndërsa marrë në total Komuna e Rahovecit për energji elektrike gjatë një dite shpenzon afro 442 euro, apo 161.245 euro gjatë vitit”.
Komuna e Rahovecit gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 75.940 euro për rregullimin e trafove të rrymës dhe rrjetit elektrik. “Këto investime, ndonëse të nevojshme për vendbanimet e Rahovecit, nuk do të duhet të bëheshin nga ana e komunës, ngase përgjegjës për zgjerimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit elektrik është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe jo komunat”.
Shpërblen punëtoret kundërligjshëm
Kryetari i Komunës së Rahovecit në fund të vitit 2011 ka shpërblyer me nga një pagë shtesë gjithë drejtorët e drejtorive dhe rreth 30 zyrtarë të tjerë komunal. Arsyetimi për ndarjen e këtyre parave është bërë duke u thirrur në punën shtesë.
“Komuna asnjëherë nuk e ka rregulluar këtë çështje me akte përcjelljëse juridike si udhëzime, urdhëresa, rregullore apo vendime përkatëse, ku lejohet dhe autorizohet puna shtesë dhe në bazë të saj të bëhet kompensimi. Po ashtu partitë opozitare në Kuvendin e Rahovecit kanë kërkuar nga ekzekutivi që të i’u dërgohet një raport ku argumentohet se sa orë kanë qenë këta persona të angazhuar jashtë orarit, në cilët sektorë kanë qenë të angazhuar dhe në cilën periudhë.”
Sipas GAP-it ky raport nuk i është dërguar Kuvendit nga ana e ekzekutivit. Përveç kësaj në arsyetimin e dhënies së këtyre parave është thënë se paguhen shërbyesit civil të komunës për punët jashtë orarit, por drejtorët e drejtorive të komunës nuk mund të vlerësohen dhe kategorizohen si shërbyes civil.
“Ndarja e këtyre mjeteve përveç që rezulton të jetë pa bazë ligjore dhe të jetë bërë në mënyrë jo të rregullt, ajo ka shkaktuar edhe polemika dhe ndarje në mes të shërbyesve civil, një pjesë e të cilëve janë ndjerë të përjashtuar dhe të nënvlerësuar”.
Punësim pa kritere
Pas ardhjes në krye të Komunës të Smajl Latifit, disa zyrtarë komunal janë përjashtuar e disave të tjerë u është ndryshuar pozita. Në të gjitha rastet kryetari ka refuzuar t’i përfillë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
“Kësisoj, zyrtarja Fitnete Kasapi është përjashtuar nga puna në fund të vitit 2011. Ajo ka parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës (KPM) dhe në Gjykatën Komunale në Rahovec dhe të dy këto instanca në vendimet e tyre e kanë obliguar komunën që Fitnete Kasapi të kthehet në vendin e mëparshëm të punës, por kryetari kategorikisht refuzon të përfill këto vendime. Rasti i zyrtares Fitnete Kasapi tani është adresuar në Gjykatën e Qarkut në Prizren”. Kryetari refuzon të përfill edhe vendimin e KPM në rastin e të punësuarve Ilir Haxhijaha dhe Nystrete Sokoli të cilëve u janë ndërruar koeficientet e pagës si rezultat i ndërrimit të pozitës së punës.
“Konkurset për zyrtar për informim, zyrtar ligjor, zyrtar protokolli dhe udhëheqës personeli në Komunë të Rahovecit janë shpallur menjëherë në javën e parë pas ardhjes së kryetarit Smajl Lafiti në detyrë. Në këto vende janë zgjedhur njerëzit e preferuar të kryetarit, si Qemajl Krasniqi – zyrtar për informim, Isak Hoti – zyrtar ligjor, Jetullah Kabashi – udhëheqës i Prokurimit dhe Ymret Reshiti – udhëheqës i personelit. Dy të parët (Qemajl Krasniqi dhe Isak Hoti) kanë shkuar në punë që nga dita e parë kur ka filluar edhe kryetari Smajl Latifi. Ymret Reshiti me vonë caktohet u.d. avokat komunal”, ka treguar GAP ne raport.
Edhe cilësia e punëve të kryera në infrastrukturën e Komunës së Rahovecit paraqitet e dobët. “Ka disa raste që pak kohë pas përfundimit të projekteve shfaqen dëmtime dhe deformime te ndryshme. Shembull për këtë shërben rruga në relacionin Zeqist –Reti e cila është rregulluar në shtator të vitit 2011, ndërsa është dëmtuar në pranverën e vitit 2012. 12”.
Shëndetësia me plotë probleme
Po ashtu Drejtoria e Shëndetësisë në raportet e saja zyrtare adresuar Kuvendit të Rahovecit potencon një mori problemesh të cilat e përcjellin sektorin e shëndetësisë në këtë komunë.
“Njëri ndër problemet e para të cekura në raportin e punës për vitin 2011 është evidentimi i shpenzimeve te mëdha në rrymë dhe naftë nga ana e qendrave mjekësore, pastaj mungesa e personelit mjekësor, mungesa e pajisjeve mjekësore, organizimi jo i mirë i punës në sektorët përkatës dhe mos respektimi i orarit të punës në disa vende, mungesa e materialit shpenzues në stomatologji, barërat ampulare emergjente, material sanitar, material reagensë shpenzues për laborator, material higjienik dhe materiali administrativ, pajisjet mjekësore të vjetruara”.
Përveç këtyre, Drejtoria e Shëndetësisë problem e ka vlerësuar edhe mos zbatimin e vendimit të kryetarit nga ana e nëpunësve të QPS -Zyra e cila gjendet në lagjen e minoriteteve dhe marrja e masave administrative ndaj këtyre punëtorëve, grumbullimi i mbeturinave mjekësore dhe barna me afat të skaduar, mos pagesa me kohë e punëtorëve lidhur me honorarët, mos pagesa nga ana e MPMS-së për fëmijë me aftësi të kufizuar deri në moshën 18 vjeçare, mungesa e familjeve strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore në Komunën e Rahovecit, mungesa e barnatoreve kujdestare gjatë natës në qytetin e Rahovecit, janë probleme tjera te cilat i evidenton Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës se Rahovecit për vitin 2011./Indeksonline/.