E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klaudio Mema: Pres të më thërrasin në kombëtare

Nga ERJON HAMITAJ

Mefushori 17-vjeçar i Levante B kërkon të jetë pjesë e ekipeve kombëtare dhe rrëfen historinë e tij në lidhje me futbollin gjatë këtyre viteve të jetës së tij

Trajneri më beson të luaj që nga minuta e pare, edhe pse jam më i vogli në këtë skuadër

Mesfushori tiranas, Klaudio Mema, i është bashkuar klubit të futbollit të Levantes në Spanjë verën e këtij viti, duke firmosur një kontratë profesioniste prej 5 vjetësh. Ai ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Tiranës, derisa bëri hapin e karrierës, duke u transferuar në Spanjë. Në këtë periudhë ai luan me skuadrën Levante B, që militon në kategorinë e 3-të të futbollit spanjoll (Terciera Division).

Në tetë takime ai ka shënuar një gol dhe është futbollisti më i ri në moshë i kësaj skuadre. Trajneri Alex de Corea beson tek aftësitë e tij, ndaj nuk e ka lënë të lirë kur është kërkuar nga OFI i Kretës në kampionatin grek të futbollit. Talenti shqiptar po bie në sy të të huajve më shumë sesa në sytë e trajnerëve të kombëtareve të moshave të Shqipërisë. Vetëm një herë është grumbulluar për provë vitin e kaluar nga ekipi kombëtar U-19 dhe më pas nuk e kanë thirrur më. Megjithatë, Klaudio Mema shpreson të grumbullohet në të ardhmen.

Klaudio, në çmoshë keni nisur të luani futboll?

- Qysh në moshë të vogël dhe kam luajtur part-time në shumë skuadra amatore, por rrugën time të vërtetë për të arritur deri këtu e kam nisur në moshën 11-vjeçare në radhët e Partizanit me trajner Genc Tomorrin.

- Kur e keni shënuar golin e parë?

-Të them të drejtën, nuk është se kam shënuar gola me Partizanin, pasi nuk më jepej shumë mundësia të luaja.

- Për sa sezone u aktivizuat te Tirana?

- Jam aktivizuar dy vite te Tirana. E kam nisur me ekipin që drejtonte trajneri Blerim Metani dhe më pas kalova të skuadra e paratërinjve, që ndërtoi Agustin Kola.

- Si u bë i mundur kalimi te Levante?

- Unë luaja te Tirana dhe me anë të disa lidhjeve që kanë njerëzit e mi të afërt. Dua të sqaroj që nuk ka qenë punë menaxherësh. Unë luaj me Levanten B në divizionin e tretë të futbollit në Spanjë, ku trajneri herë më beson të luaj nga minuta e parë dhe herë si zëvendësues. Aktivizohem në çdo pjesë të mesfushës, pasi nuk e kam problem të luaj në të majtë, të djathtë apo në qendër. Në këtë ekip jam më i vogli në moshë.

- Sa gola keni shënuar te Levante?

- Golin e parë e kam shijuar kur isha në provë te ekipi Levane U-19. 3 gola në 2 ndeshje dhe këta më pëlqyen. Tani që jam pjesë e Levante B, kam shënuar vetëm një gol në 8 takime. Ndërsa te Tirana isha protagonist në çdo ndeshje me golat e mi dhe mbaj mend që derisa u largova, kam shënuar 12 gola në ndeshjet zyrtare.

Ju pëlqen Levante, apo dëshironi të lëvizni në ndonjë skuadër tjetër?

- Qysh kur jam aktivizuar në Spanjë, kam pasur ofertë edhe nga OFI i Kretës në Greqi dhe më pas nga Tirana, kërkesa të cilat i kam refuzuar, sepse jam ambientuar në Spanjë. Të ardhmes nuk i dihet.

- Keni qenë ndonjëherë pjesë e ekipeve kombëtare?

-Nuk më kanë thirrur kush. Në fakt, kam bërë vetëm një provë, posi u grumbullova nga trajneri Skënder Gega, kur isha pjesë e Tiranës. Edhe pse jam futbollist që luaj në një kampionat jashtë vendit, nuk më kanë kërkuar të jem pjesë e kombëtareve të moshave, por unë shpresoj se një ditë do të jem pjesë e kombëtares.

 

Skeda:

Emri: Klaudio

Mbiemri: Mema

Mosha: 19/11/1994

Vendlindja: Tiranë

Vendbanimi: Levante (Spanjë)

Skuadra aktuale: Levante B (Spanjë, Divizioni 3)

Pozicioni: Mesfushor

Idhulli: CR7 (Kristiano Ronaldo)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›