E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasan Lika: “Me Vllazninë, hesapet lahen në Kupë”

EKSKLUZIVE- Pas barazimit 0-0 në kampionat gjatë fazës së parë dhe atij 1-1 në ndeshjen e parë të cerekfinaleve të Grupit 2 në Kupën e Shqipërisë, Partizani pësoi humbjen e parë me Vllazninë (1-0) në "Loro Borici". Partizani këmbeu vendet me Vllazninë, dhe nga dy pikë më shumë (33-31) që kishte para ballafaqimit të javës së 20, në prag të javës 21 e sheh vetëm me një pikë më (33-34)pak se formacioni i Mirel Josës, me të cilën do të përballet në ndeshjen e kthimit për Kupë, por me pesë pikë më shumë se rivali kryeqytetas, Dinamo e vendit të gjashtë me 28 pikë, ekip me të cilën do të përballet të shtunën. Takimi i parë midis dy ekipeve prodhoi një rezultat të varfër 0-0.
Trajneri Lika zhvilloi stërvitjen e zakonshme të ekipit të tij në kompleksin e Partizanit, në prag të ndeshjes me Dinamon dhe nisjes për në "bazën" e Hotel Besanit në Durrës. Albania-sport.com ishte e pranishme në stërvitje dhe zhvilloi këtë intervistë me trajnerin e Partizanit, Hasan Lika.
Lika një humbje në Shkodër dhe një rikthim në vendin e katërt?
"Do ta konsideroja pa asnjë pikë dyshimi një humbje të pamerituar, të paktën për atë që dhamë në ndeshje. Bëmë gabime sidomos në pjesën e parë, por më pas e rritëm nivelin e lojës. Kundërshtari u tërhoq në mbrojtje të rezultatit (gol i Dalipit ne te 30') dhe ne thuajse e patëm në kontroll pjesën e mbetur të takimit, por nuk ditëm të shënojmë të paktën një gol, të cilin e konsideroj dhe defektin kryesor në atë ndeshje".
Sa kritik është trajneri i Partizanit ndaj humbjes se pestë sezonale?
"Është e pafalshme të humbasësh për fajin tënd dhe jo për meritë të kundërshtarit. Gjithsesi mendoj se në kampionat është rezultati ai që të jep pikët dhe jo loja e bukur.
Sa e ndryshme ishte paraqitja e Partizanit në ndeshjen në kampionat me Vllazninë në raport me atë të Kupës së Shqipërisë me shkodranët, përsa i përket cilësisë së lojës?
"Futbolli gjykohet pozitivisht shpeshherë nga rezultati dhe më pak nga ajo që paraqet në fushë një skuadër. Nëse në Kupën e Shqipërisë Partizani morri rezultatin, të mërkurën për ndeshjen e kampionatit dua të them se kemi bërë lojën. Sigurisht që futbollistët tanë kanë qenë në presion të vazhdueshëm dhe të fortë psikologjik nga ana e tifozerisë shkodrane, kjo edhe nga rezultati i ndeshjes në Kupën e Shqipërisë. Atëherë gjithë stafi i Vllaznisë foli për një gol sipas tyre të parregullt, ndërkohë që tani kanë dhjetë ditë kohë të flasin për penalltitë e mohuara. Nuk e di se cfarë mendimi kanë ata për penalltitë".
Të shtunën përballë jush Dinamo, një derbi tradicional, kur Partizani ndodhet dy vende para kundërshtarit dhe pesë pikë para. Takimi i parë prodhoi rezultatin 0-0.
"Takimet me Dinamon janë përballje të traditës. Sigurisht që të dyja skuadrat do të japin maksimumin. Shpresojmë se në këtë ndeshje përvec lojës së bukur të marrim dhe rezultatin"
Më 7 mars, do të keni ndeshjen e kthimit me Vllazninë në cerekfinalet Kupën e Shqipërisë. Sa shpresoni se do të ndikojë goli i shënuar në fushën kundërshtare për kualifikimin e Partizanit?
"Kemi më shumë kohë për të përgatitur takimin, pasi ndeshjet e tjera të Kupës do të zhvillohen, më 28 shkurt. Gjithsesi ne jemi më të favorizuar. Është një rezultat që na jem me tepër bindje dhe më shumë moral për skuadrën dhe besoj se do ta kurorëzojmë me sukses".
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›