E Diel, 1 Nëntor 2026

Muça: “Jo në krizë, por nuk na falen dy humbje”

Nga Dash Frashëri
EKSKLUZIVE - "Muca, një Tiranë e vetëkënaqur nga kampionati? Ka edhe ndonjë shenjë të tillë". Përgjigjja i përket trajnerit të 22-herë kampioneve dhe kryesuesve me meritë të kampionatit aktual, Shkëlqim Mucës, gjatë një interviste ekskluzive për agjencinë sportive shqiptare Albania-sport.com, vetëm një ditë më pas nga humbja befasuese me Besën e Kavajës (1-2), e para për Tiranën në kryeqytet dhe e treta në 20 javë kampionat. Një humbje që krijoi një atmosferë "gri" jo vetëm te drejtuesi i bankinës bardheblu, Shkëlqim Muca, por edhe te donatorët e klubit më të pasur në Shqipëri. Post-Teuta, asnjë reagim Vetëm një javë më parë, Tirana edhe pse udhëhoqi në "Niko Dovana" me golin e Klodian Duros, humbi me Teutën (2-1)në Kupën e Shqipërisë, një humbje që prishi atë seri prej gjashtë fitoresh të Tiranës në kampionat, aq më tepër kur në ballafaqimin e fundit midis dy ekipeve, Tirana kishte fituar thellë 5-0. "Është shumë e vështirë që në Shqipëri të mbajë një ritëm me kahun vetëm nga fitorja. Sinqerisht prisja që ekipi të reagonte pas humbjes me Teutën pasi nuk na ka ndodhur kurrë që të pësonim dy humbje rresht", pohon Muca, një nga njohësit më të mirë të mentalitetit të SK Tirana, pesë herë kampion si futbollist me kryeqytetasit. Defekti bardheblu: tolerimi "Ekipi nuk luajti keq, por pas shënimit të golit nga ana e Abazaj, toleroi më shumë se s'duhet, duke humbur dhe raste. Ka një ligj në futboll: po nuk shënove, do të pësosh. Golin e parë të Besës (Arapi) edhe pse i bukur, ishte më shumë i rastësishëm. Kjo padyshim që nxiti në ekstrem futbollistët e Besës për të fituar një takim që nuk e kishte menduar kurrë si të atillë", shpjegon Muca, disa na arsyet e humbjes së papritur të Tiranës me një ekip që renditet në vendin e gjashtë, madje me një diferencë prej 15 pikësh me Tiranën kryesuese (43). Jo të rrezikuar nga ndjekësit Tirana kryeson me një diferencë të qartë prej 8 pikësh nga Teuta, dhe kalendari i dy javëve të fundit të fazës së dytë i propozon Tiranës Flamurtarin e vendit të 8 dhe Shkumbinin e vendit të 11. "Është krijuar një atmosferë e pazakontë, nga media por dhe nga të gjithë faktorët e tjerë, ende pa u mbyllur faza e dytë, për një Tiranë kampione" shpjegon Muca, duke u përpjekur të argumentojë edhe influencën e medias. "Unë jam përpjekur t'ua bëjë të qartë në dhomat e zhveshjes edhe lojtarëve se ka akoma dhe 1 /3 e kampionatit dhe se në lojë janë 39 pikë të tjera të disponueshme për ne dhe për ekipet që pretendojnë vendin e dytë", shton trajneri që ka arritur ta nxjerrë Tiranën, dy herë kampion në sezonet 1994-1995 dhe 1999-2000 Kujtimet e hidhura me Flamurtarin Të shtunën, në javën e 21, Tirana do të përballet në "Selman Stërmasi" me Flamurtarin e Vlorës, ekipi që i shkaktoi dhe humbjen e parë Tiranës në kampionat (3-2), në javën e 10 të fazës së parë. "Tirana ka humbur me disa ekipe që i ka konsideruar të lehta dhe të padiskutueshme fitoret. Humbjet tona janë me Flamurtarin, me të cilin do të përballemi në ndeshjen e radhës, me Kastriotin në Krujë dhe Besën në Tiranë", thotë Muca, që kujton se në tria takimet e humbura ishte Tirana ajo që kishte shënuar golin e parë. Revanshi me Teutën në Kupë Shefi i klubit Tirana njëherësh edhe trajneri i ekipit, nuk dëshiron kurrsesi të hapë "kutinë Teuta". "Të mendojmë njëherë të mbyllim pozitivisht ndeshjen me Flamurtarin. Duhet të fitojmë me patjetër me vlonjatët, pastaj kemi kohën e duhur për të ndërtuar strategjinë e kualifikimit në Kupën e Shqipërisë", përfundon Muca për Albania-sport.com, që jashtë intervistës nuk harron të përmendë se nuk ia fal askush nga donatorët mungesën e dy trofeve sezonalë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›