Hashani përforcon Dritën
Drita po vazhdon të përforcohet për të garuar denjësisht në Superligën e Kosovës, pas një viti të kaluar në Ligën e Parë.
Klubi gjilanas përfundimisht i ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Erdin Hashani, i cili së fundmi ka luajtur me Vëllaznimin e Gjakovës. Lajmin e ka konfirmuar për Express, kryetari i bardhekaltërve, Sedat Pajaziti.
“Po, kemi arritur marrëveshje me Erdin Hashanin. Të paktën një vit Hashani do të luajë me Dritën”, deklaroi Pajaziti.
Hashani është përforcimi i gjashtë i Dritës, pas rikthimit në elitën e futbollit kosovar. Më herët, gjilanasit janë përforcuar edhe me Samir Ramizin, Bashmir Gashin dhe me dy futbollistë të tjerë të rinj nga Tërnovci i Bujanovcit. Ndërsa, transferimin më të madh Drita e ka bërë nga Turqia. Bardhekaltrit e kanë huazuar për gjashtë muaj nga skuadra turke, Kasimpasa, mbrojtësin 20-vjeçar, Anit Senguler.
Mirëpo, Drita nuk do të ndalet me kaq deri në fund të afatit kalimtar të verës. Pajaziti paralajmëroi se skuadra e tij do të përforcohet edhe me disa futbollistë të tjerë cilësorë. Madje, ai tregoi se është në bisedime edhe me disa futbollistë të tjerë – emra të njohur në Superligën e Kosovës. Sipas tij, Drita është pranë finalizimit të marrëveshjeve me Suad Saliagiqin, Berat Hysenin, Kastriot Rexhën, Labinot Jetullahun dhe Fidan Hasanin.
Pas dy viteve të kaluara në Ligën e Parë, Drita kohëve të fundit është riorganizuar, me ç’rast si kampion i asaj lige u rikthye në elitën e futbollit kosovar.