Hashashi në Lazarat, aksion për bllokimin e autobotëve e punëtorëve
Gjirokastër- Policia e Gjirokastrës ka nisur një aksion për bllokimin e makinave me pleh dhe boteve me ujë që hyjnë në fshatin e Lazaratit për kultivimin e kanabisit.
Sipas njoftimit të policisë, deri tani janë bllokuar 5 kamionë me pleh dhe ujë, ndërsa janë shoqëruar 58 persona që udhëtonin në drejtim të Lazaratit, për të cilët dyshohet se punojnë për kultivimin e kanabisit.
Prej orës 06.00 të mëngjesit të sotëm, efektivët e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Gjirokastër kanë nisur aksionin për bllokimin e boteve me ujë e pleh që hyjnë në Lazarat për të kultivuar kanabis. Gjithashtu edhe për të bllokuar punëtorët që hyjnë në Lazarat që nga informacionet tona që disponojmë këta shtetas punojnë për të kultivuar kanabis. Operacioni vijon ende,- thuhet në deklaratën e Policisë së Gjirokastrës.