E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Dimri, me 13 dhurata për popullin e Kosovës

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të maskuar me fytyrën e kryeministrit Hashim Thaçi dhe me kapela të babadimrit, në një aksion të organizuar në Sheshin “Nëna Terezë”, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë shpërndare 500 pako me 13 dhuratat e kryeministri, apo siç e quanin ata Hashim Dimri.

Vjedhja e votave, negociatat me Serbinë, rrezikshmëria e qëndrueshmërisë financiare të shtetit, vendimi për privatizimin e PTK-së, zgjedhja e presidentes në mënyrë kundër kushtetuese, marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe heqja e masave të reciprocitetit, ishin disa nga dhuratat që Vetëvendosje në emër të Hashim Thaçit iu ndau sot qytetarëve të Kosovës.

Zgjim Hyseni aktivist i Vetëvendosjes tha se ky aksion simbolik është organizuar në prag të Vitit të Ri, për të bërë edhe njëherë bilancin e dhuratave, krahas dëmeve që Qeveria e Hashim Thaçit u ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës.

“Nëse përgjithësisht Festen e Viti të Ri e karakterizon njëfarë altuizmi, shkëmbimi i dhuratave midis njerëzve, një relacion i tillë nuk ekziston midis Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, për shkak se Qeveria ka përvetësuar, ka marrë prej qytetarëve të Kosovës pa iu kthyer atyre asgjë. Lëvizja Vetëvendosje e ka organizuar këtë aksion simbolik, për të bërë edhe njëherë bilancin e dhuratave krahas dëmeve që Qeveria e Hashim Thaçit u ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës. Viti ka filluar me gjithë vjedhjen industriale të votave, konstituimi i qeverisë është bërë nga pakica e popullit elektoral. Pas kësaj, vendimi i parë i Hashim Thaçit ka qenë emërimi i Edita Tahirit si shefe e delegacionit për negociata me Serbinë”.

Dëmet që Hashim Thaçi i ka bërë popullit të Kosovës, sipas Hysenit kanë vazhduar me miratimin e buxhetit me ç’rast është dëmtuar rëndë stabiliteti financiar i shtetit të Kosovës, prej premtimeve të Hashim Thaçit për pushtetin e tij personal.

Ai, po ashtu, si dëm për qytetarët përmendi edhe marrëveshjet e para që janë arritur me Serbinë, gjë që është karakterizuar me zhbërjen e aspekteve formale të pavarësisë. Dëm tjetër, sipas tij, është edhe pranimi i kopjeve të regjistrave katastral.

Aktivistët e quajtën po ashtu skandal tjetër të Qeverisë Thaçi edhe pritjen në Prishtinë të përfaqësuesit të Serbisë Borisllav Stefanoviq, i cili erdhi këtu dhe deklaroi që është këtu për ta mbrojtur kushtetutën e Republikës së Serbisë, ndërkohë më vonë po i njëjti njeri u pa duke iu prirë strukturave paralele dhe duke organizuar barrikadimin e tyre.

“Dëmi i më i madh që Qeveria Thaçi i ka shkaktuar sovranitetit të Republikës së Kosovës ka qenë edhe ndërhyrja avantureske dhe e paplanifikuar në veri, me ç’rast ka rezultuar me humbjen e një jete, dëshmorit Enver Zymberi dhe me betonizimin dhe forcimin e strukturave paralele atje, duke qenë se akoma pa përfunduar një ditë kemi pasur zmbrapsjen e Qeverisë Thaçi”, ka thënë Zgjim Hyseni.

Dëm tjetër shumë i madh sipas Vetëvendosjes ka qenë edhe marrëveshja e ashtuquajtur për menaxhimin e integruar të kufijve, me ç’rast kufiri i Kosovës me Serbi në vend që të jetë kufi ndërshtetëror kaloi në një kufi administrativ.

Si dëm tjetër i madh që Qeveria Thaçi, sipas Vetëvendosjes i ka dhuruar qytetarëve të Kosovës, mbetet edhe miratimi i dy ligjeve që vijnë nga pakoja e Ahtisarit , ligji për qendrën historike të Prizrenit dhe Ligji për Hoqen e Madhe.

Ndërsa qytetarët të cilit merrnin dhuratat nga Hashim Dimri, nuk ishin aspak të kënaqur me atë se çfarë iu ka dhuruar kryeministri Thaçi gjatë këtij viti. Njëri prej tyre, Behram Rama tha se nuk i qeverisja aktuale nuk ka punuar sa duhet.

“Nuk e di veç me thanë prej Hashim Thaçit. Nuk e di çka ka brenda, Si ligsht është duke iu shkuar punëve s’ka diçka përparim. Përparim me fjalë, jo me punë nuk po shoh asgjë. Nëse e shikojmë vetëm asfaltin, atëherë duhet të jem të kënaqur, nuk hahet asfalti, mund të bëhet më shumë”. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›