E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasi: Javët e fundit si futbollist

Besnik Hasi dhe Anderlehti kanë gjetur akordin mes tyre, ndërsa mungon vetëm zyrtarizimi i emërimit të ish-mesfushorit të kombëtares shqiptare si zv/trajner i kësaj skuadre për sezonin e ardhshëm. Ndonëse ai vazhdon të ketë një kontratë me Sërkëll Bryzh, klub me të cilin është aktivizuar gjatë sezonit të fundit, duket se nuk do të ketë probleme në prishjen e saj. "Këto janë javët e mia të fundit si futbollist. Nuk mund të them se është i sigurt kalimi im tek Anderlehti, por ekziston mundësia e realizimit të ofertës që më është bërë. Kam një kontratë njëvjeçare me Sërkëll Bryzh, por nuk mendoj se drejtuesit e skuadrës do të më pengojnë në fillimin e karrierës sime të re", u shpreh Hasi për "Laatste Nieuës". Ai ka treguar se e kishte pasur gjithmonë parandjenjën se do të kthehej një ditë tek ekipi ku mbajti shiritin e kapitenit për disa sezone. "Kanë kaluar dy vite që nga periudha kur u largova nga Anderlehti dhe të gjithë shpreheshin se një ditë do të kthehesha përsëri aty. Por unë personalisht nuk e kisha menduar se kjo kohë do të vinte kaq shpejt", u shpreh ai për mediat belge. Hasi nuk ka një licencë trajneri, por do të ndihmohet nga FSHF-ja, e cila do ta regjistrojë atë gjatë verës në kursin "UEFA B", e cila është e mjaftueshme për të filluar karrierën e tij të re si zv/trajner. Futbollisti ka shprehur prej kohësh dëshirën për të vazhduar karrierën si trajner, ndërsa Anderlehti do të jetë një mënyrë shumë e mirë për t‘u afirmuar menjëherë në një rol të tillë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›