Bundesligë, Ervin Skela mposht Herthën e Berlinit
Kur Ervin Skela është në formë, Energie Kotbus fiton. Mesfushori shqiptar është shndërruar në atë që të gjithë shpresonin: liderin e skuadrës, që pavarësisht vështirësive financiare, lufton për të mbijetuar në Bundesligë. Të dielën, Skela ka qenë njeriu i ndeshjes në përballjen e luajtur në "Stadion der Freundshaft", ku përpara 20 mijë e 746 spektatorëve, "i vetëm", ka mposhtur Herthën e Berlinit. Takimi ka filluar shumë keq për vendasit, që pas 21 minutave lojë e kanë parë veten në dizavantazh. Hertha ka shënuar falë golit të brazilianit Mineiro. 4 minuta përpara mbylljes së pjesës së parë, Skela ekzekuton në mënyrë të përsosur një goditje dënimi nga 20 metra. "Gardiani" Drobni nuk ka mundur të bëjë asgjë për të ndaluar gjuajtjen e vlonjatit. Në të 63-tën Skela ka shënuar sërish, këtë radhë nga një 11-metërsh i akorduar nga gjyqtari më i mirë gjerman, Markus Merk. Me këtë fitore, Kotbus largohet nga zona e ftohtë e klasifikimit, duke u renditur e katërta nga fundi. Po dje, 90 minuta ka luajtur edhe mesfushori Altin Lala, në barazimin 0-0 që Hanoveri ka arritur me Shtutgartin.