Hasmi high-tech!
Regjisori amerikan, Joshua Marston, qëndron në Tiranë pas prezantimit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, TIFF. Historia e hasmit, gjakmarrjes, pra Kanuni, jo sipas të vjetrës, po në kohët moderne në Shqipëri e ka shtyrë që të nisë menjëherë kinoprovën. Në prill të vitit që vjen nis xhirimet, ndërkohë që është duke shëtitur në çdo zonë të Shkodrës, për të mbledhur histori reale të fëmijëve të ngujuar. Ekskluzivisht për “standard”, ai tregon djalin modern, që luan në “Play-Station” dhe vjen një moment që ai ngujohet, bie në gjak...
Ai ka qenë aty, i ka parë e dëgjuar, është bërë pjesë e fatkeqësisë së tyre, pikërisht mes katër mureve të hekurta, në një vend jo vetëm të largët gjeografikisht, por edhe larg integritetit jetësor. Të izolohesh prej hasmit, nga frika se njëri prej djemve (pasi vetëm meshkujt vriten për gjak sipas Kanunit), duhet të vritet, të lajë hesapet nëse bën qoftë edhe një hap larg pragut të derës. Gjakmarrja. E prej kohësh kjo plagë e shoqërisë sonë është bërë “ekzotike” për të huajt. Mes tyre tashmë gjendet edhe regjisori amerikan, i cili trishtimin dhe keqardhjen ndaj këtij fenomeni ka menduar ta konceptojë në një produksion filmik. Regjisori i filmit “Maria Full of Grace”, i cili u shfaq për herë të parë gjatë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, Joshua Marston, ka rrëfyer për “standard” projektin më të ri që aktualisht ka në dorë, si një bashkëprodhim me kineastë dhe personazhe reale shqiptare. Joshua, duke marr shkas nga kjo traditë kanunore, ka trokitur derë më derë për të mësuar historinë e shumë familjeve, që edhe sot e kësaj dite, ndonëse në shekullin XXI, vuajnë izolimin e gjatë dhe të paafat. E veçanta e projektit të regjisorit nga Kalifornia, i cili ishte ftuar edhe si anëtar jurie në TIFF 2009, është se Marston nuk trajton Kanunin e Lekë Dukagjinit, por vetëm jetën e personave që vuajnë pasojat e kësaj kushtetute. “Unë nuk dua ta trajtoj këtë fenomen si një plagë të shoqërisë suaj, por ajo që unë i vë më shumë theksin në film është diferenca midis të vjetrës dhe të resë. Pra, është fjala për gjakmarrjen e ditëve të sotme, e jo ashtu siç është konceptuar më parë, kemi të bëjmë më shumë me gjakmarrjen klasike. Pra, është një formë se si shoqëria mund të shkojë përpara duke e lënë pas të shkuarën, apo duke mbajtur diçka nga ajo që tashmja nuk konsiderohet si e tillë”, - është shprehur regjisori Marston. Ai shpjegon se për ta bërë sa më reale dhe artistike, siç e konsideron ai këtë produksion, filmi do të fokusohet në historinë e një djali 17 vjeç dhe motrës së tij 15-vjeçare, të ngujuar prej vitesh në një fshat afër Shkodrës. Ndërkohë, fëmijët sidomos, në të shumtën e rasteve nuk do të paraqiten të prapambetur e analfabetë, por kësaj here të shkolluar dhe të integruar në shoqëri, me ndihmën e teknologjisë mes mureve të izolimit. “Çdo film nis nga një imazh. Imazhi prej nga jam nisur për të realizuar këtë film ka qenë një djalë modern. Ai di të luajë lojëra të ndryshme në “Play-Station” dhe në një moment ky djalë ngujohet, pra bie në gjak. Edhe pse ishte i integruar shumë mirë në shoqëri, papritmas i duhet të rrijë i mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë, për të shpëtuar nga gjakësi”, - thotë regjisori Joshua, duke shtuar se nuk ka ndërmend të merret me kanunin. “Unë thjesht dua të merrem me njerëzit që janë ngujuar, pra me aspektin e tyre personal”, - tregon ai, ndërsa ka filluar të intervistojë shumë familje të ngujuara, apo ndërmjetës siç i quan ai studentët, mësuesit e fëmijëve të ngujuar, me qëllim që të krijojë një material të bollshëm në shërbim të linjës së filmit. Aktualisht, regjisori amerikan po merret me kinoprovën e mijëra nxënësve të shkollës në fshatin afër Shkodrës, si dhe zbulon faktin se në film do të ketë një ndërthurje të aktorëve profesionistë, për të cilët ende nuk ka vendosur me ata amatorë.
Joshua e ka përjetuar në mënyrë të trishtë jetën e izoluar të atyre njerëzve që edhe sot janë në gjak, pasi ka vizituar e ka biseduar me shumë prej tyre në ambientet e shtëpisë. “Kur isha brenda familjeve të tyre jam ndjerë shumë i prekur. Më vinte keq për ta. Ishte një familje që kishte 15 vjet në izolim, kishte katër djem nën 15 vjeç dhe asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar asnjëherë në shkollë. Po ashtu, ishte edhe një tjetër familje, që kishin një vajzë 16-vjeçare, e cila kishte 12 vjet në izolim. Në fillim kishte shkuar në shkollë, kur kishte mësuar të shkruante e të lexonte, por tani kishte harruar gjithçka”, - thotë regjisori Joshua Marston.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit 2009 ai ka prezantuar filmin e tij me metrazh të gjatë “Maria Full of Grace”, jo si pjesë e kompeticionit, por për një tjetër qëllim. “Unë po bëj një film në Shqipëri dhe e kam përdorur këtë film, pra “Maria Full of Grace” si një trampolinë për të pasur një shkëmbim të gjerë eksperiencash me regjisorët shqiptarë me qëllim që të bashkëpunojmë. Dua t’ju tregoj atyre atë se çfarë po bëj unë”, - përfundon ai. Ky film gjendet në fazën fillestare të përzgjedhjes së materialeve, ndërsa sipas regjisorit, xhirimet pritet të fillojnë në muajin prill të vitit të vjen.