Me zemër në dorë për qeverinë
Rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 imponuan një koalicion ndryshe, madje disi paradoksal, të cilin e kam quajtur hap të vërtetë emancipues në politikën shqiptare, pasi shmangu një qeverisje provizore, ku do të mbizotëronte konflikti i paprecedentë e polarizimi ekstrem për epërsi elektorale. Qeveri të tilla kemi provuar në vitin 1991 dhe 1997; ato na kujtojnë fort mirë koston negative që prodhuan në jetën social-ekonomike dhe në imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Sot në periudhën e krizës globale, koalicioni aktual, përveç stabilitetit qeverisës, ka sjellë dhe disa elementë të rinj të munguar deri tani në politikën shqiptare. Në filozofinë e këtij koalicioni origjinal ka partneritet rival, pasi diferencat numerike të përfaqësimit në të nuk i shtojnë as nuk i zbehin palëve përgjegjësinë e mbajtjes në këmbe dhe funksionimin normal të qeverisë. Ndryshe ka ndodhur me koalicionet e mëparshme ku partitë e vogla kanë treguar vasalitet, sepse atyre matematika parlamentare nuk u siguronte rol serioz e përcaktues, ndaj bashkëqeverisja më shumë shërbente si simbolikë demokratike sesa si një dukuri e vërtetë pluraliste. Një risi tjetër e koalicionit PD-LSI është akordi në mes tyre vetëm për këto katër vite, pasi parashikohet riformatimi i forcave progresiste të së majtës, por dhe nëse nuk ndodh kështu, është normale që secila palë e këtij koalicioni, në fund të mandatit, të pozicionohet me bilancin e vet në elektorat, pa i lejuar ndonjë avancë njëra-tjetrës, por dhe pa agresivitetin tradicional oriental që karakterizon klimën zgjedhore këtu tek ne. Duke analizuar specifikat e koalicionit aktual, vërejmë deklarime të zhveshura nga kompleksi i unisonit që imponon rutina politike. Anëtarët e kësaj qeverie, ndryshe nga e kaluara, po shpalosin idetë dhe planet e tyre për mbarëvajtjen e sektorëve që mbulojnë gjithashtu ato indirekt po i bëjnë kritika gjendjes dhe problemeve që kanë gjetur të pa zgjidhura, ndaj atmosfera e fillimit të kësaj qeverisjeje po krijon bindjen se në këta katër vjet do të gërshetohet më mirë përmbushja e detyrave imediate me ato të prespektivës, do të vendoset bilanc më i besuar mes konkretes dhe propagandës e do të shestohen qartë sukseset që siguron spontaniteti i sistemit të ri shoqëror nga akseset zyrtare të përparimit të vendit. Të besojmë që partitë në pushtet nuk do t’i lejojnë vetes dhe as njëra-tjetrës të dalin përpara elektoratit me “këngën” monotone të premtimeve që në 17 vitet që shkuan u interpretua në kohën e palimituar. Gjithashtu, as shifrat e përgjithësuara, globale si ato të pagës mesatare apo të rritjes së prodhimit të përgjithshëm shoqëror, nuk do të bindin votuesit. Këta soj treguesish në polarizimin tej të skajshëm të ekonomisë, në shoqërinë tonë nuk përfaqësojnë saktë realitetin. Por dhe idetë largpamëse të energjisë nukleare apo të ullishtave që hyjnë në prodhim pas shumë vitesh (nëse nuk i dëmtojnë lepujt apo lopët) nuk arrijnë të entuziazmojnë shqiptarët që rrallojnë pjesëmarrjen në votime deri nën 50% dhe zyrtarizohet kriza e besimit tek politika. Duke shpresuar në dinamikën fillestare të kabinetit të ri, i cili tashmë de fakto ka dy titullarë, atij në radhë të parë i duhen modele konkrete zhvillimi në fushën e ekonomisë, të shëndetësisë, të mjedisit dhe atë të arsimit. Fatkeqësisht, ende nuk kemi dëgjuar të flitet për të tilla programe (megjithëse përvoja ekziston, politika pati huajtur modele vetëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor). Në vazhdim të shqetësimit theksoj se as këshilltarë perëndimorë për sektorët e lartpërmendur nuk kemi, por vetëm në dikasteret e sferës jo ekonomike!? Megjithatë, për një normalizim qeverisjeje me balancim në raportet në mes fantazisë me realitetin, të shpenzimeve me kursimet, të reminishencës propagandistike me rezultatet konkrete, rol të rëndësishëm luan motivimi, normimi dhe vënia para përgjegjësisë e administratës buxhetore. Fatkeqësisht, ajo vazhdon të punojë me një egocentrizëm e diletantizëm të pashembullt, kjo metodë pune ka krijuar tek qytetarët opinione negative për mungesë qeverisjeje. Strukturat qeveritare në nivelin qendror dhe lokal janë të kompletuara me drejtori, borde, ente, agjenci, inspektorate e filiale, ato kanë kornizën e qartë ligjore dhe aktet e tjera mjaft koherente që përcaktojnë detyrat dhe kompetencat për secilën fushë. E keqja qëndron në stonimin e vazhdueshëm të këtyre partiturave nga “dirigjentë” të përzgjedhur kryesisht mbi kriteret e shërbimeve informale që ata kryejnë. Mund të themi me bindje se puna e dobët e administratës ka qenë përcaktuese dhe në rezultatin aq të ngushtë të zgjedhjeve të fundit, pasi votuesi përballet me fodullëkun dhe inkompetencën e saj ditë për ditë. Në vendin tonë tingëllon turpshëm mungesa e etikës dhe e korrektësisë në komunikimin e zyrtarit të shtetit me qytetarin, fatkeqësisht kjo dukuri është mjaft reale dhe takohet dendur. Më skandaloze është gjendja e institucioneve në zonat periferike të vendit, sidomos në njësitë lokale të pushtetit, çka shpesh justifikohet me mungesën e specialistëve të kualifikuar. Askujt nuk i shkon në mend të paraqesë një amendament që detyron komunat e largëta të akordojnë në çdo mandat, bursa studimi të kontraktueshme, vlera financiare për këtë qëllim mund të nxirret nga buxheti i martirizuar dhe i shpërdorur deri për udhëtime të mirëfillta turistike të administratave përkatëse jashtë shtetit (çka nuk ndodh as në vendet më të pasura të Perëndimit). Për të argumentuar indiferentizmin e deritanishëm të administratës shtetërore po përmend prapambetjen e sektorit të bujqësisë. Administrata ka rrasur deri nën sy kapelen e justifikimit të gjendjes, duke sjellë argumentin e parcelizimit të tepruar të tokës bujqësore, por nga ana tjetër nuk shikojnë çfarë po bëhet me këtë pasuri të munguar në relievin e vendit tonë, ajo vazhdon të tjetërsohet pa mëshirë në sheshe të betonuara ku shfrejnë shuma kolosale të siguruara nga burime të errëta. Ekzistojnë rrugë dhe eksperienca për vënien në eficiencë të bujqësisë sonë dhe të zbutjes të fenomenit negativ të tej parcelizimit. Një mënyrë do të ishte nxitja e formimit të bashkësive të limituara prodhuese dhe e atyre të marketingut agrare nëpërmjet përqendrimit për to të fondeve që subvencionon shteti. Prapambetja e kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë është rrjedhojë e ndikimit të padiskutueshëm të “autoritetit” të trajlerve hileqarë të cilët sigurojnë fitime marramendëse në duart e personave të caktuar; përditë hidhen në tregun tonë mbi 80% e mallrave ushqimore që sillen nga jashtë. Kush nuk e beson këtë shifër, le të bëjë një sondazh të thjeshtë në supermarketet dhe tregjet e qytetit të tij, sepse përqindja mund t’i dalë edhe më e lartë. Tek ne është vështirë të ekuilibrohet raporti financiar në mes importit dhe eksportit, ndaj për të frenuar deficitin valutor, i cili nga viti në vit thellohet, urgjentisht duhet të nxitet rritja e prodhimit të vendit për tregun e brendshëm. Kjo mund të ishte motoja kryesore e ekonomistëve tonë indiferentë, të cilët nuk skuqen edhe kur shohin në treg hudhra të importuara nga Kina e largët. Së këtejmi, lind pyetja: A i paraprijnë vërtet organizmat shtetërore me asistencë teknike, me projekte dhe analiza financiare, mundësive dhe dëshirave private për zhvillimin e resurseve analoge me fqinjët tonë? Le t’i përgjigjemi me kundërpyetjen: Çfarë na mungon ne që të marrin zhvillim akuakultura? Përse importojmë nga Italia dhe Greqia sasi të konsiderueshme peshku? Përse tek ne nuk stimulohet industrializimi i cerealeve, por sillen nga jashtë veç bukës të gjithë produktet e tjera të këtij lloji? Ndër shërbimet më të ndjeshme për shtetin tonë është mjekësia dhe arsimi. Por mbarëvajtja e tyre kërkon standarde evropiane të modeluara me rregulla të përcaktuara saktë. Deri tani në këta sektorë nuk është kryer ndonjë reformë e suksesshme që na afron me Perëndimin, por vetëm disa riparime dhe eksperimente të shartuara, të cilët për hir të një tradite jo të mirë dhe të interesave materiale ato pak ndryshime kanë pësuar reversibilitet moral dhe organizativ. Në mjekësi dhe arsim duhet shumë punë për të vënë rregull dhe për të bindur opinionin në mbarësinë e tyre, fillimisht në këto dy disiplina të prishen monopolet profesionale dhe konflikti i interesave, dy dukuri që spikasin dhe bashkëjetojnë në simbiozë në mes shërbimit publik dhe atij privat, në dëm të shtrirjes tyre kualitative në gjithë territorin e vendit. Nëse vërtet anëtarët e qeverisë aktuale kanë marrë në sy përmirësimin e përshpejtuar të zhvillimit social ekonomik, tanimë s’ka përse të qëndrojnë mbi virtualitetin e justifikimit të trashëgimisë deficitare. Jemi vend i vogël dhe i varfër, ndaj të rikonceptohet ndryshe mënyra e punës, më me modesti, me operativitet dhe me shumë komunikim, kështu do të njihen nga afër detajet e problematikave. Ndofta kjo është reforma kryesore që ka nevojë vendi ynë.