Maternitetet e Tiranës, vdekshmëri foshnjore të larta
Shifrat e larta të vdekshmërisë foshnjore mbajnë vendin tonë në listën e vendeve problematike. Mjekët e maternitetit të Tiranës “Koço Gliozheni” deklarojnë se ndonëse vitet e fundit kemi një ulje të vdekshmërisë foshnjore në vend, situata mbetet shumë shqetësuese.
Problemet
“Vendi ynë ka qenë gjithmonë një vend problematik lidhur me shifrat e vdekshmërisë përreth lindjes. Në fakt, për hir të së vërtetës, vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme të këtyre shifrave, por përsëri ka shumë për të bërë, sepse jemi akoma larg shifrave të vendeve të zhvilluara”, - thotë Orion Gliozheni, shef i shërbimit në maternitetin "Koço Gliozheni". Faktorët që ndikojnë në rritjen e shifrave të vdekshmërisë foshnjore, sipas Gliozhenit, janë të shumtë. Lindjet e parakohshme, apo mungesa e qendrave të specializuara në zonat rurale, janë disa nga faktorët që ndikojnë më shumë në vendin tonë.
“E para, ka të bëjë me një ndjekje të rregullt të shtatzënisë, e dyta me faktin e minimizimit të numrit të lindjeve para kohe, që mbetet ende e lartë. Është shumë i rëndësishëm gjithashtu dhe fakti i kapjes në kohë të problemeve dhe referimeve të tyre në qendrat që kanë mundësi t’i shërbejnë kësaj gruaje dhe fëmije, sepse po qe se ti e transferon nga një rreth me vonesë gruan dhe fëmijën, sigurisht s’mund t’i bëjë dot asgjë asnjeri", - vijon ai. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi se ngritja e një sistemi informativ për perinatologjinë do të jetë një ndër objektivat e afërta të dikasterit që drejton. Gjatë një konference turko-shqiptare për problemet e fëmijëve që lindin me deformime gjenetike, kreu i shëndetësisë, Vasili, tha se shumë shpejt do të ngrihet një rrjet informues, i cili ka për qëllim identifikimin e rasteve, llojshmërisë së problemeve, për të ndërhyrë më pas konkretisht. “Në përgjithësi po ecim në një rrugë të mbarë, por këta tregues ende mbeten në shifra të larta, duke e radhitur Shqipërinë në vendet me vdekshmëri të lartë amtare e fëminore në rajonin e Evropës, pra kemi mjaft punë për të bërë”, - u shpreh ministri Vasili.
Të dhënat
Një tjetër problematikë e fëmijëve që lindin me deformime gjenetike, është vdekshmëria. Sipas Vasilit, numri i vdekshmërisë foshnjore vitet e fundit është në ulje, por për mjekun gjinekolog Orion Gliozheni ky numër është ende i madh krahasuar me vendet e rajonit, por edhe të BE-së. "Teknologjia ka bërë përparime të mëdha dhe aktualisht spitali ynë disponon këto aparatura, që janë të njëjta me ato që kanë dhe vendet e zhvilluara. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të diagnostikuar në kohë, p.sh. një anomali të bebit dhe për të ndërprerë shtatzëninë në kohën e duhur, në mënyrë që kjo bebe të mos ketë probleme të handikapatit më pas", - theksoi më tej ai. Për vitet 2006-2007, përqindja e defekteve dhe keqformimeve të lindura në institucionet tona shëndetësore zë 2% të të gjitha lindjeve. Keqformimet e lindura zënë 13% të shkaqeve të vdekjeve të fëmijëve 0-1 vjeç.