E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasna Xhukiçi, përfaqësuesja shqiptare në “Miss Universe”

18/07/2009  Quhet Hasna Xhukiçi dhe është pikërisht ajo e përzgjedhura për të përfaqësuar vendin tonë në konkursin më të madh të bukurisë, “Miss Universe”. Bukuroshja 21-vjeçare Xhukiçi ka një përvojë disavjeçare në fushën e modelingut, duke qenë e zgjedhura e disa stilistëve të njohur shqiptarë si modele dhe fotomodele. Por pjesëmarrja në konkursin ndërkombëtar të bukurisë në Bahamas në fund të gushtit është arritja më e madhe e saj. “Është një emocion i fortë, që më shoqëron që prej ditës kur u vendos se do të jem përfaqësuesja e Shqipërisë”, - nënvizon vajza. Pjesëmarrja e saj në “Miss Universe” u caktua para pak ditësh nga një juri e specializuar, që e përzgjodhi Hasnën ndër vajzat që morën pjesë në “Miss Universe Albania”, konkurs i organizuar nga “Jeta Media Company”, kompania që mban licencën zyrtare pesëvjeçare për organizimin e tij dhe që ka të drejtën e dërgimit të fitueses në “Miss Universe”. Deri në mbrëmjen e finales në Bahamas bukuroshja shqiptare krahas atyre nga shtetet e tjera të botës do marrë pjesë në disa sete shërbimesh fotografike të drejtuara nga Fadil Berisha (fotografi zyrtar i konkursit) dhe xhirime spotesh, të vlefshme për garën e fundgushtit. Hasna gjithashtu do të ngjitet në skenë e veshur me një kostum tradicional shqiptar dhe spotet do të shoqërojnë performancën e saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›