E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni veror, aksion pastrimi në plazhe

18/07/2009  AMC dhe Forumi i Lirë

AMC dhe Forumi i Mendimit të Lirë ndërmorën nismën për pastrimin e plazheve

Në kuadër të kontributit të vazhdueshëm për mjedisin, AMC në bashkëpunim me Forumin e Mendimit të Lirë përmes Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve, ka mbështetur aksionet për pastrimin e zonave bregdetare nga papastërtitë si dhe ndërgjegjësimin qytetar lidhur me mbajtjen e mjedisit të pastër. Me mbështetjen e kompanisë AMC, anëtarë të Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve organizuan, gjatë ditëve të fundit të qershorit, organizuan aksionet e radhës në plazhin e Orikumit dhe Shëngjinit. Mbi 150 vullnetarë morën pjesë në këto aksione për pastrimin e plazheve nga papastërtitë e krijuara nga pushuesit. Në plazhin e Orikumit u pastruan rreth 6 kilometra bregdet nga Rradhima e deri në zonën ushtarake të Pashalimanit. Vullnetarët ishin të ndarë në tre grupe, edhe për shkak të gjeografisë së zonave më të ndotura ku u përqendrua dhe aksioni. Mbi një mijë thasë u mbushën me mbeturina dhe u larguan nga zona turistike. Aksioni i dytë kishte si shënjestër plazhin e Shëngjinit. Vullnetarët arritën të pastronin pjesët më të frekuentuara të këtij plazhi. Mbeturinat e grumbulluara nëpër thasë u transportuan larg plazhit në pikën e grumbullimit. Ky aksion i Korpusit Shqiptar të Vullnetarëve dhe i mbështetur nga AMC-ja u përshëndet edhe nga institucionet lokale të Shëngjinit. Gjatë gjithë këtyre aksioneve, si në Orikum ashtu edhe në Shëngjin, për të ndikuar në ndërgjegjësimin e pushuesve që gjendeshin në plazh ditën e organizimit të aksioneve, një grup vullnetarësh punoi me ta çadër më çadër, duke folur dhe duke u dorëzuar secilit nga një thes në mënyrë që secili të grumbullonte mbeturinat që do të prodhonte gjatë qëndrimit në plazh. Grupit të vullnetarëve i janë bashkuar edhe pushues, të cilët kanë marrë pjesë në aksionin e pastrimit duke bërë të mundur edhe përmbushjen e objektivit për një sjellje të përgjegjshme në mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit. AMC ka dhënë mbështetje financiare për këtë projekt në zbatim të strategjisë së përgjegjësisë sociale të kompanisë për të kontribuar në ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit duke e konsideruar mjedisin një çështje që i përket të gjithëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›