Havel: Pse mbështeta Kosovën dhe bombardimet e NATO

Kopertina e librit
Vjen në shqip intervista e jetës së ish-presidentit çek.
Janë momente kur duhet të gërthasësh Mjaft! dhe të përdorësh dhe forcën
Asnjëherë jeta nuk mjafton që të mund të shohësh gjithçka që ëndërron. Kështu qëlloi edhe për një figurat më të mëdha të politikës çeke, Vaclav Havel, i cili nuk arriti të shohë të botuar librin e tij në gjuhën shqipe, edhe pse është interesuar për të deri pak ditë para vdekjes. Ju lutem shkurt!.
Kështu titullohet libri i sapobotuar nga shtëpia botuese 55, që ka në qendër ish-presidentin çek. Libri është ndërtuar në formën e një interviste të gjatë me gazetarin Karel Hvizhgjala dhe i plotësuar edhe me shënime të vetë Havelit, mbajtur në vitet 90 e më pas në vitet 2000. Përmes intervistës dhe shënimeve vjen jeta e dramaturgut dhe politikanit, jeta e ndarë përgjysmë mes këtyre të dyjave, burgosjet e tij, përpjekjet në krye të një politike plot tallaze, në një vend që po dilte nga diktatura. Por ai tregon edhe për udhëtimet, jetën personale, për dy gratë e jetës së tij, vdekjen e së parës dhe njohjen me të dytën. Një rrëfim që bën për vete jo vetëm të pasionuarit pas politikës. Botimi i Havelit në gjuhën shqipe vetëm pak muaj pas ndarjes së tij nga jeta, është pa dyshim homazhi më i mirë që mund ti bëjnë lexuesit shqiptar. Vetë dramaturgu dhe një nga figurat më të rëndësishme të shekullit XX ka qenë i interesuar deri ne ditët e fundit të jetës për botimin në gjuhen shqipe. Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, sekretarja e tij është interesuar për fatin e këtij botimi. Ne na vjen keq që Havel nuk mundi ta shihte librin e tij më të dashur në shqip, një gjuhë, kombin e së cilës gjithnjë e ka përkrahur… Ndonëse është një intervistë e gjatë, libri përmban shumë shënime të pabotuara më parë, të cilat Havel për shkak të natyrës së tij prej shkrimtari nuk ka mundur ti shmangë edhe kur ka qenë në krye të vendit. Përmes tyre ne shohim filozofinë ku besoi dhe krijoi një nga ikonat e dramaturgjisë çeke, dhe heroi i revolucionit të kadifenjtë, thotë Alda Bardhyli, drejtoresha e botimeve 55. Më poshtë, nga intervista e gjatë e Havel kemi përzgjedhur vetëm disa momente, si burgosja, presidenca, marrja në dorë e institucionit të Sigurimit të Shtetit, çmimet e shumta dhe pengu që nuk e mori çmimin Nobel për Paqen.
Disa herë je propozuar për çmimin Nobel të Paqes. Jeni mërzitur që këtë çmim nuk e morët asnjëherë?

Vaclav Havel
Çdo njeri është së paku disi ziliqar. Mendoj se do të gënjeja sikur të shtiresha se për mua është njëlloj nëse e marr apo jo këtë çmim. Sigurisht, kjo do të më gëzonte. Mosinteresi ose mospërthithja do të ishin shprehje e një madhështie të tepërt. Kujtoj se si nuk më pëlqeu gjesti i Jean-Paul Sartre, i cili kundërshtoi të marrë çmimin Nobel të Letërsisë. Ndoshta e kam gabim, por atëherë unë këtë e ndjeva si një përpjekje për të luajtur rolin e një rebeli. Është e kuptueshme që në kohën e komunizmit ky çmim do të kishte forcuar shumë përpjekjet tona. Në periudhën e presidencës do ta kisha pranuar me një vrasje ndërgjegjeje. Mendoj se politikanët që janë në poste, e kanë për detyrë të përpiqen për paqen, për një botë të mirë e të drejtë, paguhen për këtë dhe do të ishte më mirë që këtë çmim ta marrë dikush tjetër, i cili për diçka të mirë përpiqet, pavarësisht se kjo nuk është detyrë e tij dhe rrezikon shumë me këtë. Ky çmim i përkrah dhe i forcon këta njerëz dhe përpjekjet e tyre, e nuk është vlerësim për të kaluarën.
Me datë 21 shkurt 1989 jeni dënuar përsëri. Këtë herë dënimi ishte 9 muaj pa kushte. Kishte ndonjë ndryshim në procesin e hetimit, të gjyqit e të burgimit të këtij rasti me përvojat tuaja të mëparshme me aparatin represiv të pushtetit komunist?
Mendoj që ky burgim meriton një vëmendje të veçantë, sepse dëshmon për shumë ndodhi, të cilat paraprinë revolucionin tonë. Në janar të vitit 1989 ishte përvjetori i njëzetë i vetëdjegies së Jan Palachit. Zëdhënësit e atëhershëm të Kartës 77 do të vendosnin në monumentin e të shenjtit Vaclav, jo larg vendit ky ndodhi ky akt, buqeta me lule. Unë vendosa të qëndroja pak si larg në trotuar dhe të kontrolloja që, nëse do të ketë ndërhyrje të policisë, të kisha mundësi që me kohe ti lajmëroj miqtë dhe mediat e huaja. Në fakt, policia ndërhyri, por e bëri këtë në atë mënyrë që ngjalli interesin e kalimtarëve që menjëherë u rrit në një manifestim spontan. Unë këtë e vështrova i mahnitur, megjithëse e dija që mua herët ose vonë do të më arrestonin. Pastaj u largova nga sheshi Vaclav që të jepja njoftimin. Më arrestuan gjatë rrugës për në shtëpi dhe më dënuan në bazë të dëshmive jo të vërteta e me këtë ndikuan në ndryshimin e raporteve tek ne. Kjo veproi si një sabotim kundër regjimit. Menjëherë filloi një valë protestash e jo vetëm jashtë, por dhe në vend, peticionet për lirimin tim masivisht i nënshkruan edhe artistët e këtushëm e në radhë të parë artistët e teatrove. Regjimi nuk e kishte parashikuar këtë edhe ishte si i shokuar e nuk dinte se si të vepronte. Nuk është problem të arrestosh disidentët e veçantë, por të arrestosh të gjithë artistët e njohur?! Nuk patën guxim ta bënin këtë. Këtë përkrahje e popullaritet të madh nuk do ta kisha, nëse do të isha ndonjë disident fundamentalist, i cili përbuz të gjithë që në këtë apo atë mënyrë u përshtaten raporteve ose në një fare mënyre arrijnë të notojnë mbi ujë. Nuk kam qenë i tillë. Me artistët e teatrove kam pasur marrëdhënieve të mira, deri në atë shkallë që ata të mos dëmtoheshin, kështu që ndaj arrestimit dhe dënimit tim absurd, sepse vëzhgova që dikush vendos buqeta me lule diku, ata nuk mund të ishin indiferentë. Në burg kam qenë si një i burgosur i veçantë, megjithëse i izoluar nga të tjerët dhe i përgjuar, pata një trajtim shumë të veçantë nga personeli i burgut. Në krahasim me burgosjet e mëparshme, ky ishte si një pushim. Ndër të tjera, në qeli kam qenë me dy komunistë të përzgjedhur me kujdes, të burgosur për kriminalitet ekonomik, të cilët kishin frikë të flisnin me mua që të mos rëndonin situatën e tyre. Së fundi ishin të kënaqur që pas zgjedhjes sime president përfituan nga amnistia dhe u kthyen në shtëpi.
Te jesh disident do të thotë të kritikosh, të tregosh kontradiktat midis të thënës e realitetit, të analizosh falsitetin e gjuhës, të monitorosh shkeljen e të drejtave njerëzore e qytetare, si dhe të organizosh protesta. Kemi të bëjmë më tepër me një veprimtari destruktive. Politikani sigurisht duhet të shkatërrojë vazhdimisht diçka, por në të njëjtën kohë më me forcë dhe me një energji më të madhe duhet të ndërtojë diçka të re, të këtë një qëllim, një ide drejt së cilës do ta drejtojë shoqërinë. Kur u ndërgjegjësuat për këtë?
Nuk mendoj që veprimtaria ime publike përpara se të merrte funksionin politik, të ketë qenë vetëm destruktive. Përkundrazi, mendoj që kam kritikuar dhe munda të kritikoj, sepse kam parë se si shoqëria rreth meje ishte shumë larg përfytyrimeve të mia se si duhet të ishin gjërat realisht. Përfytyrimet e mia, veçanërisht në fëmijëri dhe në rini, ishin, pa dyshim, shumë naive, por kjo nuk do të thotë se nuk kam pasur. Jam një tip shumë konstruktiv dhe të shemb diçka vetëm për kapricio, duke mos ditur pse duhet prishur, këtë nuk e kam bërë. Kur papritur u ndodha ne një funksi