Mafia e bluzave të bardha, një film nga Joni Shanaj

Posteri i filmit
Në kinema vjen prodhimi më i ri me metrazh të gjatë.
Filmit nuk i mungojnë edhe skenat erotike, interpretuar nga Kastro Ziso e Olta Gixhari.
Ai është një djalë i ri, apatik. Ndoshta ndien se është ende herët për t’u rritur dhe me përtesë ndjek rrugën që i ati ka hapur për të. Në moshën 25-vjeçare i intereson më shumë dashuria e vajzave dhe marrëdhënia me natyrën, sesa e ardhmja dhe punët e dyshimta që i ati-mjek bën pas fasadës së një farmacie, ku ai punon. Branko është personazhi i filmit më të ri shqiptar “Pharmakon”, i shkruar dhe me regji të Joni Shanajt, që do të shfaqet pas pak ditësh në kinematë shqiptare. Një film me metrazh të gjatë që trajton tema të forta, që nga përplasja e brezave, tek orientimi i të rinjve, tek “mafia e bluzave të bardha” dhe gjendja e rënduar e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Këtë korpus problematikash, Shanaj ka zgjedhur ta japë përmes historisë së një të riu, që punon në një farmaci pranë Kopshtit Zoologjik të Tiranës dhe dashurisë së tij zhgënjyese për një vajzë të re e të bukur, e cila bën një lojë të dyfishtë mes tij e të atit. “Pharmakon” trajton temën e shkëputjes apo luftës për pushtet dhe dominim midis brezave. Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një drame edipale. Konflikti në filmin tonë është vendosur në parametra edipalë, edhe për arsye që ta bëjë atë më të prekshëm dhe më provokues për një publik të gjerë. Por nuk mund të them se ky është një qëllim në vetvete në tematikë. Çështja edipale është për të evidentuar një konflikt të thellë brezash të shpalosur në shoqërinë e sotme në një luftë për dominim. Personazhet në “Pharmakon” jetojnë në një rrethanë, ku secili bën një jetë të dyfishtë, dhe kjo jetë e dyfishtë tashmë është e institucionalizuar”, thotë Joni Shanaj për konceptin e tij regjisorial.
Personazhet

Regjisori Joni Shanaj
Me këtë film debutues, regjisori dhe skenaristi Joni Shanaj synon të sjellë risi në mënyrën e perceptimit të problematikave me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Nuk është vetëm mënyra e konceptimit të filmit të tij, por edhe përzgjedhja e kastit të aktorëve. Në një nga rolet kryesore, në atë të Brankos interpreton Klevis Bga, apo siç njihet ndryshe edhe Kastro Ziso, një emër i njohur në skenën e muzikës shqiptare, por që njihet më së shumti për karakterin e tij rebel, kundër rryme. Një i ri i shpenguar, që deri diku luan veten e tij në këtë film. Në rolin e Sarës, një studenteje dhe infermiereje bukuroshe, luan Olta Gixhari, e cila i përket brezit të ri të aktorëve, të cilët po formohen pa komplekse dhe pa klishetë e së shkuarës. Niko Kanxheri vjen në rolin e Sokratit, babait të Brankos. Një njeri i përfshirë në afera të dyshimta në biznesin e barnave, që shfrytëzon bluzën e bardhë të mjekut, por edhe gjendjen e vështirë të njerëzve. Pafytyrësia e tij arrin deri aty sa të krijojë një marrëdhënie dashurie me të dashurën e të birit, Sarën. Të tjerë personazhe janë Sherifi (Vasil Goda), një roje pallatesh, dhe Gjergji (Pano Aliu), një fëmijë i pastrehë, që strehohet në zonën e farmacisë.
Eros-Thanatos
Ku ka një histori dashurie, ka edhe vdekje. Lufta e përjetshme eros-thanatos nuk mund të mos jetë e pranishme edhe në filmin e Joni Shanajt. Erosi përfaqësohet nga historia e dashurisë së Brankos dhe Sarës. Me sa mësojmë mbi filmin, në të nuk do të mungojnë edhe skenat pasiononte të dashurisë mes dy protagonistëve. Thanatos vjen përmes hijes së rëndë të spitalit, ku çdo ditë të sëmurët duhet të përballen jo vetëm me frikën e vdekjes, por edhe me kushtet e rënda dhe mungesën e mjekimeve. Kjo problematikë medikamentesh, e cila mund të kushtojë edhe jetë njerëzish, përfshin edhe personazhet e filmit. Fati i pasigurt i nënës së Sarës do të mbetet në mëshirë të babait të Brankos, i cili si një mjek me influencë, ka në dorë ta ndihmojë atë.
Filmi

Klevis Bega dhe Olta Gixhari në filmin Pharmakon
“Pharmakon” është film artistik me metrazh të plotë dhe projekti i fundit i shtëpisë filmike “Zig-Zag Film”. Është një produksion tërësisht shqiptar, pjesërisht i mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga Radio Televizioni Shqiptar. Fondi publik për këtë projekt u lëvrua si pjesë e një iniciative të re, nisur në vitet 2005-2007, për mbështetjen dhe promovimin e regjisorëve debutues, filmit indipendent dhe alternativ në vendin tonë. Filmi ka si producent regjisorin Mevlan Shanaj. Muzika e filmit është krijuar nga kompozitori suedez, Anton Lennartsson. Filmi ka dy drejtorë fotografie, te cilët gjithashtu debutojnë në një film te metrazhit të plotë:
Ji-Hwan Park nga Seul, Koreja e Jugut dhe Ram Shani nga Tel Aviv, Izrael. Post-produksioni në figurë dhe në kolonë zanore u përfundua në “Focus Fox Studio LTD”, një nga studiot më serioze në Budapest, Hungari.
ALMA MILE