Haveli përballë Ollbit

Metafora e botës së ‘Zooparkut’ ndërtohet, ndërthuret, përshkohet, përshkallëzohet dhe balancohet me natyrën e botës njerëzore. Kush do të ishte kafsha e vërtet tek kjo histori drame, është ai që kërkon vdekjen që nga lindja në perëndim ose që nga jugu e në veri apo ai që nuk kërkon të jetësojë jetë njerëzore në parkun e jetës së tij, rrethit, fqinjëve?
Natyra e kësaj drame prolongon ide se e keqja është vullnet i brendshëm dhe se adresa e saj është në secilën rrugë, qytet, shtet, e kontinent.
Endacaku, ‘Jery’ i cili sillet si qen rruge nëpër rrugë të ndryshme, lagje më lagje, i cili vjen si personifikim i kopshtit zoologjik, për të cilin njerëzit paguajnë tiketë për argëtim. Ai do të tentojë që ta gjakosë pastërtinë njerëzore të shkrimtarit ‘Piterit’ (besa është vet jeta, është religjioni), në të kundërt, ky kanibal njeri ‘Jery’ do të mbetet enigmë kohore. Pra, kemi një dramë kaq psikologjike, kaq filozofike, kaq absurde, kaq unikale e universale në raport me të bëmat e njeriut.
Ylber Nuredinin, përveç si aktor, kësaj radhe e shohim edhe si regjisor të shfaqjes. Shfaqja u pranua natyrshëm, është e përtejme loja në raport me komunikimin, mizanksena, figurat e përzgjedhura që do të bartin kostumet e personazheve të Ollbit janë të përafërta me rrjedhën e personazheve. Personazhi ‘Piteri’ (Muharrem Sylejmani) është karakter mistik, i ftohtë në pamje, i matur në shprehje me një mimikë të theksuar, vizionar e nuhatës për çdo të papritur. Ai do t’i përafrohej rrjedhës së personazhit të tregimit, në të kundërt, ‘Jery’ (Ylber Nuredini) ka temperament fizik e interpretativ, i ngecur në mendje, tip feministi në pamje, në ecje, në gjestikulime, ka një histori të dhimbshme, me një fëmijëri anormale, si pasojë e prindërve të tij, ka elemente të animalit (qenit, maces) por ka momente kur është vetvetja.
Në mbrëmje Akademia e Arteve të Bukura është paraqitur me shfaqjen “Audienca” e Havelit, e cila nga konteksti filozofik nëpërmes gotës do të nxjerr në pah të vërtetën e brendshme të disidencës çeke dhe përtej çeke. Haveli ka qenë i burgosur politik, i njohur për disidencën e tij dhe për natyrën humane. Një histori interesante në raport me të dhe një shqiptar nga Kosova, i cili quhej Shefki Lleshi. Unë e takova këtë personazh real në Brno të Çekisë rastësisht në një bilardo. Ai kishte qenë i njohur për probleme dhe prishje të rendit shtetëror. Fati e kishte dashur që të burgoset së bashku me Havelin dhe kishin kaluar burgun në një dhomë burgu. Haveli pas burgut do të bëhet kryetar i shtetit përderisa Sheki do ta kuptojë se shoku i burgut kishte luftuar ndaj pushtetit ndërsa në veprën e tij ai e lufton pushtetin ose nuk pajtohet me të. Sheki ndërkohë do të vendos që ta vizitojë kryetarin.
Rojet i bëjnë probleme, e quajnë njeri i dehur duke u bazuar në stilin, veshjen e çakorduar, mirëpo ai insiston dhe lajmi do të mbërrijë në dhomën e kryetarit. Atë moment do të organizohet pritja e tij me ceremoni protokollare. Është një ndërthurje, e kësaj drame me dramën e Havelit dhe të Shekit dhe të shumë fatkeqësive që kanë pësuar nga sistemi komunist në Çeki, Jugosllavi, Shqipëri.
Autori trajton një shkrimtar të persekutuar, gjendjen e tij shpirtërore do ta vendos në një rrethanë birrarie para një nëpunësi që kultivon birrarinë, dhe nëpërmes tij do të ushtrohet dhuna psikike mbi shkrimtarin. Ai do të fitojë guxim me birrë dhe do të bëhet spiun për vetveten. Një ambient i strukturuar nga mure prej gajbe birrash me të cilat sendërtohet guximi, anarkia, trysnia psikologjike.
Me këtë festival hapen dimensione të reja teatrore. Publiku me duartrokitje deri në pafundësi është duke e ngritur në përmasa spektakulare rrjedhën e këtij eventi. Sonte mbyllet festivali me shfaqjen “Frigoriferi” të autorit Naser Shatrolli dhe në regjisurën e Fatmir Hysenit, ndërkohë, pas shfaqjes, do të bëhet e ditur se kush do të jetë fatlumi triumfal i mbrëmjes.