E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veseli: PDK ka nevojë për reforma

(E plotësuar) Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli ka folur për kalimin e tij në PDK, duke thënë se ndihet krenar për këtë hap të rëndësishëm.

“Jam pjesë e një strukture e cila ka një meritë shumë të madhe në ndërtimin e këtij vendi. PDK është një parti ka një identitet dhe ka njerëz të fuqishëm brenda saj, por nevojiten reforma që kjo parti të shkojë drejt rrugës evropiane. PDK duhet të bëhet parti e qendrës së djathtë” ka thënë ai.

Duke folur për zgjedhjet brenda PDK-së, Veseli ka thënë se beson në një proces fer dhe transparent.

I pyetur se a synon majat e partisë, Veseli ka thënë se vetë angazhimi në procesin zgjedhor është një koncept i transformimit të PDK-së në një forcë të fuqishme politike.

“Nuk më sundon egoja, do të jem i përgjegjshëm dhe do të shërbej në të mirë të vendit tim” ka thënë shkurt Veseli në emisionin “Debat” në RTK.

Ish-kreu i SHIK-ut, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është e ardhmja evropiane. Ai ka thënë se vetëm me dialog Kosova mund ta ketë të sigurt rrugën drejt BE-së.

“Opsioni i vetëm i të ardhmes së Kosovës është Bashkimi Evropian, dhe për këtë nevojitet dialog. Mendoj se dialogu është rruga e cila qon drejt suksesit. Kosova ka nevojë të dialogojë për të krijuar një situatë të qetë edhe në pjesën veriore të Mitrovicës” ka thënë Veseli, transmeton Indeksonline.

Kadri Veseli zyrtarisht në PDK

Kadri Veseli u bë sot anëtari më i ri PDK-së në Komunën e Mitrovicës.

Në një ceremoni, para bashkëqytetarëve, miqve, simpatizantëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të partive politike, personaliteteve nga jeta publike dhe politike, Kadri Veseli mori librezën e partisë.

Më pas ai mori fjalën. Fillimisht përshëndet familjet e dëshmorëve dhe minatorët, të cilët i quajti krenari të Mitrovicës dhe pjesëmarrësit tjerë në këtë ceremoni.

Veseli tha se në Kosovë ka nevojë për ndryshime, por ato nuk mund të bëhen vetëm nga një njeri i vetëm.

“Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë ndryshimet, por mund të bëjmë dallimin, mund të bëjmë njerëzit të lëvizin, për të bërë më shumë për vendin e tyre. Kjo është arsyeje pse i bashkohem vizionit të PDK-së. Jam krenarë të jem pjesë e saj. Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për të zhvilluar vendin tonë”, shtoi Veseli.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bajram Rexhepi është shprehu i gëzuar me anëtarësimin e Veselit në PDK.

“Gjithmonë ka qenë i gatshëm të jap jetën e tij për Kosovë. Në momentet më të vështira për Mitrovicën ndihma e tij, për tejkalimin e sfidave ka qenë përcaktuese për Mitrovicën, prandaj unë e falënderoj shumë për këtë kontribut. Kadri Veseli ka potencial intelektual dhe me anëtarësimin e tij i ka bërë nder Mitrovicës dhe Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Edhe Bedri Hamza nga radhët e PDK-së ka thënë se anëtarësimi i Kadri Veselit në PDK, shton krenarinë e kësaj partie, të Mitrovicës dhe Kosovës.

“Sot PDK-së po i bashkëngjitet një anëtarë me kredit të madh njerëzor, intelektual dhe kombëtarë. Për ne na rrit përgjegjësinë. Na duhet e kaluara e tij, por është i nevojshëm edhe vizioni për të ardhmen i Kosovës”, shtoi Hamza.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Avni Kastrati tha se Kadri Veseli edhe si anëtarësi i PDK-së do të jep kontribut të çmuar për çështjen kombëtare edhe në çështjen e zhvillimit të Kosovës.

“Ne si bashkëqytetarë të cilët e njohim nga afër, jemi të sigurt me inkuadrimin e tij në PDK do të ndodhin reforma pozitive, nga të cilat do të përfundoj e tërë Kosova”, ka paralajmëruar Kastrati.

Veseli kohë më parë kishte refuzuar të kooptohet drejtpërdrejt në strukturat drejtuese të PDK-së, si shumë deputetë e ministra aktualë.

Në disa intervista për Media, ai ka paralajmëruar reforma rrënjësore në PDK dhe sjelljen e figurave të reja, përmes një procesi të rregullt. Shembullin për këtë e dha vet, me anëtarësimin e tij në nëndegën e PDK-së në Bair të Mitrovicë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›