Havier Solana, tri porosi për kryeministri Thaçi

Solana dhe Feith kanë rënë dakord që këtë vit nuk duhet të ketë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë
Prishtinë, 19 Janar, 12:12, NOA/INA - Vendimin që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2011, përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith e ka marrë pasi ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Havier Solana, në Bruksel.
Sipas të përditshmes Zëri, e cila citon burimet e saj, Feith është kthyer në Kosovë me tri porosi për kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi. Dhe përderisa porosia e parë thuhet të jetë lajm i mirë për Thaçin, kjo nuk është rasti me dy porosi të tjera.
Kategorizimin e këtyre tri porosive, sipas kësaj të përditshmeje, thuhet ta ketë bërë vetë Feith, i cili ua ka kumtuar ato kolegëve të tij evropianë në Prishtinë.
Lajmi, apo porosia e parë për Thaçin ka qenë që, Solana dhe Feith kanë rënë dakord që sivjet nuk duhet të ketë zgjedhje të përgjithshme në Kosovë. Pra, konstaton kjo gazetë, takimi i fundit i Feithit me Solanën, ishte përcaktues për drejtimin që mori procesi vendimmarrës për këtë çështje në Prishtinë.
Porosia e dytë e Feithit për Thaçin, sipas qarqeve diplomatike perëndimore, përkonte me një nismë të re që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Thaçi – për përgatitjen e një dokumenti apo propozimi strategjik për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, ndërsa vetë Thaçi duhet t’u drejtohet me një fjalim të veçantë serbëve të Kosovës.
Dhe në fund, mesazhi i tretë i Feithit për kryeministrin Thaçi kishte të bëjë me zhvillimet në veri të Kosovës, i cili vazhdon të jetë burimi kryesor i problemeve politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Ky mesazh konstatonte domosdoshmërinë e bisedimeve të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit për disa nga temat që janë spikatur edhe në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, të 24 nëntorit të vitit të kaluar.
INA/NOA