E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet frika e gripit të shpendëve, gjen vdekjen një grua

Viktima u shënua në pjesën lindore të Kinës, ishte infektuar nga virusi vdekjeprurës, H5N1

Pekin, 18 janar 19:58 NOA – Frika e gripit të shpendëve, një virus fatal që merr jetë njerëzish, është rikthyer sërish, pasi autoritetet kineze, publikuan sot vdekjen e një gruaje të infektuar.

Agjencia shtetërore e lajmeve kineze, HSINHUA, bëri të ditur se 27-vjeçarja Zhang, banuese në Jinan, kryeqyteti i provincës lindore kineze Shandong, humbi jetën sot pasi u diagnostikua me virusin vdekjeprurës më 5 janar të këtij viti.

Zyrtari i departamentit shëndetësor të provincës sqaroi se qendra kombëtare për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes konfirmoi se gruaja ishte e infektuar me H5N1, virusi i gripit të shpendëve.

Autoritetet nuk dhanë hollësi të tjera ndërsa nuk ka ende informacion nëse bëhet fjalë për një nisje të fluksit të rasteve vdekjeprurëse, rreth tre vjet pasi gripi i shpendëve pushtoi mbarë botën me frikën e infektimit fatal.

e.l/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›