E Shtunë, 31 Tetor 2026

28 qershori dhe pavlefshmëria e zgjidhjes gjermane

Edmond Arizaj 

Edhe sot Shqipëria dhe shqiptarët janë po aq të qartë për 28 qershorin sa edhe më parë. Askush në Shqipëri nuk pati dilema një ditë pas zgjedhjeve as edhe opozita vetë, e cila ishte e ndërgjegjshme për qartësinë e gjithçkaje që kishte ndodhur dhe prandaj brenda pak ditësh shqiptaret me mijëra shkuan të qetë në pushimet e radhës në një situatë qetësie publike dhe sociale që u prodhua nga zgjedhjet dhe zgjidhja politike që pasoi ato.
Po kaq të qarta kanë qenë edhe deklarimet e shumta në nivelet më të larta, të partnerëve ndërkombëtarë dhe shteteve më të rëndësishme të botës mike të Shqipërisë, që kanë certifikuar kualitetin e lartë të zgjedhjeve dhe legjitimitetin e padiskutueshëm të rezultatit të tyre dhe të koalicionit politik të krijuar pas tyre. Por ka zëra të cilër të grishur nga etja për protagonizëm apo për të tjera interesa…, aventurohen e thonë se ka një krizë të shtetit në Shqipëri dhe se aftësia shtetformuese e shqiptarëve është vënë në dyshim. Por në realitet po ndodh krejt e kundërta, në këtë moment maxhoranca e këtij vendi më mirë se asnjëherë në këta 20 vjet pluralizëm po i bën shërbimin më të madh shtetit ligjor dhe ndarjes së pushteteve në Shqipëri, duke treguar një shembull të shkëlqyer të një filozofie evropiane në ndërtimin e shtetit në tërësi, të një shteti ligjor, që funksionon dhe që refuzon pazaret antishtet dhe tentativat për të cenuar integritetin e tij. Pranimi sot i kërkesave absurde të Edi Rames për të zhbërë vendimet e gjykatave duke dhunuar ndarjen dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor janë pikërisht rrënimi i filozofisë së shtetit. Çdo lloj kompromisi që dhunon gjykatat i kërkuar nga Rama apo edhe nga të tjerë mendjedhënës nga jashtë Shqipërisë do të ishte kompromis për të krijuar antishtetin e mafies dhe asgjësimin e shtetit të së drejtës. Këmbëngulja për të shitur një krizë që nuk ekziston, si dhe shitja e zgjidhjes gjermane të krizës janë sa pa kuptim, aq edhe antishqiptare. Të vetmit që janë në krizë janë vetëm Edi Rama dhe ca të tjerë që 28 qershori u prishi keqas hesapet, hesape që nuk kishin të bënin aspak me vendin dhe integrimin e tij, por ca hesape të tjera të errëta dhe të përlyera, që u përfshinë gjerësisht në fushatën elektorale dhe që sot janë në fokusin e vëmendjes së opinionit publik, por edhe të organeve hetimit të cilat duhet të hedhin drite mbi këto para të pista me të cilat, kërkohej të blihej pushteti i shqiptarëve. Koalicioni politik i krijuar në Gjermani në zgjedhjet e mëparshme, njihet botërisht që u krijua sepse asnjëra palë nuk pati asnjë lloj mundësie për të krijuar shumicë ndaj edhe rezultati i votës së zgjedhësve gjermanë imponoi atë zgjidhje të gjerë. Por situata pas 28 qershorit ne Shqiperi nuk ka snje lidhje me zgjidhjen gjermane, sepse kemi një maxhorancë të qartë dhe të bollshme për të qeverisur, ndaj edhe kemi një qeverisje kushtetuese dhe legjitime që me programin e saj qeveritar ka përgjegjësinë e qeverisjes se vendit. Opozita ka detyrën të bëjë oponencën e kësaj qeverisje në bazë të rezultatit që kanë dhënë zgjedhësit. Por po t’i referohemi Ballkanit, kemi vetëm njëherë, pak kohë më parë një zgjidhje që ngjan me atë gjermane të aplikuar në Rumani, por që u rrëzua mjaft nga lufta e brendshme dhe ajo e interesave në më pak se një vit dhe me pasoja politike dhe ekonomike të rënda.  Referimi me zgjidhjen gjermane i shërben vetëm antishtetit dhe vetëm ndihmon të gjithë për të kuptuar se sa pa lidhje është ajo me atë që ka ndodhur në Shqipëri pas 28 qershorit. Po a ka krizë politike në Shqipëri? Sigurisht që jo dhe kjo konstatohet pa vështirësi edhe nga qytetarët e thjeshtë dhe jo më nga ata që merren me politikë.
Po ku ka krizë?
Ka sigurisht një krize të thellë midis votave opozitare dhe shpërdorimit të tyre nga Edi Rama në funksion të interesit të tij privat dhe të grupit mafioz të cilit i janë prishur llogaritë dhe ndodhet i zënë në çarkun e të vërtetës që po zbulohet dita-ditës. Kriza e Edi Ramës ka arritur deri aty sa që një gjendje skizofrenike edhe punët e tij të natyrshme dhe dështimin e tij, po përpiqet ta shpërndajë gjithkund ashtu si plehrat që tentoi t’i shpërndante nëpër rrugët e Tiranës, duke harruar se është ai që ka detyrë ta pastrojë Tiranen nga plehrat dhe jo vetëm të gllabërojë paratë e tenderave të pastrimit të qytetit.
Ka sigurisht një krizë të thellë mes Edi Ramës, i cili u ka zënë grykën deputetëve socialistë dhe nuk u jep as mundësinë që të flasin as në forumet e partisë së tyre duke bunkerizuar ato e duke varrosur çdo grimcë demokracie. Ndërkohë që po ky individ të cilin e kanë lëshuar tërësisht nervat, ulëret lart e poshtë për lirinë e dhunuar dhe demokracinë e cenuar. Kriza qëndron në shpërdorimin e besimin e qytetarëve nga Rama duke i mbytur në taksa ata e duke i përdorur paratë e tyre për të bërë mitingje me punonjësit e pafund të bashkisë, që hanë me rrogat e tyre taksat e qytetarëve thjesht dhe vetëm për interesat e kryetarit humbës të Bashkisë së Tiranës. Kriza qëndron gjithashtu në besimin e shpërdoruar të qytetarëve për të pasur një kryeqytet të sistemuar nga pikëpamja urbanistike dhe të një kryetari bashkie gënjeshtar si Edi Rama që i mashtroi duke ua premtuar se do ta kishin gati planin urbanistik 7 vjet më parë. Kriza qëndron midis transparencës që kërkojnë qytetarët se ku shkojnë paratë e tyre dhe një kryetari bashkie, që i fsheh ato sepse i shpërdoron për interesat e grupit të beniaminëve të tij intimë politikë dhe klientelistë. Ka vetëm një zgjidhje sot dhe ajo është respektimi i palëkundur i votës së popullit, i cili përcaktoi se PD dhe LSI duhet të qeverisin dhe se PS duhet të bëjë opozitë. Çdo sjellje tjetër është antipopull, është antishtet dhe sigurisht që opozita nuk do të mbetet peng gjatë i turbullirave psikotike të Ramës, sepse ajo ka zgjidhje të tjera që po ngjizen brenda vetes, të cilat do të marrin shumë shpejt përgjegjësinë për të drejtuar opozitën atje ku ajo e ka vendin dhe duke e kthyer atë në një opozitë konstruktive dhe evropiane, që sillet si alternative për qeverisjen dhe jo si kobure e çare e një të çorodituri në dëshpërim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›