E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sporti i diskriminuar nga politika

Agron Duka  

Në çdo vend të botës, madje edhe në vendet më të prapambetura, qeveritë kujdesen shumë për sportin, jo vetëm se sporti pëlqehet nga masa e gjerë e popullsisë, por edhe për faktin se nëpërmjet tij bëhet një publicitet sipas rastit pozitiv ose anasjelltas, që në fund të fundit i shërben ose i dëmton ata vetë. Jo më kot thuhet shpesh se sportistë cilësore kanë luajtur rolin e ambasadorëve për vendet e tyre. Raste të tilla ka plot, por unë dua të veçoj dy prej tyre. Në vitin 1995, futbollisti më i mirë i vitit u shpall, George Ëeah e nëpërmjet tij shumë njerëz mësuan se ekzistonte një shtet me emrin Liberi. Provoni të shkoni në Hanover e të lëvizni me taksi, sapo shoferi mëson se jeni shqiptar ju trajton sikur t‘ju ketë mik, çka nuk ndodh në vende të tjera, kjo falë bashkëatdhetarit tonë e idhullit të tifozëve të ekipit të futbollit të Hanoverit, Altin Lala. Me këtë dua të them se roli qe luajnë sportistë të tillë cilësorë është i jashtëzakonshëm.
Të flasësh për efektet pozitive të sportit nuk mjafton një shkrim, madje as libra të tërë, megjithatë qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky, por të nxjerrë në pah gjendjen e prapambetur të sportit në vendin tonë, duke e krahasuar atë me vende të tjera të ngjashme, si dhe sensibilizimin e qeverisë për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e tij.
Ka shumë vite që në sportin shqiptar nuk po spikasin rezultate cilësore si fitoret e basketbollit të kohës së Fagut e Çaçit, të volejbollit të kohës së Asllan Rusit e Ela Tases, kur ekipet e Dinamos për meshkuj e femra arrinin deri në katër ekipet më të mira të Evropës. Peshëngritësve si Pampuri, Kondo, Kalleshi e Nikolla, të atletëve si Mihali, Toska, Pronjari e Gjergj Rruli, rekordi i të cilit ka akoma po të njëjtin autor si dhe shumë sportistë të tjerë të disiplinave të ndryshme. Jo vetëm që na mungojnë rezultate të tilla, por në disa raste ka disiplina sportive, që për shkak të mungesës së fondeve, rrezikojnë ekzistencën e tyre. Mbijeton deri diku futbolli, i cili ndoshta për vetë popullaritetin që gëzon ka arritur të gjejë sponsorë, të paktën për ekipet e Ligës Superiore, ndërsa ata të kategorive më të ulëta nuk kanë ndonjë perspektive të garantuar, ndërkohë që në sportet e tjera vihet re një regres i dukshëm dhe një e ardhme e pasigurt.
Për të analizuar gjendjen e sportit në përgjithësi, do të marr si shembull volejbollin meqenëse këtë sport e njoh më mirë si dhe duke qenë pranë Federatës së Volejbollit mund të flas me kompetenca për gjendjen ekonomiko–financiare të klubeve të volejbollit, si dhe të ekipeve kombëtare. Fondi grant, i marrë nga qeveria për zhvillimin e veprimtarive kombëtare zyrtare të volejbollit, përfshirë këtu edhe aktivitetet ndërkombëtare, është gjithsej 120 milionë lekë të vjetra në vit ose rreth 88 mijë euro, nga të cilat me nikoqirllëk duhen llogaritur edhe shpenzimet për udhëtime e dieta të gjyqtarëve, trajnime si dhe rroga për atë pak administratë që punon në Federatë. Nëse bëjmë një krahasim me disa shtete, të cilët janë afër nesh për nga pozicioni gjeografik apo ekonomia na rezulton se Mali i Zi ka në dispozicion 300 mijë euro, Moldavia 1 milion euro ndërsa Greqia 3 milionë e 500 mije euro në vit, për zhvillimin e aktiviteteve të volejbollit në vendet e tyre. Të mos harrojmë se si anëtarë me të drejta të plota të FIVB, CEV dhe BVA, duhet të marrim pjesë edhe në aktivitetet evropiane e botërore, për të përmbushur detyrimin si anëtarë të këtyre organizatave, ndërsa në aktivitetet ballkanike pjesëmarrja është e detyrueshme për ekipet kombëtare për të rinj e te reja, pjesëmarrje e cila vështirësohet shumë me fondet që FSHV ka në dispozicion. Gjithashtu nga i njëjti fond, FSHV ka përcaktuar edhe shpërblimet në rastet e arritjeve të rezultateve të larta nga ekipet përfaqësuese të volejbollit meshkuj e femra, nga të cilat po paraqesim disa prej tyre në tabelë.
Shihet qartë se sa mund të ndikojë ky shpërblim, në qëllimin për të cilën përdoret. Nëse arrijmë për shembull të fitojmë kampionatin ballkanik për të rritur, ekipi shpërblehet me 200 000 lekë. Nuk ju duket kjo qesharake, ndërkohë që ekipet përfaqësuese që janë afër nesh, nga pozita gjeografike apo standardi ekonomik marrin shumëfishin tonë, pa përmendur ekipet përfaqësuese të shteteve të zhvilluara si Italia, Franca, Gjermania etj.
Në këto shtete, përveç qeverisë një ndihmë të madhe për zhvillimin e sportit japin edhe sponsorë të ndryshëm, të cilët favorizohen nga shteti nëpërmjet ligjit për sportin. Prandaj atje nuk është e vështirë të gjesh të tillë, ndërsa ekipet tona të volejbollit kanë gjithsej 5 sponsorë: Studenti e Teuta për meshkuj dhe Tirana, Minatori e UMB-ja për femra, të cilët janë thjesht donatorë dhe ndihmojnë volejbollin nga pasioni që kanë për të, pa pasur asnjë përkrahje nga shteti, përkundrazi në disa raste bëhen objekt i sulmeve të tatimoreve, me arsyetimin se përderisa ka lekë t`i falë sportit, duhet të ketë edhe për ne. Por sa mund të vazhdojë kjo nëse shteti nuk sheh mundësinë e rekuperimit të humbjeve të tyre? Unë mendoj, jo shumë sepse me gjithë dëshirën e mirë të këtyre donatorëve nuk mund të krijohet një qëndrueshmëri e vazhdimësi për arsye të dëmit ekonomik që ata pësojnë.
Përsa i përket infrastrukturës sportive, krahasimi me shtete të tjera as që mund të mendohet. Në Shqipëri ka gjithsej 63 ekipe volejbolli, të cilët zhvillojnë aktivitetin sportiv në 9 pallate sporti dhe 12 salla sportive, ndërkohe që në Mal të Zi me një popullsi prej 620 000 banorësh ka 30 pallate sporti, në Moldavi rreth 100, ndërsa në Greqi sallat e pallatet e sportit për lojërat me dorë janë me qindra.
Probleme të tilla të ngjashme ka në të gjitha llojet e sporteve në Shqipëri, të cilët me mundim e sforco po mundohen të mbijetojnë me shumë vështirësi. Pra duket qartë që kujdesi i qeverive në vende të tjera dallon dukshëm nga ajo e jona e jo vetëm nga kjo aktuale, por do të thosha që të gjitha qeveritë e pas 90-ës. Pati një përpjekje nga qeveria "Nano", ku me urdhër të kryeministrit u formua një grup pune në nivel ministror, me në krye zv/kryeministrin, për të parë mundësinë e një hopi cilësor në sport, i cili nuk arriti as të fillojë të funksionojë për arsye të zhvillimeve politike të asaj kohe. Megjithatë me datë 21-4-2005 u dekretua ligji për sportin, i propozuar nga Këshilli i Ministrave, i cili është një formë më e përmirësuar e ligjit të vjetër, por duket që nuk i përmbush nevojat aktuale të zhvillimit të sportit në vendin tonë, megjithë ndryshimet e bëra në vitet 2007 e 2008 nga qeveritë pasardhëse. Qeveritë ndryshojnë të paktën një herë në 4 vjet, e ata që vijnë zotojnë qindra e mijëra km rrugë më shumë, spitale më shumë, shkolla më shumë etj, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar që në programet e tyre të flasin për sportin me gjuhën e shifrave. Qeveritë paraqesin prioritete si arsimin, shëndetin publik etj, kjo varet nga programet e tyre, por kurrë nuk kemi dëgjuar që në një qeveri brenda mandatit të saj ta vendosë edhe sportin si një nga prioritetet e veta. Nëse ata nuk do e shohin sportin me syrin që shohin rrugët, dritat, ujin, të jeni të sigurtë se Shqipëria, jo vetëm që nuk do të ketë sport cilësor, por shumë prej tyre do të shkojnë drejt zhdukjes.
Unë jam konsultuar me shumë ekspertë të fushës ekonomike e sportive, të cilët e ndjejnë më shumë se kushdo zhvillimin e sportit në vendin tonë dhe sugjerojnë rrugët për arritjen e këtij qëllimi. Mund të jenë efektive ose jo, por të paktën janë përpjekje, të cilat mund të shërbejnë për nisjen e një diskutimi me komunitetin sportiv dhe atë të biznesit për të gjetur të tjera nëse ka më të mira.
Të gjitha këto nuk kanë asnjë vlerë nëse lojtari kryesor që luan rolin më të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve që ka sporti sot, që sipas meje është politika, nuk ka vullnetin pozitiv. Nëse politika nuk e sheh sportin si një problem më vete, që duhet kuruar vazhdimisht, por e sheh si një shtojcë të turizmit, rinisë e kulturës, mendoj se sporti do ta ketë shumë të vështirë të shënojë progres, prandaj do të sugjeronim që sporti të mos ishte nën ombrellën e ministrisë së sotme, por të gjehej një formë organizimi më e pavarur, në mënyrë që interesimi i institucionit përkatës të ishte më direkt.
Përfundimisht do të thosha që me një kujdes më të madh të politikës, duke shtuar fondet për zhvillimin e infrastrukturës sportive e duke zgjidhur problemet ekonomike, nëse është e nevojshme nëpërmjet përmirësimeve ligjore, sporti do të arrinte në pak kohë nivelet e dëshiruara nga të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›